Thursday, February 2, 2012
Etude crude me placebo dielli
E ftohta e mëngjesit na bën të mblidhemi shuk, t’i tregojmë thellimës sa më pak lëkurë. Jemi kruspull, po të mundnim do bëheshim sfera, por s’mundim, ndaj rrimë aty ku era s’kap, mbështetur pas stivës së tullave duke kursyer levizjet. Asnjë skodë s’ka mbërritur për ngarkim, punëtorët e ashpër të ngarkim-shkarkimit që banojnë në fshatrat rrotull dhe vijnë në këmbë, s’kanë ardhur ende, ndërsa ne jemi këtu sepse na sjell autobuzi vetmor i fabrikës që ndërron turnet. Fabrika brenda punon. Tullat e njoma piqen në tunelet e mbyllur për gjithë natën. Pasi janë pjekur, tunelet hapen dhe punëtoret e transportimit te tyre për në fushë i sjellin me ca karro që i mbushin vetë dhe i tërheqin si kuaj.
Njëri nga ata të transportit është i famshëm pasi punon për vitin 2000. Është ndër gjërat e para që na kanë treguar, unë e kam parë sa e sa herë, por zërin nuk ia kam dëgjuar kurrë. Ai nuk flet, ai ka dicka prej ushtari veteran edhe po të mos e dish atë punën e vitit 2000, ai të sheh me një lloj shikimi që nuk shikon, ne mencë ha bukë me kafshita të mëdha të cilat ia bëjnë gjithnjë atë skopjon muskuloze të faqes ndërsa mbllaçiten, ngrënia e tij ka diçka po aq heroike sa thyerja që i ka bërë kohës, vendosmëria me të cilën ai e fut lugën në pjatën e mencës është uverturë festive nga nikolla zoraqi dirigjent ferdinant deda, pastaj ai ngrihet, shkon dhe mbrehet në karron e tij për të sjellë tullat prej tuneleve në fushë. Mund të jetë edhe hero i punës socialiste, ku i dihet. Thonë qe i ka dale nje konkurrent, te cilin nuk e dime ku banon, dhe i shohim te dy tek terheqin si te nderkryer karrot plot me tulla. Konkurrenti duket si nje abrash përpara dymijeshit tone epik, fytyrën abrashi nuk e ka heroike, dhe me siguri që bën hile në numërimin e tullave, gjë që për dymijëshin është e pamendueshme. Edhe bukën e ha si qurrs në mensë abrashi, shikimin e ka tokësor, domethënë prej dheu ballgjerë, dhe është e pabesueshme tek e sheh se sa shumë tulla sjell brenda orës nga tuneli në fushë. Më shumë se forcë ka teknike, kështu besojmë gjithë sëkëlldi. Thuhet që ai po i afrohet konkurrentit të vet. Vitet e tij janë më me vrik, koha e tij rend më shpejt, dhe ne na vjen keq për luanin e lodhur tashmë, abrashi është goxha më i ri; por po të ishte ndonjë virtyt rinia, skuadra jonë pa Qerimin do ishte skuadër ungjillarësh. Nuk e shef, batall i madh fort trilliku!
Ndjejmë zhurmën e karrocës që po vjen, dymijëshi jepet i pari, më ngjan si Hektori në një film me Helenën e Trojës që e kam parë njëzet herë, me shpresën e fshehtë që më në fund Parisi nuk do vritet, dymijëshi i stivon tullat e nxehta me regull gjermanik, rrezik e ka bërë normën ndërkaq, ndërsa ne jemi ende me sklepa në sy, nuk na shikon, është i përpirë në punën e vet, ne e kundrojmë me nderim dhe habi, ky njeri jeton në tjetër kohë, e ndërkaq pothuaj pa u dëgjuar fare, sikur ta ketë ndjekur si hije, vjen konkurrenti, karroja e tij na ngjan karrakatinë, nuk ka asgjë nga karroja trojane e dymijëshit, edhe mënyra se si i kap dhe stivos tullat është e pocaqisur, vë re se qurrsi (kështu i themi mes nesh) i ka duart më të gjata se e zakonshmja, ka diçka shimpanzeje lëvizja e tij (të kish të atillë krahë dymijëshi do e quanim menjëherë Sep Majer), ai i stivos tullat dhe ikën prapë drejt tunelit, ne vihemi të krahasojmë stivat e të dyve, dhe e tmerrshme, habitemi që abrashi ka sjellë më shumë tulla. Pikëllohemi, të ftohtët që u harrua për pak nga gara, fshikullon prapë, mblidhemi kruspull, me dëshira rruzujsh. Beni, një prej ngarkuesve, merr një tullë të ngrohtë nga të abrashit dhe e ve mbi fundin e barkut. Nuk hukat duart si ne, por e mban aty tullën duke e ngjeshur lehtë pas vetes. Po u ngroh ky, thotë duke dëftyer me gisht nga “dyqani”, i gjithë trupi vjen sagllam.
E provojmë edhe ne teknikën ngrohëse, por nuk jemi shumë të sigurtë mbi rezultatet. Dielli ka nxjerrë vetullën, mbase na duket kot sikur ngroh tulla. Është një ore idiote e ditës kjo: më pushton një panik se mos abrashi vjen dhe na hidhet për gryke pse i morëm tullat, në fakt pse ia poshtëruam. Kur Beni e ve tullën e vet në vend, i vemë edhe ne tonat, mes tullave të tjera ato janë si me një sekret të vockël, s’do habitesha po t’më thoshin që kanë mbetur shtatzënë. Përfundimisht është vërtet shumë ftohtë.
No comments yet