Friday, January 20, 2012
M'bi
Kotiledon
Kokërr e thatë e fasules në një pjatë shënpjetri
pas pritjesh kurrnace e bymime fajtore me ujë diversant
hapi dy buzë të mishta anë mëngjesit që më trazuan
se herë më dukej që u çelën enkas për mua
e herë sikur kokrra e thatë me natën hajdute më kishte tradhtuar.
Fil
Filxhani dëshmor ra përmbys mbi deltinë
moçali të zi plot krokodilë e tarzanë të varur
në varëse lisharse në qafa vejushash,
“hallexheshash” beqare me flokët romuz,
me këmbë të parruara – vëzhguar nga unë
përshtypur, gërgarë nga qimet e grave
sidomos në kërcinj dhe sqetullat si zogj,
dhe pandehur nën brekët e fryra të Adës,
që ish më e vogël, por Çimi i ndritur
bënte be e rrufe se “i ka zënë lesh”
bukë e ndenjur që ze myk jeshil në bufetë
jo profilaktike, nisur gjithë nga gjykime stereometrike,
për leshin e zënë siç doli më pas,
por të vimë tek filxhani dëshmor për fallin e ditës:
shoqe e mamasë ardh’ për vizitë, ankuar gjithnjë -
diçka e ndiqte, e keqe, si qen i Hamdiut kur vinim nga shkolla -
dhe që ardhja tek ne e shpëtonte për pak
shoqen me permanent, sa të merrte kafe, rrufiste pak frymë
me nënën që i dinte ato punët e grave, çudi,
përkundër babait, natyrisht armiqsor,
me driza romuzi dhe alarme në vetulla,
syçelët se gratë kur bëhen dy, komplotin
më lehtë se dy lebër një këngë me vranësira gatuajnë,
“hallexhesha” shqiptuar me paralajmërim babai,
ndërsa e liga mjekrën murrmomte, shikimin
ia bënte mishngrënës nën vetullat si ferra
këto punët e grave ardhëse përndjekur
nga hallet kanine të grave, qen hungërritës
mbi Vlorë, prej erës së hallit, mëlçi përpëlitëse,
në vishnje të vrenjtur sikleti, e mbyllur në turbull,
ku lëngjet e jetës bëhen si sumbull
dhe gurë në veshka, dhembja e dytë pas lindjes, biseda mamaje
që ende besonin që unë gjë s’kuptoja, o ngashnjim i spiunit
që bën sikur sheh nga dritarja për mëllenja mbërdhace,
por mendjen e ka te filxhanët dhe nga graria me halle interesante
aq të kuptueshme në t’pakuptimtën e tyre saqë bëje habi
se si aq të thjeshta gjërat i kishin të rriturit, dhe aq serioze,
që ua terrte melçitë, reumatizmat, stomakët me ulçer
në formë maceje, mushkrive u thoshin “mëlçi të bardha”,
kisha dëgjuar babanë që therte ”karçinë”,
(“thika të ndenjtë mu në mëlçinë!”)
blerë te Rrapi i Trishit, kakërdhi, garnizon, me leje ushtar,
ingranazh, kinema, perendim I pashprese I diellit
perplasur mbi Dajtin me ndryshk mbrëmësor,
dhe një Vali ujëvarur rrugice avlliash që kishte prindër
dhe vëllezër dhe nënë me halle me erë prej mishi të varur
dhe mizash gjakse më këmbëngulse se qentë,
çpuar gjakisht në çengele kasapi, po them për mishin
mbërthyer përjetë, hallet e grave,
në grepa përbindshi, të plakur, prej hekuri të rrahur,
(përkundër qenve, hekuri kur rrihet bëhet më i keq),
çupat nuk ishin si vajzat, çupat ishin pjesë e hallit,
zakonisht në pasmoshë si pas kodrës me stalla,
ku na thoshnin mos shkoni, ka gjarprinj e thithlopa,
me moshën të ikur çupat, diku e që s’vinte,
nuk kthehej në darkë në shtëpi, u bë vonë, mbeti udhëve,
as mosha nuk kthehej, as “burri” nuk vinte,
i vërtetë nën qemerët e pritjes ngjyrë gri,
por shfaqej si rreth i zi a si kryq Berati,
kalorës, ushtë e drejtë, për kryqëzim të fatit
të strukur e padalë nga parvazi, sepeti e pragu,
nuk dilte, fati, nuk ikte
si mosha rrugaçe që s’vinte më kurrë
në shtëpi.
Fil (version më i vonë)
ua terrnin mëlçitë, reumatizmat për hisëll, stomakët me ulçer
në formë maçoku për cmirë,
(“thika të ndenjtë mu në mëlçinë!”)
blerë te Rrapi i Trishit, perëndim i pashpresë i diellit
përplasur mbi Dajtin me ndryshk mbrëmësor,
dhe një Vali ujëvarur rrugice avllirash që kishte prindër
dhe vëllezër dhe nënë me halle me erë prej mishi të varur
dhe mizash gjakse më këmbëngulse se qentë,
çpuar gjakisht në çengele kasapi, po them për mishin
mbërthyer përjetë, hallet e grave, në grepa përbindshi,
(përkundër qenve, hekuri kur rrihet bëhet më i keq),
çupat nuk ishin si vajzat, çupat ishin thelb i hallit,
zakonisht në pasmoshë si pas kodrës me stalla,
ku na thoshnin mos shkoni, ka gjarprinj e thithlopa,
me moshën të ikur çupat, diku e që s’vinte,
nuk kthehej në darkë në shtëpi, u bë vonë, mbeti udhëve,
as mosha nuk kthehej, as “burri” nuk vinte,
i vërtetë nën qemerët e pritjes ngjyrë gri,
por shfaqej si rreth i zi a si kryq Berati,
kalorës, ushtë e drejtë, për kryqëzim të fatit
të strukur e padalë nga parvazi, sepeti e pragu,
nuk dilte, fati, nuk ikte si mosha rrugaçe
moçali të zi plot krokodilë e tarzanë të varur
në varëse lisharse në qafa vejushash,
“hallexheshash” beqare me flokët romuz,
me këmbët parruar – vëzhguar nga unë
përshtypur, gërgarë nga qimet e grave,
sidomos në kërcinj dhe sqetullat si zogj,
dhe pandehur nën brekët e fryra të Adës,
që ish më e vogël, por që Çimi i ndritur
bënte be e rrufe se “i ka zënë lesh”
si buka zë myk në bufetë jo profilaktike,
për leshin e zënë, gufmues, siç doli më pas,
por të vimë tek filxhani dëshmor për fallin e ditës:
shoqe e mamasë me flokë permanent,
diçka e ndiqte, e keqe, si qen i Hamdiut
përkundër babait, natyrisht armiqsor,
me driza romuzi, alarme në vetulla,
syçelët se gratë kur bëhen dy, komplotin
“hallexhesha” me hungërrimë prej babai,
ndërsa e liga mjekrën murrmomte, shikimin
ia bënte mishngrënës nën vetullat si ferra,
këto punët e grave ardhëse përndjekur
nga hallet kanine të grave, qen hungërritës
mbi Vlorë, prej erës së hallit, mëlçi përpëlitëse,
në vishnje të vrenjtur sikleti, e mbyllur në turbull,
ku lëngjet e jetës bëhen si sumbull
dhe gurë në veshka, dhembja e dytë pas lindjes, biseda mamaje
që ende besonin që unë gjë s’kuptoja, ngashnjim i spiunit
që bën sikur sheh nga dritarja për mëllenja mbërdhace,
por mendjen e ka te filxhanët dhe nga graria me halle interesante
aq të kuptueshme në t’pakuptimtën e tyre saqë bëje habi
se si aq të thjeshta gjërat të rriturit, dhe prapë aq serioze,
i kishin sa ua terrte mëlçitë, reumatizmat për hisëll, stomakët me ulçer
gërryer nga maçi i zi për cmirë,
No comments yet