Thursday, January 12, 2012

Kall Khan


Strofkë e ftohtë, drangull. Ujku plak tregon përralla për të nipat, t’ua heqë urinë nga palcë e mendimit. I biri dhe e reja duall për kismet. Prapë do vijnë pa gjë. Mishi i të ftohit malcuar në vjollcë. Thëllim’ i kallkanit si flak’ e të nxehtit, borë i bardhë sefte, mori në të kaltër, e pastaj mavi… e kur ashkla akull hyri nëpër mish, ktheu si në vishnjë.

Vjeshtrat u mbaruan, ndanë paratë hajdutët, grryen strofkat ujqit. Tani është e s’është, se pyll a se fushë, se fushë a se ckërkë, shkurti mardh gëzofe, qull shallet e zogjve. Në barqet e ndjeshëm pushrralluar vdesin lloje të pavdekshëm, lëkura e jetës humb të kuqtë e zbehet, rozë e mekur tkurret, avulli dihatet, edhe ndiqen ujqit.

Ujku plak prrallis. Parajsat e humbura, kohët e lumtura, delet kërkimore. Shkëputur nga tufat. Plot robinja-bardha, varur sjellë në qafa, bashka leshra arta, plaçkë bjeshke, zulmë. Një ulkonjë u-shqeu dy kërthinj njeriu. Që u bënë gjindje, popull i madh shumë. U bënë kryepopull me kryeulkonjë. Papo paskëtaj ky popull u rrënua. Bota u errësua. Shqerrat kërkimtare, që ndaheshin nga tufat erdh’ e u rralluan…

Nipat lodhur koten. Boshi ftoh më shumë. Dac i zhveshur qielli si prosti pas ujdisë yje nuk pulson, nuk pulsojnë krongjijtë, krahë të një meiti, asgjë nuk fton kënd, cullak qielli s’grish, veç Hëna e dëften pas gardheve të pemëve… o cinizmë kozmike; zemërgurësi femre. Cikna hidhërohet. Rokan Ujku plak.

Mbase bëmë gabim që hanim kë shkëputej, nëpërdhëmb, dhe lamë kështu që të shtohen vetëm soje tufe. Do ta flasë mendimin, por e ndjen që nipat s’po dëgjojnë më. Kështu vdes përvoja, mendon pikëlluar. Këputet hallk’ e dijes. Si loti që nga çurg pritet bëhet pikë.

Dikur dëgjon zhurmën e birit në kthim. Prapë pa prè e plojë. Me zgavër ne gojë. Bishti i një kafshe zhduket në një çarje të panjohur strofke, venitet nëpër ajër një zbehje meiti, vdekja dora vetë, zbriti pa u ndjerë qilaret e nëndheut, dyert e hekurta i mbylli pas vetes me shule të vjeter, me donotdisturbus. Natë e mbijetuar. Asnjë gjë a gjëzë, gjuhë ulkonje, jerm, fall latin, një fallus. Cmirë melankolike: arinjtë e flenë dimrin. Ca specieve u ecën! Prapë edhe gjithnjë. Prapë edhe gjithnjë. Prapë edhe gjithnjë... A-uuuu…

No comments yet