Sunday, January 29, 2012
Etude crude – Deda
Deda ishte shofer skode me rimorkjo dhe vinte shpesh për ngarkesë në fabrikën e tullave, ku unë punoja në brigadën “ngarkim-shkarkim”. Ishte brun, vinte i hollë e pak i gjatë, e nuk kish shumë mish në faqe. Sikur sapo e kishte përshkruar Naim Frashëri. Si shofer skode vinte i ngarkuar plot me legjendë, i jashtëzakonshëm, me sende të sjella nga vende të largta që bëheshin edhe më përrallore nga mungesa, dhe sidomos me kurva, të cilat i merrte në kabinë për t’i qirë në vende të cilat ne as në ëndërr nuk mund t’i shihnim. Kurvat i donin shoferët. Ky ishte një fakt që nuk diskutohej tashmë, e mësuam, më se një herë patëm parë syresh në kabinën e Dedës, ato nuk dilnin nga kabina, ndërsa ne ngarkonim karrocerinë, na dukeshin të paarritshme, njëra madje pinte duhan duke parë e përhumbur fushën plot me lloje të ndryshme tullash të kuqe, për mur, tuba drenazhimi, për cap dhe tjegulla. Dallohej që ato mezi prisnin të largoheshin një orë e më parë nga ajo gjë e shëmtuar dhe e mërzitshme deri në vajtim, siç ishte fusha e fabrikës, për të shkuar në ato vendet magjike, si prej sixhadeshë, me ujëvarë, lëndinë, pallonj dhe drerë të ngrirë, për t'u qirë me Dedën. Ky nga ana e vet ishte shumë mospërfillës, ai nuk mund të binte kurrë në dashuri me femrat e tij. Deda pinte duhan, DS “të Durrësit”, dhe pështynte gjithë kuptim. Ai ishte mospërfillës ndaj kurvave, të cilat ishin mospërfillëse ndaj nesh; kjo e tregonte fare qartë epërsinë e padiskutueshme të tij, më shumë se patenta e naftës, e cila ishte më magjike se një patentë aviatori. "Ka të naftës" – ishte si një gradë ushtarake gjeneralismi. Kurvat në anë tjetër kishin gjithashtu patentë, por të papërcaktuar. Ajo kabinë ishte pra diçka prej jashtëtokësorësh, shpikje qe mbahej e fshehtë për të mos ulur çmimet dhe fitimet, një imoralitet molepsës si hedhja e ushqimeve dhe kafes në det kur populli kish uri, siç kishim dëgjuar, prej kapitalisteve, ishte gjenialitet, kasafortë, top secret; ishte e patentuar.
Por Deda nuk e tepronte shumë me shpërfilljen e sipëranit, kishte raste që afrohej me ne ngarkues-shkarkuesit që punonim në skuadra katërshe dhe ia mbushnim skodën me rimorkjo me rreth katër mijë tulla rënkuese, të cilat vinte t’i numëronte më pas pijaneci Xhodë (në fakt Xhevdet, përgjegjësi). Deda nuk arrinte deri atje sa të na sajdiste me cigaret e tij me filtër, pasi çdo gjë ka masën e vet, por sidoqoftë, vinte dhe na begeniste kur nuk kishte gjë më të mirë për të bërë. Ankohej se e dëshironin femrat shumë, kishte dashnore në çdo rreth, duhet me pas pesë kara për me ua dalë të gjithave, thoshte si me ankim, me të folmen e tij nga veriu, që e bënte automatikisht shkodran në sytë tanë. Shkodra ishte goxha larg, në kufi me Italinë (dhe jo siç na kish mësuar profesor Shefkiu i gjeografisë), dhe atje përveç barcaletave, tregimeve legjendare për Gac Traboinin që konkurronte rëndshëm me Shik Stërmasin tonë të Tiranës, duhej të zhvilloheshin edhe shumë gjëra të tjera të ndaluara, kampionate pokeri në fshehtësi, duhej të kish bordello nate që ditën maskoheshin si furra buke, alkool ilegal, ndeshje boksi, shkurt në Shkodër duhej të jetohej bukur, por rrezikshëm. Ndërsa nuk dinim pse, por kurvat e Dedës, njëra nga të cilat siç pamë me mrekullim, kishte "çorape xhami", nuk duhej të ishin nga Shkodra, ato duhej të ishin nga qytezat e reja industriale me poshtë Shkodrës, të cilat kishin oxhaqe që villnin tym të hidhet me squfur, fosfor lajmesh me plehra, sekretarë partie me flokë gjysëm të rënë nga hallet dhe urtësia, të sapo dalë nga filmat me Ndrek Lucë, dhe fërnet mëkatar që shkatërronte mëlçitë e të dobtëve, por jo të kreshnikëve si Deda, që edhe kur pështynte, ishte i admirueshëm. Në Shkodër duhej të kishte koketa, ose kurtizane me mëndafsh, një fjalë kjo që mundoheshim të gëlltisnim pa e përtypur mirë prej një libri të Balzakut.
Ne ishim disa të rinj, ose stazhierë gjimnazi, ose djem nga Tirana që nuk ia thanë për shkollë dhe prisnin t’i merrnin ushtarë sapo të mbushnin moshën pas tetë vjeçares, që punonim në ngarkim-shkarkim. Ngarkues-shkarkuesit e tjerë, burra nga fshatrat përreth, nuk denjonin të bëheshin skuadër me kalamaqër. Me ne punonte vetëm Qerimi, më i vjetri ndër ngarkues-shkarkuesit, që ishte prej qytezës fqinjë me fabrikën. Burrë i urtë me gjashtë fëmijë, i ardhur nga Kolonja, me përkorje jabanxhiu hallexhi. Kur shikonte Dedën që vinte nga larg – makinat ishin aq të rralla, saqë gjithkush e dinte qysh një kilometër tej që po vinte Deda veç prej uturimës së motorit, ose nga vetë pamja e skodës – Qerimi fërkonte duart me gëzim, duke thënë “hopa, doli edhe një dyzetshe”. Dyzetshja ishte buka “e zezë”, aq kushtonte me të vjetrat, dhe ai e blinte të zezë që kalamajtë të ngopeshin shpejt dhe me pak. Dhe pikërisht Qerimi një ditë, në ato afrimet fatlume të Dedës, i tha këtij atë që ne nuk e prisnim prej tij: “hajde Dedë, hajde, me çorape xhami i ke dashnoret”! U ndje një si thyerje, afrimitet i huaj, kafshë ekzotike, rriqebull, me thonj të mbledhur. Por Deda ishte i pamposhtur. Tiran. I hekurt. Ia kam dhuruar unë, tha. E kishim lan nji t’pallume për nji palë çorape. Pështuy, pastaj vijoi: e pallova dhe i çova vetëm nji çorape, demek e kisha harru tjetrën pa e marr’. Dhe na shkeli syrin gjithë kuptim ne të tjerëve që e dëgjonim si ndjekësit guru-në. Bota ishte e ndërlikuar, na u deshën disa minuta të kuptonim ç’donte të thoshte Deda me atë shkelje syri, të cilën bëmë sikur e kuptuam menjëherë, respekti për Dedën na u shumëfishua, ndërsa Qerimi vazhdonte ta shikonte në mënyrë pyetëse-buzëqeshëse-nderuese, duke pritur ndonjë sqarim plotësues për punën e çorapes së harruar.
Gruaja nga kabina po vështronte si gjithnjë me përbuzje fushën me tulla, por tani miti i saj kishte rënë. Çorapet e xhamit ishin kapur e gërricur në anët e ashpra të shumë tjegullave, nga ato që na i kishin zhvoshkur gishtat tregues prej kohësh e na i kishin vrazhdësuar asisoji, sa që ngulnim për qejf gjëlpëra me kokë në ta si në jastëkët e veckël të mamave tona, dhe gjëlpërat rrinin për bukuri të ngulura. Çorapet e xhamit mund të mbulonin tani shumëçka, por vetëm kofshë pasionante këlthitëse prej kurve të paarritshme nuk mbulonin më.
Kur mbaruam së ngarkuari edhe rimorkjon, pritëm Xhodën fytyrëkuq nga alkooli të numëronte tullat. Deda u afrua me cigaren që digjej ftohtë. U hapëm vetiu në formë amfiteatri. Deda nuk mungoi të hidhte vështrimin botor mbi ne, dhe na pyeti: kush asht qejfi ma i madh n’kyt bot, burra? duke shpërndarë tymin e duhanit njëtrajtësisht mbi kokat tona. Ai tym mbante erë më të mirë se i cigareve me myk që pinim ne. Qerimi u bë gati dy herë të përgjigjej, por u bë pishman të dyja herët. Me një buzëqeshje që vriste butë cepat e zbardhur me pështymë të buzëve. Kur qi pidh? tha Niku, i cili ishte gjimnazist në stazh. Në prani të Dedës fjalët e ndyra ishin gati të detyruara, të vetkuptueshme, prej vetiu, të këshillueshme prej doktorit Hamdi Sulçebe. Mundësisht shoqëruar me të pështyrë qëndrim-mbajtëse dhe botkuptimore… edhe kur s’të vinte të pështyje. Jo, jo, i tha Deda prerë. S’asht ajo. Kur ha një qengj të pjekur, tha pas buzëqeshjes së tretë Qerimi. Jo mar burr, i tha Deda me vendosmëri. Kur bën pare në bixhoz?.. Jo, jo… Natyrisht nuk mund ta gjenim. Ishte e kotë. Erdhi Xhoda që numëroi tullat pa i parë fare. Ishte i mërzitur. Kishte pirë konjak me pulë, i detyruar, sepse rakia i kishte mbaruar. Ishte gati të zihej me çdokënd. Deda i dha një cigare, qe Xhoda e mori sikur po e dënonin. Me sakrificë. U këmbyen fletët e marrjes në dorëzim të ngarkesës mes ankimesh të mirëinformuara, kompetencë gjithëpërfshirëse dhe fjalësh të ndyra. Ne rrinim si të mpirë, ishim një klasë më poshtë se Xhoda dhe shumë klasë me poshtë se Deda që pas pak do hipte në kabinë, do fuste marrshet për t’u nisur dhe me siguri do e kapte “për shalësh” atë femrën pas xhamit me çorape xhami. Dhe vërtet u nis të hipte në kabinë. Qerimi na befasoi sërisht. Nuk na the, çfarë ishte qejfi më i madh, o Dedë, arriti t’i thoshte. Deda u ndal, u kthye nga ne, me begenisjen e fundit prej mentori shpirtmadh. Qejfi ma i madh asht kur dhitesh, tha. Fjalët ranë të rënda si pendë korbi pas krismës së gjahtarit. Moskuptimi ynë nuk ishte gjë e re, e re ishte mëshira që Deda po tregonte për ne. Sepse në vend që të kthente krahët e të na linte aty të shushatur në moskuptimin tonë të mjerë, na sqaroi: ma mir pesë vetë n’kurriz, se sa nji mut në byth, thotë italiani!
Kjo qartësoi gjithçka. Dera e kabinës u përplas përmbyllëse. The End. Pas kësaj duhej te frynte me patjetër erë fishkëllyese. Ne ndenjëm të ngrirë e përcjellës me sy. Skoda u nis rëndë, por jo nga tullat që i kishim ngarkuar. Kur ajo na u zhduk nga sytë, përpara u ndeh persëri fusha e pikëlluar prej Shqipërie të mesme me shi dhe baltë argjile, ku ne në mungesë të qytetërimit, dialektit geg dhe Shkodrës italiane (ça po din?), kishim bërë lirshmërisht e pa ditur gjë kulmet e qejfit, me garanci italiane.
Key words: klasë punëtore, stazh, edukim, mësim, kalitje, gjiri, punë prodhuese, farkëtim, kudhër, aleancë, klasë sunduese, aleate e natyrshme.
No comments yet