Saturday, January 28, 2012

Çyçkët – kronikë kuq e zi: Rrahimja (intersticiale femërore)



1.
U bë Shegushe’ Rrahmanit për burrë. E pata parë, që kur Minua i Duçëve po vinte si shumë nga Rrahmanllarët. Çne këto vizita! Kushëri, kushëri, po rruga s’i binte kaq dendur më parë. E pikasi duket Rrahmani. Edhe e dha Shegushen shpejt tek Novruz Strora. Djali i madh i Novruzit, Taipi, kërkonte grua, kish ca kohë. E ëmë e djalit, Sadetja, nuk kish dashur. S’e di, mbase ka parë edhe ajo gjëkafshë. Që Sadetja s’donte, këtë ma tha Erveheja e Hysniut, që rhyn e del tek Novruzllarët. S’kemi djalë për të martuar, sikur kishte thënë; po llaf është ky? Kur Novruzi e preu llafin, Sadetja u bë xhind, sa s’u sëmur. Se Nokja do të pastrojë haurin, ç’kusur kemi ne, kishte thënë. Ervehesë, kështu. S’e di ajo që Erveheja vjen e m’i sjell të gjitha mua. E, na u bënë evlati për t’u martuar, o Rrahime, më tha Sadetja një ditë, gjoja si me buzë në gas. Po mbushnim ujë te topilë e Dalanit. U hoqa sikur s’dija gjë. Të trashëgohen, u thashë. Do bëni davet? Epo është i pari, ma ktheu. Pastë këmbën e mbarë, i thashë,  u bëfsh gjyshe sa më parë. S’i erdhi mirë. S’foli.
E ku e di ti për Shegushen dhe të kushërinë? më pyeti Erveheja kur i thashë kështu kështu. Ia tregova se nga e dija. Një ditë pashë Minon që doli nga kasolle’ Rrahmanit. Po ky ç’do atje? Doli dhe pa anash mu si kusari kur largohet me gjënë e vjedhur. Aty m'u mendua që si shpesh po vinte sevdalliu te Rrahmani. Këto afrimet e papandyera s’më kanë pëlqyer kurrë. Tërë ditën doja një sebep të shikoja ç’kish në atë plevicë. Mora një dybek të vjetër, i them Mairesë së Rrahmanit, a ta le pak në plevicë’ tuaj? Vajta brenda, pashë, s’vura re gjë, kashtë, nja dy vegla dhe një but i vjetër, i ngrënë nga bërsia. Bëra të dal, kur më vanë sytë tek një shami koke me lule, që ishte rrëzuar mënjanë. Ah më të lumtë, o Shegushe, thashë.
Ervehesë i ndritën sytë. Tha si e menduar: kushërirë, o kushërirë, kur me qasesh më vjen mirë.
2.
Patëm për darkë Novruzin. Rregulloi çatinë në nja tre vende; u ndërrua një tra e plot rrasa. Edhe çatinë tonë në të parë tek Çyçkët, ai e navaste. Bëra një lakror, u godit mirë. U nxorra meze sefte. Pastaj vjehrri Isuf tha shtronani darkën. U nxorra jahninë. Nuk e mora vesh u pëlqeu apo jo. Sipas zakonit, kur miku tha “tjetër”, u shpura lakrorin. Novruzit i hahet muhabeti me Isufin. Savitën ca Miminin e Hysniut që Novruzi e kish gjetur duke llafosur me kaun në katua. Se pse po e xhugiste dhe kau i kish dhënë një zhëmbël. E gjetën tek po i thoshte “po ne s’e patëm kështu”. Jalla, o Noke… Erdhën në qejf, ia muarr këngës shtruar, me lezet.

Duke ndenjtur në menjtime
Muhameti m’u menjtua,
Muhameti me Alinë
Po i shtjenë terezinë,
Lagje lagje si shigjetë
E shpjenë ujët drejt përpjetë.

Tjetër, tha prapë Novruzi. U shpura reshedinë. Novruzi duke ngrënë reshedi, zu e lëvdonte lakrorin. Duket i kish rënë pak rakia në kokë, mbase edhe nga lodhja. Do jetë miell i ri ky, tha.  Që kur ka ardhur mullixhiu i ri, e bën miellin të paqmë. Mielli ish i vjetër, e pat bluar mullis Qerimi. Po s’mund të thosha gjë. Tjetër, tha Novruzi. U shpura rehani. Kjo do të thosh që darka mbaroi. Po mblidhja enët e tepsitë, kur Nokja tha prapë “tjetër”. Epo tani, o Noke, vetëm ndonjë dhallë të tundur, se xhë të nxjerrëm më. Novruzi u turpërua, se e kuptoi, por sa para bën. U skuq. Se të nesërmen në shesh të xhamisë, dihet që do i thonë, e o Noke dhalli. Çudi si del llafi për savitjen. Edhe sikur asnjë të mos thotë gjë, ata jashtë do e marrin vesh. Si e qysh del, s’e di, por del.

Ja Baba Fetah, në gur e në drut të ligën.

3.

U rrah Ilasi i Ladinëve me Bidon e Cergëve. Në mulli u rrahën, jo siraja tënde, jo timja. Të themi atë që është, Bidua e ka shtëpinë larg, kur erdhi gjeti vetëm thesin e Ilasit, që kish shkuar në shtëpi aty afër, pastaj Ilasi u kthye, e kam unë radhën, tha, jo ti po unë, popo Bidua i mbetet me bisht të cfurkut, e bëri thjamë, e muarr hipur në mushkë e çuan në shtepi. Mullisi është një djalë i ardhur nga Përmeti, kaurr, flokëverdh e dërrdëng, qesh me cep të buzës kur sheh ndonjë vajzë, kam vënë re. Por për tjetër sikur s’ia thotë. Të kish qenë Qerimi, ndjesë pastë, do i kish dhënë udhë punës, po ky i riu jo. Duket mendje e hasharitur. Zaten këta syshkruarit e kanë vërtet si të shkruar në ballë. Mirë që u gjend një djalë nga Duçët që i vuri duhan në plagë Ilasit. Ja u shtua edhe një hasmëri e re, u bë një kohë që s’kishim dëgjuar sherr e shamata, zgjati shumë.

Erdhi Sadetja me nusen e të birit dhe bëmë ca tërhanë  përjashta, hapëm pëlhurat, e vumë tërhanën të thahet e bëmë muhabet për haberet e fundit të fshatit. Sofia kishte vajtur në të parë në Myftaraj. Myneverja prapë me barrë, bën të nëntin me këtë. Sytë më shkuan padashur tek barku i Shegushes. Belin si unazë, jo jo, dukej që s’kish gjëkafshë, gërshetat rritur edhe më. Sadetja bëri sikur nuk më pa. Shegushja rrinte si në gjemba, duket që nuk shkojnë mirë me të vjehrrën, m’u bë e reja si një  thëllëzë që e ruan sqifteri. Çupë e jo nuse, nga gjiri i vinte një afsh si i tokës që pret ta lëronç. Ah të rëntë qimja, o Taip, thashë me vete. Po mollën e mirë breshka e ha gjithmonë, xhanëm. Lumja ti që nuk ke pse vete në të parë në Çyçkë, o Rrahime, më tha Sadetja sa për të ngarë muhabenë që u lidh komb. Është mirë kur martohesh në mëhallë. Dhe pa nga Shega, por pa qeshur. Nursëze, si ajo. Shegushja s’foli.
Abas Ali, të qofsha falë që nuk më dhe vjehrrë me xanxë, dhe edhe burrën ma dhe si lis.

4.

Vdiq Mjaftonia e Hysërve. Kësolli qe më i hidhur se marsi plak. Frynte një thëllim që të pikte. Nuk kam parë kësoll më të zi. Nuk se qe i madh, por helmin e kish të lig. Mjaftonia vinte nga Stambolli. Dritë e jo femër, s’kish parë fshati asi grua. Zonjë. Këto gratë e qytetit seç kanë një hir e nur edhe kur s’janë të bukura. Nuk di nga u vjen. Ajo lindur në Stamboll, i ati shkuar në kurbet, goxha familje me katandi; e mbrothët. E martoi i ati në Shqipëri, të mos humbi gjaku tha. Solli pajë që andej sa ajo e di. Makinë qepjeje. Plot arzualle. Thoshin që fytyrën e bënte me lloi lloi tertipe, por nuk ish zonjë e rëndë, të fliste me terbijet, nuk qesëndiste, të begeniste, fliste ndryshe nga ne, por kuptoheshim mirë. Ra në derë të mirë, dhe i shoqi Zyhdiu, e mbante mirë, por unë e dija që nuk ish për Zyhdiun ajo. Nuk ish për Vërzhezhë. E mundonte një hall i madh gjithmonë. Nuk ish fatkeqësi e mynxyrë, por një mërzi e pashuar, siç të ze ndonjëherë kur nuk ke gjë në dorë e ke kohë të mendohesh. Ç’maraz kish nuk e di, e mori me vete. Nuk jam mirë, i kish thënë para ca kohë Ervehesë, por pa i thënë më tej ç’kish. Nga jashtë s’dukej, e pastër dritë, tamam zonjë për kapellë, thosh im vjehërr, Isufi. Për të s’të vinte të kishe haset e maraz. Nuk ngjiste gërrhinda. Sa herë e shihja, më vinte në mend ajo kënga

Ke dalë e më rri, në sofat të kishës,
Më e bardhë zotrote se jakë e këmishës.

Tani ajo e bardhë u bë prej meiti. E shpunë në Korçë për ta mjekuar, i kish dalë një gjëndër në grykë që s’e lij të fliste e as të merrte frymë. S’i bënë dot derman. Dy fëmijët që la pas, djem të dy, rrinë si dy zogj dimri. Zyhdiu u bë vrer, rri pa thënë një llaf edhe me orë, kështu thonë burrat që mblidhen tek dyqani i Janit,  nuk shkon në davete. Kur e kandisën më në fund të këndonte, ai ia mori: “s’ta dal dot o me të qarë, por me të kënduar”.
Ajo xhenaze la një hije që u hoq ngadalë mbi fshat. S’u mor vesh nëse e kishte për të apo jo këngëtori me nam i fshatit, Demiri i Faslliut, kur e ngriti këngën:

Dielli zuri fshanë, zotrote pa ngritur
Opopo i varfri, sa jam i mërzitur
Zoti të kish dashur pa të kish selitur
Mjeri, unë i mjeri, sa jam sëkëlldisur
Të më falç kusuret, në të kam bezdisur.

5.

Erveheja më tha që Shegushja e kish ujdisur me mullisin. E sigurtë, tha. E besova menjëherë.
Tani nuk mund të rri pa e parë Shegushen si dikur, me të kushërinë. Erdhi një ditë tek ne, pa të vjehrrën, folëm një cope herë, foli si e turpshme, gati mu dhimbs, nuk them dot thëngjill i mbuluar për të. Më pyeti gjatë për nusërinë time, dhe u bëmë të afërta papandehur. Sikur kishim dhjetë vjet miqësi të ngushtë. E di që nuk shkon me Sadeten, i thashë. S’foli.
Kur u ngrit të ikte, i thashë të vinte prapë. Mirë, më tha.

6.

Më në fund një ditë ia thashë që e dija atë punën e mullirit. S’ia mbaja dot. Ajo vinte gjithnjë tek ne, Sadetja nuk e pengonte, dhe kishim folur plot gjëra, më tepër për Sadeten. Shegushja u bë flakë në fytyrë. Kush ta tha, pyeti. Mos ki merak, ia ktheva. Nuk të del gjë as nga unë, as nga ajo që ma tha. Por ki mendjen.
Ajo uli sytë. Nuk është siç e mendon ti, më tha. S’më erdhi mirë që po mundohej të ma fshihte. Por ajo nuk donte të ma fshihte. Tha që kishte shkuar vetëm një herë. Do bluaja ca grurë, tha, dhe e doja të imët, për bakllava. Millonai i kishte thënë si bakllava je vetë. Ajo: ç’janë këto fjalë. Ai kish vazhduar që do na duhet gjatë ta bluajmë të imët. Do të na duhet here gjermë në sabah, për ta bërë të imët, si për bakllava. Ah këta sevdallinjtë e Përmetit, mendova. Pastaj e pyeta me të butë, po pse Shegushe, pse?   Dhe po prisja të më thosh gjëkafshë për të shoqin, për netët e ftohta në jatak. Sepse siç thonë “nuk është grua për dyshek”, ashtu duhet të ketë “nuk është burrë për dyshek”. Doja t’i jepja hakë, nuk e kisha menduar kurrë, por m’u dhimbs. Por ajo prapë më habiti. Atë ditë më kish mërzitur shumë Sadetja, tha. E pashë si e shastisur. Për punë të një çyreku, vazhdoi. Doli i shtrembër prapë. Por as ish rrëmbyer, asgjë. Tërë ditën ajo punë. Çyreku i shtrembër, e s’kish gjë tjetër. E ndërpreva, i thashë Shegushe, të pyeta pse shkove me mullisin. Më pa në sy, për herë të parë si barabar me mua. Po atë po të them, tha. Pra nga Sadetja ti?.. e pyeta e çuditur. Qeshë mirë gjithë atë ditë më pas, ma ktheu. Asnjë fjalë s’më rëndonte më, gjëkundi hiç. Sadetja u hutua, se e pa që s’po më vriste më si më parë. Dhe s’po e merrte vesh si e qysh qe puna. 
S’dita ç’ti thosha. Pimë kafen dhe kthyem filxhanët. I gjithë filxhani i saj u mbush me vjehrra xhada të zeza dhe mullisë të kuq pas mokrash që rrotulloheshin me gërvimë, sikur s’dinin gjë.

7.

Kaluan disa pranvera pa luftra dhe disa vjeshtra me dasma në fshat. Bëj çudi se si ngjan kaq shumë viti me vit. Më kanë dalë thinja. Evlati s’po më lodhin më aq. Por m’u shpif përdhesi, do bëhet një gjë sebep, s’të lë Perëndija pa një gjë. Po shyqyr të jetë vetëm përdhesi, thuaj. Sa herë bluajmë bereqet në mulli, shoh përreth dhe shoh hijen e Shegushes, që i bie shamija si dikur, me lule, në atë plevicën me kushëri. Shegushes i shkon të shkojë me burra, thashë me vete. Më erdh maraz që mendoja gjëra të liga si këto, që nuk do i thosha dot kurrë me zë të lartë. Por e dija qe Shegushja shkonte të bluhej sa herë kish ndonjë sherr me të vjehrrën. Dhe Sadetja nuk ish e përtuar për sherr.
Koha shkonte rreth e rreth si rrotë e mullirit, duke u ankuar me gërvimë sikur i dhimbte diçka. Koha kish përdhes, si unë.

Një natë janari erdhi haberi që Sadetja vdiq. Kishte lënguar një javë, i dhimbte gjoksi. E pata parë edhe vetë, i shpura një dorë çaj mali.
Kësolli u bë i qetë, i hidhur si një kafe e djegur shumë. Për çudi Shegushja ishte shumë e pikëlluar. Nuk e kisha menduar kurrë që do pikëllohej  aq për Sadeten, dhe që do i shkonte aq shumë pikëllimi. Dhe e zeza. Ajo gushë fildish si e pahitur me miell për bakllava.

Kaloi një muaj. Shkurti erdhi me një borë flokëhollë, që të ngritët e lëmon si qafë pëllumbi. Shkova të merrja nga mulliri ca misër që e kish shpënë dje im shoq. Pashë dikë që kthehej nga rrugë e mullirit duke ngarë një mushkë të ngarkuar lehtë. Ishte Shegushja. Purpurin në faqe s’ia kish shtënë të ftohtët. E pashë në sy, më pa, dhe nuk i folëm dot njëra tjetrës. S’kisha ç’thosha. Të gjitha kokrrat e fjalëve sikur më ishin bluar nga  mokrat me gërvimë të vjetër ujrash.

No comments yet