Saturday, December 31, 2011

Janari me 21


A mund më t’më thuash që baraz do jemi pas vdekjes?
Që rruspa e saj rrafshon tepritë dhe mbush lugthet e skamit
Me argjilat gri e qull të ligatinës jetë, a mund t’ma thuash
Demokracin’ e vdekjes me nja katër fjalë të ngrohta prej vëllami,
Se ftohtë po kam, o mik që m’u ftohe, sëmurë po jam, o vëlla që m’u s’mure, o vetje
Që m’u vrave me njerëz nga njerëz që s’kish pse t’i urreja
E as mëshiroja, se s’dua kur bëjnë t’më vijë keq, gjithë sheshet e botës
Zgjasin duart lypëse prej krize të zezë, t’i shtrojnë para këmbëve të dhimbshmet,
Çdokush shekspir i vuajtjes së vet, virtuozë marketimi të vuajtjes, aktorë,
Të mbyt shall i kashmirit, e ngrohta, e buta, sikur dhe gjithë mynxyrat e botës anëudhës,
Çmeritur hapat e tu ikin fuqishëm, palltoja jote e plotë dhe këpucët e rënda gjermane
Të tërheqin duke shkelur këlyshët e zgjuar t’mëshirës q'angullijnë e mbyten si mace kërthi
Me thonjtë e pa dirsur, nën kishat e qendrës rebelohem si t’isha stërnip i Lutherit,
Me mollza prej guri, me zemër si strrall i ftohur, me egon mbështjellë si kurvë në pellushe,
Nuk dua t’më bëjnë t’më vijë keq, se bota m’është gjer në fyt
Në borxh e gjithfarë veresiesh, dhe mbahem me thonj e me dhëmbë pas xunkthit t’Arsyes,
Ec djathtas, djathtas, djathtas, domosdo, trotuar ndrro, tramvaj, linjë avioni, djathtas,
Në kah pozitiv, rreh pulsi i plusit dhe shall i kashmirit si faqe eunuku i butë
Më thotë që bota s’është fair, dikush do qajë, dikush do qeshë, aksiomë e arushës së madhe
Vjen e pingultë plot me trekëndësha fiksues alienë që s’pranojnë dhurata e as negociata,
Dëgjoj hapat e mi e jo fjalët e lypsit, vesh i stërvitur mund të shpërfillë e diskriminojë
Tonet e larta atëhere kur duhet, të zgjedhë të ulëtit, trak-trak
Pra hapat e mia mbi asfalt, vjedhur nga tituj librash, natyrisht,
I thatë si fletë eci shpëtuar, po vjen janari, muaj i zengjinëve, i zonjave që s’duan telashe,
Resortet e skive që ethen s’ua ftoh kompresë e dëborës,
Janari më kap për mënge si dorëza e derës xhaketën që ndodh kur ke borxh,
Ç’borxh të kam, i grindem erës që fryn në mesoren e dimrit, ç’kërkon
Që trumcakët e gëzimeve të vogla me kafe vieneze, espresso parisi, e çaj prej londre
M’i tremb si kukudhe!?
Çadra shkalafitet nga era, s’bën për bastun, nuk bën për armë, e flak bulevardit, flamur i bezdisur,
Jam dezertor, leshi anglez i palltos më laget me një shi që vjen nga Shqipëria, e njoh nga era dhe kripa,
Qull e rëndë shpatullat dërrmon, pallto me shi si qafore ushtari,
Bën pyetjen që s’doja ta dëgjoja si pyetjen që s'di në provimet e shtetit:
A mund t’ma thuash demokracin’ e vdekjes me katër emra të ngrohtë?
(Qan qielli me lotë të ftohtë, një hark dredh telat e ditës, gërvishin pergamenat katër ungjillorë,
Radio e ditës si fyt prej idioti këndon pa ditur se ç’thotë, ca tituj të vjetër nga Fabulous Four).

No comments yet