Thursday, December 29, 2011

Fjetorja


Kështjella mesjetare gotike është bërë hotel luksi dhe ngrihet madhështore aty pranë; hija e saj ndehet nëpër ajrin e natës, ajri përreth saj nuk është si prej fshati, është prej country club, country club… po, është fjalë e huaj, por hë provoje ta përkthesh në qofsh i zoti, në çdo gjuhë, nuk mundesh, prapë tek country club do vish, tek lëndina angleze, tek shiu anglez, tek dyqanka që shet pajisje golfi, ku edhe rombet nëpër bluza, edhe punimet artizanale të këpucëve, edhe qetësia si prej çaji me biskotat “after eight” duket sikur sapo kanë mbrritur nga gjithfarë fisnikësh britanikë me të folme prej BBC world service. Ca më tutje fillon fshati, lokalet me birre lokale, shajaku i bujqve organikë dhe shakatë pa kripë të tyre, po aq të trasha sa shajaku, atje mund të ndihen krijesa natyre të livadheve, gjithfarë tërfilesh polenore dhe ketra vere, por këtu, afër kështjellës së luksit, si të kish një cipë mbrojtëse, nuk depërton asgjë e tillë. Edhe ketrat sillen ndryshe. Edhe stalla e kujave per hipizëm është e tjetër lloji nga ato të fshatarëve, kuajt janë të veshur me pardesy, e dine që janë racë e zgjedhur, jane kuaj të ndërgjegjshëm.
Bujtësit e fundit me mercedesat e rëndë S500 jeshil të errët kanë kohë që kanë ardhur, ata janë futur në dhomat e tyre të bollshme, kanë kontrolluar banjot, muret me shikimin e mprehtë prej klienti që paguan shumë dhe kërkon shumë, kanë dale në holl, pastaj kanë darkuar dhe janë ngjitur përsëri ne dhomat e tyre me mbrëmjen pas krahëve. Është kohë gjumi. Kamarierët dhe shërbyesit largohen ngadalë një pas një ose në grupe të vogla si hije nga kështjella për të vajtur në fjetoren e caktuar për ta aty pranë. Kështjella rrezëllin më e ftohtë nën hënën e akullt teutone tani; gjatë natës ajo i përket vërtet të zotërve, merr një hije edhe më të rëndë, aty flenë te rëndësishmit që paguajnë, ndërsa vegjëlia, gjithfarë kuzhinierësh, ndihmësish, pastruesish, masazhuesish, shitës në butikat e brendshme, punëtorë në sallone bukurie, përgjegjës katesh etj., kështjella i nxjerr jashtë si trupa të huaj natën. Ata shkojnë tek fjetorja, që me siguri ka qenë e tillë, vend shërbyesish që në kohet e vjetra. Kjo duket açik, pasi fjetorja është një rrëgjim i kështjellës, ndoshta diku gjetkë ajo do jepej si një godinë normale dykatëshe, por pranë kështjellës ajo është vërtetë një banesë e përunjur. Ajo nuk do mund të quhej kurrë ngrehinë. Mbase ultinë. Nga jashtë fjetorja duket si një shërbyese e përkorë në jetën e vet.
Punëtorët pothuajse kanë ardhur të gjithë. Ardhja e Ushit është shenjë e sigurtë që ndoshta të gjithë janë “në shtëpi”. Ushi është kujdestare e pishines. Dhe mësuese noti. Edhe kur punën e ka lënë pasdite dhe jo në mbrëmje vonë, Ushi vjen e fundit. Ajo sjell një ajer prej lokali nate dhe flirti. Rrobat e Ushit janë gjithnjë pak më të ngushta dhe zakonisht të bardha. Ajo s’e tregon pothuaj kurrë dehjen, vetem kur është dehur shumë, me ç’rast ajo thërret “je t’aime” herëpas herë duke hapur krahët si aktore. Më pas që nga kthina e saj dëgjohet një dënesë që nis e fortë dhe shuhet ngadalë nëpër natë. Thuhet që Ushi nuk është mirë nga nervat, ç’ka e bën atë jo vetëm prima donna-n e fjetores, por edhe më të dëshirueshme nga meshkujt e kësaj, të cilët me siguri masturbojnë për të, sidomos teksa e qara pa shkak e Ushit shuhet nëpër natë. Dënesa le dhomën e vet, endet në korridore dhe troket verbtaz nëpër dyer derisa diku ia hapin, meshkuj të vetmuar që e zhveshin me mend tingullin nga ato pantallona të bardha që shtrëngojnë. Gruaja bëhet aq e arritshme, pasi e qara kërkon ngushëllim, të cilin ata janë gati ta japin me shumë bujari, Uschi… Uschi… Muschi… bëjnë rimën që vjen aq vetiu, si një poezi mjeshtri të rilindjes.
Zdravko ka ardhur para Ushit, me siguri i dehur, mllefi i tij është i një lloji tjetër, ai është ndihmës në kuzhinë, shefi i tij nuk e respekton sa duhet, dhe Zdravko nuk mund të ankohet për përbuzje nacionale, pasi shefi i tij është martuar për dreq me një bashkëkombase të Zdravkos, dhe ata shkojnë shumë mirë, dhe të të iki nga dora karta e shtypjes nacionale, kjo është një humbje e papërballueshme, dhe Zdravko e ka mbajtur tërë kohën sharjen nëpër rropulli si një gaz bezdisës që nuk mund ta nxjerri faqe të tjerëve, e ka fryrë keqaz ai mllef gjithë ditën, deri sa më në fund ka ardhur në fjetore, ku është i lirë, në korridor lëshon më në fund britmën afshore: Rajnhard, ti je një vrimë bythe! Dhe pret me padurim dikë t’i dalë përpara, që ta pyesë vetë: nuk beson? Ja ta them unë se ç’është Rajnhardi. Dhe pasi e sheh thellë në sy, i kumton të renë dhe zbulimin që e ka aq për zemër çdo ditë, prej kohësh që s’mbahen mend: një vrimë bythe! Kjo e çliron dukshëm, pastaj fillon ankesa standard mbi gabimin e jetës së tij, atë fatalin, që nuk iku në Australi me kushëririn, i cili tani i dërgon letra ku pozon para shtëpisë së vet tre katëshe, ndërsa Zdravko duhet të kalojë jetën në këtë skutë të mjerë, për më tepër nën urdhrat e atij Rajnhardit… atij vrime bythe!
Tixha është shtruar, është bërë serioze, nga dhoma e saj nuk vjen asnjë tingull. Dashuron Albertin dhe do martohen së afërmi. Alberti është ndihmësi i parë i Rajnhardit dhe Tixha ka të njëjtën kombësi si Zdravko. Dikur Tixha ishte diva e fjetores, ardhja e saj natën shoqërohej me fanfara fjalësh bombastike, në më të shumtën të ndyra, të cilat ngjanin edhe më shumë të tilla ngaqë thuheshin me akcent të rëndë. Ndërsa tani është qetësuar, dashuron Albertin, shoqet bashkëkombase e dëgjojnë me respekt, Tixha u thotë fjale plot kompetence për jetën, të cilat zakonisht fillojnë me frazën “Alberti im”. Ndihet menjëherë pikëllimi i Zdravkos kur sheh Tixhën; për t’ia bërë rrënimin fundor, Tixha nuk pranon të flasë më në gjuhën amtare me Zdravkon. Kjo e bën këtë të shajë tashmë në gjuhën e vet. Pisku majku. Por asnjëherë ballaz, asnjëherë në sy të Tixhës. E cila është bërë një farë Kleopatre, një lloj sundueseje, që e tërheq për hunde Albertin, atë idiot sipas Zdravkos. Pëshpëritet sikur Tixha ka një tumor në mitër, nuk dihet nga ka dalë fjala, ato janë katër shoqe ballkanase që mblidhen tek dhoma e Tixhës ku kjo u sheh filxhanin, vetëm një shoqe duhet për të nxjerrë sekretin, e jo më katër… fanepsja e asaj lunge të lagët nëpër kanalet e organeve riprodhues të Tixhës e torturon fjetoren… prekja e dhimbshme nga organi i Albertit që e vijon pashmangshmërisht vegimin e malcon gjithë godinën, ajo çati fjetoreje bëhet një mbulesë e patharë plage, uh… s’qenka gjë as ajo “paç fatin e kurvës”.
Kanë ardhur nxënës për kuzhinierë, nga shkolla lokale që bëjnë praktikën në kuzhinën e hotelit. Të pashtruar, adoleshentë, fytyrëbardhë me pigment vendi, që u thonë me një emër në kufi të përbuzjes: Lehrling. Diçka prej rulit në ushtri. Ardhja e tyre në fjetore bëhet gjithë zhurmë dhe përplasje dyersh, aq shpesh i përplasin saqë duket sikur të gjithë kanë ngatërruar dhomat dhe dalin nga ato gjithë mllef. Pritet qetësimi i tyre. Dikur duhet edhe të flerë njeriu. Dhe qetësimi vjen. Te qeshurat e Fonit janë shenjë e sigurtë për këtë. Dhe dy përplasje dere. Të bëhet Natë! Gjumi përparon me vendosmeri nëpër mesore dhe futet nën dyer. Është gati të pushtojë godinën, siç ka pushtuar kaherë kështjellën. Zaten është selia e tij, nuk i thonë kot fjetore. Kur një zhurmë vjen nga një drejtim i pacaktuar. Përvoja fjetorse thotë që ajo zhurmë nuk është rastësore. Çka për vete do të thotë që do pasohet edhe nga të tjera. Ashtu është. Prapë një zhurmë këtë herë më e qartë. Dhe një e qeshur si prej gudulisje. Për hatër të Krishtit, është 3 pasmesnate. E qeshura shndrrohet në kukurisje. Është Foni. Më në fund një derë përplaset qartaz. Dera e Gerhardit. Merret vesh që po luajnë të dy. Pritet përplasja e derës së Fonit. Fjetorja rri me veshët ngrehur. Ajo derë s’po përplaset. Pritja është më e keqe se përplasja e derës vetë. Si punë e fundit të tmerrshëm dhe tmerrit pa fund. Por mbase s’do ketë më përplasje. Eh, të rinjtë e sotëm. Fjetorja bëhet gati për gjumë. Dhe pikërisht aty vjen përplasja, shoqëruar nga zëri kukurisës i Fonit: ti s’do ta bësh atë, ti s’do ta bësh atë. Ky është përkthimi i fjalëpërfjalshëm i haresë së saj. Zëri i djalit vjen më i mbytur. Ndiqen pak në corridor dhe qeshja vjen disi e paranushme. Por një përplasje tjetër e derës të kujtion që ora po i afrohet katrës. Dikush ulërin vetëm emrin si të rrokjezuar: Ger-haaardt! Pak qetësi, pastaj përsëri qeshje. Foni ka një lumturi që bën sikur nuk do. Gerhardi ka një dashje që bën sikur është e lumtur. Dialog nëpër mesore. Duhet të jenë shaka të hatashme pasi kukurisjet që i pasojnë janë të hatashme. Ora është përfundimisht katër. Foni!.. vithet e saj janë të plota si dhe gjoksi, ajo e meriton, ajo ka syze që e bëjnë edhe më inteligjente, domethënë seksi… por ora vërtet kaloi katër… Aty ndihet një derë që hapet me vendosmërinë e një krimi të paramenduar. Është Zdravko. Flet me akcent duke e kapur për jake Gerhardin e tmerruar më shumë nga befasia se sa tjetër gjë: “Po qije të shkretën që të biem rehat, edhe ju, edhe ne!”
Pas kësaj heshtja është absolute. Por ka vetem pak kohë për të fjetur.

No comments yet