Sunday, November 23, 2008

Donna Karan


Mos dhuro parfum!
Është ters.

Do të ndjekë aroma
E saj
E parapëlqyer
Dhe s’do shqitet
Më keq se gjaku
Nga duart e zonjës Makbeth.
Do e lash
Me lëngjet e rëndë të hakmarrjes,
Shira që s’dinë të lagin,
Konjakë që s’dinë të dehin...
Era e saj
S’do shqitet,
Erë Bullgarie largimi,
Rafinuar në Paris,
Shpërndarë në New York,
Shkalafitur nëpër botë si era flakur pa kujdes
Nga fronte të verbër
Me presionet e lartë
Atmosferikë
Të ndarjes.
Duhma hakmarrje
Si duhan pleqsh ballkanikë -
Me erën tënde
Po grish ndërkaq femra të huaja,
Depërton në mushkri të tjera
Aroma jote,

Ti hyn padashur
Në orvatjet e mia për harrim.

Nga shishja e vogël
E harruar,
Del djalli,
Parfumi yt,
Që përfundon
Në qafa tinzare
Me vetëdije bizhushë fallso.

Sa mirë që s'ishe modë -
Se ish një kohë,
Kur gjithë kuçkat e qytetit
Mbanin erë “Poemë”;
Poezia ngrinte fundet
E ngushta
Si perdet teatri meskin.
Nuk doja që Donna Karan
Të perfundonte në qafa gocash të lira.
Nuk se doja,
Besomë!




Friday, November 21, 2008

Këpucë


Këpucë të vjetra hedhur në qoshe,
Të lodhura nga jeta,
Shkëlqimvenitur,
Invalide,
Veterane,
Të dëshpëruara
Me lidhëset si litarët pas vetvarjes,
Dobì të flakura,
Keqkuptime lëkure,
Shtirje igeliti,
Armiqësi e këmbëve që s’i patë si u rritën -
Ju ende mendonit mirë,
Nuk patë
Si këmbët e njoma donin më tepër hapësirë -
U bëtë këmisha hekuri,
Vrarje të brendshme,
Çalime të fshehta
Diktatura kallosh u bëtë,
Bezdi të rritjes,
Pabesi ditësh me shi
Kur brenda latë për herë të parë
Ujërat e errët të netëve armiqsore,
Ftohmën e lagët;
Armike sidomos
Kur ishit të bukura,
Por nuk përputheshit,
Nuk rrinit tamam:
Oh, sa i hidhur ai gjak,
Sa e thellë ajo dhembje,
E pambyllshme ajo plagë!
O galloshe te vjetra,
Shapka rripkëputura,
Nallane avdalle,
Çizme vanitoze,
Arrogante,
Të parritshme,
Skarpina të pabesa
Si thika e kujtimeve hileqarë,
Këpucë të zakonshme si ditët pa emër,
Ditët pa hapa për t’u mbjtur mend,
Këpucë të fryra si bulçi
Që ripërtypin ndjenja të harruara
Pa i tretur dot kurrë,
Këpucë me dhembje urthi,
Me gozhdë pengjesh të lashtë
Që gjak ma bëtë
Tabanin e shpirtit,
Këpucë vrastare
Të çdo thembre Akili,
Hedhurvdekur në një qosh’
Pa emër
Si shpirtrat e mija binjake,
U skaduat,
U mpitë,
Me lëkurë të pandjeshme,
Këpucë.




Monday, November 17, 2008

I need to kiss you my way


Nata si hajdute me thes të çarë
Nga i bien yje të vjedhur,
Më largohet si keqbërëse.
Të vodhi ty
Se nuk po të gjej
Nëpër xhepat e shpirtit,
Kërkoj me dorë -
Nuk je.
Nata të ka vjedhur
Si hajdute.



Homo erecti II


2. Fatimja - çalamanka e hirshme

Fatimja banonte në katin e dytë të një pallati me tulla të kuqe të qytezës F, në periferinë veriore të kryeqytetit. Ballkoni i saj ishte një nga qendrat e pakëta fokale, ku sytë e ndezur të djemve vendas bashkonin rrezet e drejta kqyrëse. Ishte si një episod seriali televiziv dalja e saj në atë ballkon aq interesant, çdo tullë apo hartë suvaje e rënë e të cilit kishte një kuptim të veçantë. Fatimja ishte mundësi për amore, telenovelë, Pozdrav, intrigë, sepse ajo shikonte si ndryshe me ata sytë ngjyrë jeshile. E ka të shkruar në ballë, mër! Vdes për burrë. Ia ka qejfi. Me siguri ekspertësh përfundohej që kishte pasur, padiskutim, dashnor. Cilin? Eh, këtu pas psherëtimës gjithëditëse në vend të ndonjë emri konkret djali, dilte tymi i cigares “Partizan” thithur thellë në mushkri, përzierë me avull frymëmarrje dhe pezm djaloshar për të paarritshmen. Phhhh....tym dhe teori konspiracioni. Po shikoji bythët mër, dhe merret vesh. Prapanica e Fatimes siguronte për shthurje. Askush nuk mund të jepte hollësi antropometrike, se cila pjesë e prapme tregonte që ajo…, sidoqoftë djemtë e shikonin qartë që Fatimja kishte pasur dashnor, mbase dhe kishte ende, dhe se dashnori hipotetik nuk bënte pjesë në grupin që rrinte poshtë ballkonit duke pirë cigare, diskutuar kampionatin e fubollit dhe duke pështyrë hidhtësi nikotine dhe dëshire të djegur orë e çast.
Nuk diskutohej që gjithsecili prej tyre, po të donte, s’e kish problem ta shtinte në dorë, sepse ata ishin të gjithë të parezistueshëm, por ose nuk donin se kishin oferta më të mira nga fshatrat apo qytezat rrotull prej vajzash (yll të gjitha) misterioze që kurrë nuk përmendeshin për arsye diskrecioni, ose thjesht Fatimja nuk ishte tipi i tyre, se ata nuk hynin atje ku ku kishte patur të tjerë “vizitorë”. Ishte çështje integriteti… bythësh! Po ta shikoje hollë-hollë.

Sa më i panjohur dashnori i hamendësuar i Fatimes, aq më i vërtetë dhe më i besueshëm bëhej ai. Nuk ishte një krijesë ku kapërtheheshin ndjenja dhe baluke Romeoje. Jo, ai më shumë trajtohej fizikisht, si trup i ngurtë, si një matrapik miniere, si një qysqi e ndërmarrjes rruga-ura, apo, duke ia zvogëluar me keqdashje madhësinë, si një pykë, nga ato që ndihmojnë për të çarë drutë e zjarrit. Druri, ose kopaçja, me atë nyjen problematike të errët, që duhej çarë (medoemos), ishte Fatimja. Nuk ishte vështirë të përfytyroje një farë zgjerimi të saj, fizikisht, një krisë të pariparueshme, nën depërtimin gati të dhunshëm të një pyke druvari dhe një sqepari, myka e të cilit godiste verbërisht, tang-tang-tang... Sytë e djemve që pinin cigare ndanë udhës, që ishte edhe rrugë makinash, edhe orvatje për shetitore, e kishin fiksuar mirë, si mbi celuloid, atë gufmim dysh të ndenjurash që përvijohej pas pantallonave të saj, largimin tektonik të tyre nga njera tjetra, shkëputjen separatiste, disintegrimin, si zhvendosja kontinentale që e kishin bërë në shkollë, largim që mund të mos i binte në sy një vëzhguesi të pavëmendshëm, por jo atyre, që regjistronin edhe mikronin. Largim që tregonte aq shumë! Pantallonat që dëftenin më shumë të fshehta, ato me material doku ngjyrë gri, Fatimja i vishte më rrallë se dy të tjerat që kish, një palë kadife të verdha dhe një palë xhinse blu të errët. Ballkoni i saj ishte i hapët dhe nuk kishte përfunduar ende në ndonjë shtojcë kuzhine, apo aneks dytësor si ballkonet fqinjë, dhe shkak për këtë ishte një rrënjë hardhie, e cila ngjitej hareshëm në katin e dytë, nën përkujdesjen e vazhdueshme të babait të Fatimes që punonte në SMT. Djemtë e bekonin në heshtje atë pjergull, më e vlefshme se gjithë vreshta e fermës së qytezës, pasi ajo nuk e linte ballkonin të mbyllej me gjithfarë paretesh të neveritshëm, por e mbante të hapët, siç duhej. Kishte ditë, sidomos kur binte shi, që ai ballkon me moshapjen e derës, shndërrohej veç në një të dalë fatale tullash dhe betoni, një shtojcë mizerabël e pallatit katërkatësh, me ato dy tubat e nxjerra nga ku kullonte ujët e shiut, që binte nga lartësia me dy çurgje mjerimsjellës. Ishte si një pshurrje e pallatit mbi gjithë ëndërrat e tyre, të paracaktuara për dështim.

Kishte kohë që Fatimja dilte në ballkon me dëshirën e vetme të shikonte ç’bëhej në oborrin e ndërtesës përdhese përballë. Ngrehina – një depo e kurrfartë – nja një vit më parë ishte përshtatur në një institucion kërkimor bujqësie. Fytyra të reja hyn-e-dilnin tashmë nga hyrja e vetme me shkallë çimentoje ngjyrë gri të errët. Nuk ishin banorë të F. Ishin specialistë dhe gjysma e tyre banonin në kryeqytet. Shumica djem të rinj; dhe një grua me ta, e cila shfaqte qartë shenjat e shtatëzanisë. Dëgjonte të qeshurat e tyre të çlirëta, por nuk merrte dot vesh se ç’thoshin, sado që përqendrohej dhe mundohej të kapte diçka. Edhe kur era sillte ndonje frazë të rastësishme, ajo nuk thoshte asgjë. Si një eshtër fosile vetmitare që nuk e përfton dot skeletin e dikurshëm. Dinosauri i bisedës ikte me grupin, që dilte nga ndërtesa rreth orës katër e gjysëm për të kapur “pesën”, autobuzin e famshëm të tejngarkuar që i shpinte në kryeqytet. Me ikjen e punonjësve, ndërtesa shndërrohej përsëri në depo, ku magazinohej mërzia e pakufi e qytezës. Muhabetet e pafund të burrave nga dhoma e pritjes, vrazhdësia e baballarëve, meraku i pandryshueshëm i grave nëna për çdo gjë që lidhej me burrin e ardhshëm dhe sistemim-rregullimin. Stabilizim-asociimin. Me rënien “rahat”. Të gocave. Te dhëndurët.

Një ditë, ndërsa po përtypte frazën e pakuptueshme “Rezi, kurseje pasionin negativ“, që era e hodhi si një shall mëndafshi nga grupi në ikje tek ballkoni (drejt e në qafën e saj, si në një film hollivudi të parë “te jugosllavi”, me subtitra që gjithashtu nuk kuptoheshin), Ladi, një nga ata çunat që rrinin zakonisht poshtë pallatit duke pirë cigare, i doli befas te shkallët duke i zënë rrugën. “Mos më ik. Mos bëj sikur nuk do”. Djali kundërmonte erë alkool. Dhe parfum profarme. “Hap rrugën”! “Mos më bëj sikur s’ta ka qejfi. Të pres sot në orën tetë te magazina. E shkreta ti po s’erdhe”!
U fut në apartament, la bukën “dyzetshe” mbi tryezë, ndërsa rrahjet e shpeshtuara të zemrës nuk ia kuptoi njeri. Një kushuri, një tip “gdhendës” që mund t’i jepte një mësim të mirë Ladit, ishte aty dhe ajo u mat t’i thoshte. Nuk e bëri. Ai shalli i përfytyruar i mëndafshtë, në ngjyrë të blertë, (këtu filmi nga televizori bardh-e-zi s’e ndihmonte, e gjelbra ishte thjesht ngjyra e saj, ngaqë i thoshin se i shkonte me sytë), shalli që e kishte mbajtur rreth qafës gjithë pasdites, u çorr befas nga thonj të padukshëm edhe ata. Shkallët e hyrjes u bënë të pabesa, dhe fjalitë urdhërore të dala pak më parë nga figura e errët e djal(l)it duhano-profarmas, kërcunj kërcënimi të shkurtër prerë pjerrtaz, thyheshin me shkallët, në numër ters edhe ato, 13 të tilla. Thyheshin duke kërcitur si shkarpa të thata atë pjesëzën urdhërore negative “mos më...”. Hyrja e pallatit, e gjithçkaje, e lajmeve, e koncerteve, e dokumentareve, e këngëve, u bë vetiu si më e errët.
Poçi i dritës së shkallëve kishte mbi një vit që ishte thyer. Gjatë ditës, goja e hapur e portollambës, dukej sikur kishte uri. Derisa dikush i futi një shuk gazete “Zeri i Popullit”. Si sigurim teknik ndaj rrymës elektrike.

“Mos bëj sikur s’ta ka qejfi”. “Mos bëj sikur s’të krruhet”. Këto fraza vareshin të ashpra mbi dritare bashkë me perdet damask. Gjethet e rrushit nga përjashta lëviznin lehtë nën erën e natës. Herë herë era lëvizte xhamin, mbajtur me gozhdë, që të frikësonte me zhurmën e vet të papritur. Në fakt asaj ia kishte qejfi. Kishte kohë që ia kishte qejfi. U bë më shumë se një vit që nuk kishte bërë dashuri. Që me Gaz Ketën. Vitin e tretë të gjimnazit Fatimja e kishte kaluar në kryeqytet. Jetoi tek tezja e vet atë vit. Gazi ishte shumë i gjuajtur. Domethënë i kërkuar nga femrat. Bënte pjesë në pesëshen e djemve më tërheqës të gjimnazit. Një ditë e kapi Gazin duke e parë nga pas, me atë dëshirën ashiqare, që fokusin e syve djemve ua çon mu tek qendra e rëndesës së trupit të femrës, diku midis gollganeve. Gazi ishte shumë i drejtpërdrejtë. Sapo kapi shikimin e saj, i tha: “Gaz Keta. Doja të të njihja. Si të quajnë”?
Dihej nga të gjithë që Gazi shkonte me Ermirën, një brune e pashme kjo, me flokët plot dallgë natyrale. Fatimja e pa veten papritur në qendër të vëmendjes, pjesë thelbësore e thashethemit të gjimnazit, befasim, ç’paska qenë një thëngjill i mbuluar kjo periferikja, kështu janë ato, vijnë nga anë e anës dhe na marrin çunat më të mirë. Më shumë se dëshira për tipin atletik të Gazit dhe për sytë e tij blu dhe për fytyrën e tij aq të ftohtë me mollëza karakter-ndërtuese, ishte pikërisht dëshira për t’u mbajtur nëpër gojë, për të qenë faktor, për të dalë nga masa asgjëhiçëse e grykëseve të zeza dhe kilotave gjithashtu të zeza vënë varg për vrap në orë të fizkulturës. Dhe Gazin e kishte në dorë. Gazi ishte shumë dëshirues dhe shumë i dëshirueshëm, i gatshëm për tu përdorur i gjithi, si një pulë talloni në natën e Vitit të Ri. Gazi ishte i pjekur mirë. Yndyra cërriste nga poret e tij... ah si nuk kam një pirun të fuqishëm, mashkullit që dëshiroj mu në gjoks me ia ngul...
Nuk iu dha menjëherë. E torturoi nja një muaj. E bëri të “prishej” – kjo ishte shprehja e tij - nja tre herë gjatë takimeve të tyre te një vend i përhershëm diku pas ministrisë së jashtëme, në një pjesë rruge që nuk ishte as errësirë, as dritë, dmth kishte pak nga të dyja, edhe për t’u fshehur, por edhe për të mos guxuar shumë.
Lajmi u përhap menjëherë në gjithë sferat e gjimnazit; madje edhe disa pedagogë thuhej që e kishin nëpërgojur aferën e re. Ermira u bë edhe më brune. Lëkura e saj edhe më e bardhë. Termi “lëneshë” mbiu si bari i keq nga fara e fjetur prej vitesh në tokën e thashethemit. Fatimja u pa me të gjitha mënyrat: çudi, admirim, dëshirë seksuale, përbuzje, urrejtje, interes i përkorë, kureshtje e plogët, por vetëm me mospërfillje nuk u pa. Jeta ishte e bukur, Fatimja jepte ndonjë mendim për seksin dhe fjala e saj dëgjohej. Ajo ç’ka nuk u mor vesh menjëherë ishte pse Gazi u tërhoq aq shumë pas të ardhurës. Gazi mund të kishte cilën të donte. Siç doli më vonë nga rrethe të ngushta, të cilët flisnin me kusht të anonimitetit, Gazin e kish bërë për vete mënyra se si ajo ecte, me një lëvizje të parezistueshme të vitheve, të cilat sikur fërkoheshin me njëra tjetrën butësisht, diku brenda trupit, aq sa për të ndezur çdo fantazi në një tru normal gjimnazisti. Si e bën atë gjë? Si?

Fatimja çalonte fare pak. Njërën këmbë, të majtën, e kishte pak më të shkurtër. Njërën këpucë, të majtën, e kishte me takë pak më të gjatë. Përpjekjet e saj për të mos u dalluar i jepnin turpit një drejtqëndrim dinjitar, ndërsa barazpesha gjithsesi e prishur u jepte vitheve një si tik nervor, një lloj lëvizje ritmike pak të shpërpjestuar, pothuaj ushtarake, majt-djatht, majt-djatht, që ngacmonte çdo përfytyrim. Pasi frymëzimi erotik merrte krahë nga aty (pika e zakonshme, ku sytë e djemve shkonin më së pari, sipas studimeve kjo, por edhe sipas çdo përvoje autentike sypërpirëse), fluturonte mbi gjoksin e rrumbullt, dy planete që grishnin për eksplorim, dhe më pas, te ata sytë e jeshiltë, të mëdhenj, kërkues, që shkonin aq shumë me përskuqjen e përhershme të mollëzave të sheshta. Sy si semaforë që të lejonin të ecje përpara, në një kryqëzim kryesor. Ata sy, edhe në përhumbjen e tyre më të madhe, të ftonin në mëkat.

Afera me Gazin kishte mbaruar natyrshëm. Ajo vitin tjetër ishte kthyer përsëri në F. Gazi nuk ishte ndjerë më. Njëzet kilometrat që ndanin kryeqytetin nga F ishin një tampon i sigurtë profilaktik, ku gjithë viruset e dashurisë dobësoheshin dhe vdisnin. Po e harronte Gazin. Ndërsa ndjenjën e të qenit femër fatale, femër problematike, me ndërlikime dhe mistere, nuk e harroi kurrë. Ishte një thelb i qenies së saj. Gazi i kishte dhënë jo vetëm kënaqsinë-vuajtje të të ndjerit femër, domethënien e plotë të duarve të mashkullit, mrekullinë e lëvizjes së gishtave prej Liszti, artin dhe spontaneitetin e hedonizmit, burimet e elektricitetit sensual të trupit të saj, të cilat ajo nuk i kish ditur saktësisht më parë; ai i kishte dhënë pikëmësëpari ndjenjën e pakrahasueshme të projektorit kryesor të skenës, kish hapur me një çelës magjik genin e mbyllur të nefertitit që ekziston tek çdo femër, sundimtaren erotike, Kleopatrën e fshehur (ai e thërriste kështu në sekondat e fundit para se të vinte gjatë dashurisë; thjesht ngaqë kish parë atë filmin me Elizabeth Taylor). Fotonet e vëmendjes së përgjithshme u bënë baza e ekzistencës femërore, një lloj fotosinteze e llojit të vet. Jam në qendër të vëmendjes, prandaj ekzistoj. Dekarti duhej korrigjuar!
Por vëmendja nuk ishte aq e lehtë dhe e nënkuptuar. Nja dy tre djem të gjimanzit, me të cilët një mardhënie dukej e mundur, i dolën fyçka. Profesori i marksizmit, me emrin aq të spikatur Marenglen, thuhej që ishte pak donzhuan, tip interesant, i pakujdesshëm për veten, pak pijanec, shumë inteligjent, por ndonëse gjithë ç’thuheshin për të ishin të vërteta, as ai nuk tregoi ndonjë shenjë interesi për Fatimen. Ajo mund që ishte femra e duhur, dhe ai ndoshta mashkulli i duhur, por mesa duket nuk ishte koha e duhur.
Dhe ngadalë, pa kuptuar, kaloi viti. Vëmendja e djemve të rrugës nuk mund të quhej vëmendje. Ajo ishte bezdi.

Një ditë Fatimja dëgjoi rastësisht se ata djemtë e kryeqytetit të institutit kërkimor të ish depos së përshtatur përballë nuk ishin aq mospërfillës ndaj rrethinës së F sa mund të mendohej. Koha kishte bërë të vetën. Disa nga vajzat e F i njihnin tashmë nga afër, me emër. Dhe ata nuk ishin aq eterikë sa dukeshin. Njëri prej tyre, ai flokëziu që pinte cigare vazhdimisht, thuhej që kishte diçka me Verën. Që punonte në institut. Vera hakmerrej ndaj të shoqit shumë xheloz. Kjo dihej botërisht. Domethënë e dinte F dhe fshatrat përreth. I shoqi e keqtrajtonte dhe xhelozia e gërryente ditë e natë, pa kuptuar që tradhëtitë e të shoqes vinin më së shumti pikerisht nga kjo xhelozi. Vera ishte padiskutim gruaja më e bukur e fshatit N, pak kilometra në Jug të F. Me të shoqin ishte martuar pa dashje. Kishte mbetur shtatzanë. E si të mos mbeste shatazanë Vera! Ajo ishte ëndërra e çdo qelize haploide në univers! Në zhargonin e çunave me cigare dhe pantallona doku me gjunj, burrit të Verës ajo “i kishte ngecur në dorë”. Si një dopjo gjashte në lojën e dominosë, të cilën ata e luanin me virtuozitet të gjithë. Si therje e sforcuar kishte pas qenë ajo martesë. Rregulli i treshit i dëftente burrit të Verës që ajo, ashtu si me atë vetë, atëhere, në ato kohët e avullta, kur ata nuk ngopeshin së bëri dashuri ku të mundeshin, në depo, “te sorgumi”, te ura, prapa “furrit të bukës”, prapa shkollës, po ashtu duhet të bënte “tani” edhe me të tjerë. I shoqi nuk e dinte që “tani” ishte ndajfolje kohe, por dinte që ishte fjala më kriminale në botë. Krizat e xhelozisë i errësonin gjykimin. Por dhe Vera nuk ia përtonte. Nuk i linte gjë mangut. Deri edhe në çastet e seksit! Kur ai i thoshte që “sot ishe më e mirë se prej shumë kohësh”, ajo hakmerrej për gjithë gërnjat e kaluara dhe i thoshte: “po e bëja me tjetërkënd në mendjen time, prandaj”. Ç’ka e tërbonte fare të shoqin. Gjithë mrekullia e seksit me Verën përmbysej në një çjerrje shpirti prej xhelozisë. Ai e dhunonte vërtetë fizikisht, me shpulla, me grushta, por e shoqja e shikonte me sy ngadhënjyes dhe ai, ndonëse nuk e tregonte së jashtmi, me vete e pranonte humbjen dhe vuante.
Vera, sensualja, e lindura për seks, që edhe pas katër fëmijësh vazhdonte ta kishte trupin për t’u zilepsur nga çdo femër tjetër, e “tokëzonte” atë grupin e djemve moskokëçarës, që flisnin për gjëra që nuk i fliste njeri tjetër në F, që largoheshin si një ëndërr çdo ditë nga F me anijen kozmike të orës pesë. I bënte të arritshëm. Vera ishte në një farë mënyre jo vetëm një konkurrente. Por edhe një tregues mundësie. Do të donte të dinte hollësi, si ishte ai bruni për shembull, por me Verën nuk kishte asnjë afërsi. Sidoqoftë, kur mori vesh që bruni kishte pasur një histori edhe me fotografen e qytezës, e cila nuk ishte Verë, atëhere nuk kishte me asnjë dyshim. Bruni duhej pushtuar. Kleopatra po bëhej gati për fushatë luftarake. Për luftë të padrejtë.
Fatimes sepse i erdh në mend një varg i përshtatur dhe pa lidhje: Erdhi kohë e Arbërit!

vijon


Wednesday, November 12, 2008

Duhet të iki nga ky qytet


Bezdi e domosdoshme
Zilja e mëngjesit.
Dot s’e ndalojnë
Gjithë çomanget e botës
Dhe e vret një gisht i butë.

Njëlloj si unë
Zilja.

Bie vazhdimisht
Me shiun
Humori im.
Ky qytet nuk e di se jam këtu,
Asgjë nuk ndryshon
Në kafenenë opake
Prania ime,
Kamarierja irritohet kur e pyes mos është gjë ruse
Dhe akcenti i saj
Rrjedh nga gjoksi
Si curril cirilik;
Nga tavanet
Shandanët shohin me qortim
Pedagogjik,
Fyerja është kënddrejtë
Në sheshet që presin me padurim
Aksidentin e rradhës
Dhe ku
Semaforët kullojnë gjak të kuq
Pritjesh.

Duhet të iki nga ky qytet,
Të mos shoh më rrugën tënde
Ku dritaret qeshin me vete
Dhe më bëjnë të ndihem
Si konviktor
Me këndet e drejta
Të fyerjes.




Saturday, November 8, 2008

Homo erecti I


Kushtuar Pat Hollmann dhe Pat Boyd (dhe gjithë reflekseve të tyre mbi gra reale)

1. Gjuha e natyrës

Kjo s’është lidhje, tha ai me vete ndërsa po dilte nga një dyqan kinkalerie. Kjo është zhytje në xhelatinë. Po i kushtonte shumë kohë një femre dhe, përkundër gjithë kredove të tij, e kapi veten duke i bërë një lloj analize biznesi mardhënies. Ajo femër ishte stoku ku ai investoi substancën e tij dhe pasi kaluan disa muaj po shikonte frutet e investimit. Krahasonte gjendjen me stoqet e tjera. U rrënqeth nga kjo. Enron d’amour? Po bëhem si Xhejmsi, tha për një koleg pune. Po më thahet shpirti. Xhejmsi të dashurat i analizonte pothuaj financiarisht, sa para harxhoi me to dhe ç’mori në këmbim për këtë. Një farë “Retun on Investment” i llojit të vet. Shikonte një femër që kalonte përbri, dhe vetëm kur ia këpuste: kjo nuk ia vlen, është “high maintenance”. Si për një Porsche. Xhejmsi e kish humbur me kohë besimin në ndjenjat e pastra, veçanërisht te femrat, dhe e shihte veten si një insekt të pafaj, të cilit “ato” i ngrinin rrjetat e tyre si merimanga. Na gjuajnë. Nga të ardhurat vjetore. Nga sasia e zerove. Na e marrin vesh librin e çeqeve me antenat e tyre edhe sikur të kalojmë aty pari veshur si hamej. Si e bëjnë? Ato e dinë. Mister është për Zotin… (këtu kontrollohej blekberri për ndonjë e-mail të nxehtë, sidoqoftë)… ne punonjësit e Wall Street-it na kujtojnë për hiena, vazhdonte, por në fakt ne jemi preja e vërtetë. Predatorët në këtë qytet veshin këpucë me taka dhe vetëtijnë pak gjoks apo lëkurë tjetër.

Ndaloi mbi trotuar të ndizte cigaren. Unë sigurisht nuk jam Xhejmsi, tha me vendosmëri ndërsa zhvishte paketën nga këmisha e hollë plastike. Më së pari donte t’i mbushte mendjen vetes. Sepse pak “xhejms” e gërgiste së brendshmi prej disa kohësh. Indekset e vlerësimit të aferës nuk donte t’i artikulonte. Çfarë tani, 156 dollarë e 27 cent për orgazëm? Apo inflancioni i seksit gojor? Ah, o Xhejms, të rënshin stoqet! Bllaaahhh. Xhejmsi duhej shpallur person “non grata”.
Një çift doli gjithashtu nga kinkaleria. Një çift i kurrfartë, që atje brenda po mblidhte metalikët e harruar nëpër xhepat e xhinseve të vjetra për të blerë cigare të klasit të dytë. Vajza me flokët e qethur shumë shkurt. Djali me flokë të pamirëmbajtur. Ajo xhaketë xhins të shkurtër që mbaronte mbi vithet e vogla, të rrumbullta deri në prag të provokimit, të hajthme deri në prag të elegancës. Djali xhaketë me supe të prera, si të spikerave italianë të RAI-t. U larguan me hapat e mësuar me ritmin e njeri tjetrit. Me heshtje aq kumtuese. Ai pa qartë ata litarët e padukshëm, si mpiksje ajri, që lidhin dy veta kur duhen. Ka njerëz që mëtojnë se shohin breroret. Duhet të jetë diçka e afërt. Aq të pranishëm ishin ata litarët e ajrit, saqë sikur të kalonte midis tyre, ai do bënte kujdes se mos pengohej. Si nga shtëllunga e leshit puplor, të cilin gratë fshatare e tjerin dhe e ngjizin në fill, gishtat e dashurisë tjerrin ajrin midis dy vetave, bëjnë litarë çeliku prej asgjësë. Magji! Qysh të vogël e kish mahnitur ajo lëvizje gati instinktive, e padallueshme e gishtave të tjerëseve që mblidhte bashkë gjithë ato pejza e kapilarë të avullt në korda të pakëputshme. Trini e shenjtë, shtëllungë - dy gishta që seç bëjnë ashtu padukshëm - dhe filli që del pas, i mbështjellë në lloj lloj topthash e çikrikësh e më vonë në kushedi ç’trupa, nga fanellat e mishit të burrave të ashpër në jelekët e vajzave “pak të ngushtë ndënë sqetull”. Nuk thonë kot “si do i vejë filli” një pune? Gishtat e fatit që tjerin rè të parvjetme. Plaka (ndoshta me emrin Ajkuna) me furka folklorike ngulur nepër rè të bardha. A mund ta tjerësh hënën, nënëmadhe?

Midis tij dhe femrës me të cilën ishte…(lidhur?...) nuk kishte asnjë dorë me gishta plot ndjenjë që të thurnin ato fijet flu. Gjithçka ishte si nje xhelatinë amorfe, shtëllungë masive, lesh i pakrehur. Restorantet ku shkonin ishin të ndryshme, por darkat ishin aq të ngjashme me njëra tjetrën. Si dhe bakshishet. Ç’kemi, e pyeste ajo në telefon, në kompiuter, ose kur takoheshin në avenutë e rënduara nga trafiku. Ishte si një ndër dhjetra kërkesat për informacion, sekretari telefonike, kuintancë malli, faturë, llogari, transaksion B2B, “ç’kemi”, përditësim i një dosje të hapur mbi desktop, “ngjarje: copë tre; të mira: copë dy, të këqia: copë një”… Ai nervozohej nga ajo “ç’kemi”, që e thënë në gjuhë tjetër tingëllonte edhe më tëhuajzuese; sidoqoftë nga pjesa e formatuar e trurit dilte i ndërsjelltë “ç’kemi” i tij simetrik, gjithë po aq fosil dhe kërcor. Dita e tjetrit nuk eksplorohej rastësishëm, por gati raportohej me sekuenca, si përmes slajdeve të një paraqitje projekti me "Power Point". Çdo gjë kishte kuptim dhe ishte e paqortueshme. Përqasja me botën e biznesit ishte e gjithëgjendshme. Dhe e pamëshirë. Prezantim i vetes, klienti, rrezatim vetbesimi, formalitet. Mirëmbrëma. Hyrje. Intro. Objektivi (murmurimë nënndërgjegje, well, hmmmm, yeah, you know… ë-hëm… seks, money and rock’n’roll). Pika e mundimshme: ç’ka bërë konkurrenca deri më sot. Një tabor me ex-ër sulmonte kështjellën e tij. Rezultati. Mësimet kyç. Kamarier, llogarinë ju lutem. Si konkluzion përmbledhës: seks! Zakonisht te apartamenti i saj. Pas ditësh mungese, kur indeksi i dëshirës ngrihej si një stok i mbarë në bursë, ushqyer nga fragmente femrash gjithkund nëpër këtë qytet kaq sensual. Ato masive betoni e guri, të rëndë e të vjetër, ndërtuar para dhjetra vjetësh, nga emra gjithashtu të hirnosur e të vrenjtur, Rockefeller, Carnegie, Vanderbilt, apo emra të panjohur, të murrmë si emigrimi, ato konstrukte jo njerëzore dhe gjithëherës të mrrolshëm, shtërzonin dhe pillnin papushim femrat e pashoqe të atij qyteti, që dinin ta nxirrnin sensualitetin edhe nga akujt e Alaskës!

Seksi ishte si një devijim standard. Ajo ndizej nën çarçafë ngadalë, si një qymyr i mirë (nëqoftëse çdo krahasim çalon, ky është ulok fare, veteran, invalid dhe që ndaj tolerohet), pra më saktë si një eshkë ku shkëndijat e tij vdisnin si kamikaze të verbër. Seksi ishte aq shterues, sa në fund ai kërkonte me sy gjurmë të hirit të tij mbi shtrojat e shtratit të saj “Queen”. Seksi ishte diçka krejt e papritur me këtë femër, ishte një ngjarje e pavarur me pjesën tjeter të ditës, me ftohtësinë e zërit të saj, me thatësinë e frazave parazite “OK then…”, “could care less”, të cilat s’ishin gjë tjetër veç vemje që kur vinte vakti, ktheheshin në flutura ofshamash. Ajo femër në shtrat përçonte një ndjesi mëndafshi. Shumë herë mbi kofshët e saj të lëmuara, ngjyra e grunjtë e të cilave theksohej edhe më tepër nga e bardha e të brendshmeve (ajo nuk përdorte ngjyrë tjetër), ai kishte përfyturuar rruzuj vese që rrëshqisnin poshtë pa i lagur ato. Ishte një lëmim vrasës, ndërprerë nga vija e mbathjeve, funksion i përkryer parabole simetrik me boshtin e botës dhe me hiperbolat e ijeve. Ai dorëzohej pa kushte para atyre trajtave të lakuara, bosht abscise i të cilave ishte vetë, një “x” në të gjitha kuptimet e gërmës. Lakohej edhe vetë si vijë funksionale, si një “y” që humbi “x”-in, mbështillej si lëmsh nga dëshira, zhdërdhitej prapë, këputej në shumë vende njëherësh, ndërsa ajo, sovrane e vërtetë e shtratit Queen, Kleopatër me sy të ullinjtë, vetëdigjej ngadalë, konstante, si një derivat funksioni drejtvizor. Ai, si fill i këputur, ndjente kthetrat e saj prej maceje që duan të lozin… me instinkt… hollivudian… bazik… Më more shpirtin… ky shtrat u bë si një furrë djegëse… si ka mundësi që kjo femër kaq e nxehtë në shtrat hedh një mantel guri më pas? Ç’kemi, wassup, was gibt’s… Rutina mund të jetë edhe e këndshme, por ajo është e tillë kur të jep paqë me veten.

I kujtohej hera e parë me të në një dhomë hoteli. Dëshira e tij për ta pasur sa më shpejt, gishtat që tek zbërthenin lidhëset e këpucëve, nga nxitimi i kokolepsin ato edhe me keq, flakja e tyre më në fund pa i zgjidhur fare, gjithë padurim. Urrejtja për çdo lloj kopse në botë, një bezdi e pamatë për pantallonat, duart që duan të jenë në pesë vende njëherësh. Ndërkaq ajo e qetë kujdesej që të hiqte vëthët ngadalë, e përqendruar në zbërthimin korrekt të tyre, me atë animin e kokës që qendrën e vëmendjes e sjell te llapa e veshit të vet dhe jo gjetkë, kur mendja-avull duhet të firojë dhe arratiset për tjetërkund… Kishte pasuar një mbasdite e nxehtë për të, trupi i saj i mrekullueshëm, që ai e kish ëndërruar aq herë të zhveshur, ishte vërtet si një vepër arti aty nën çarçafë, me aromë të mirë femre kudo dhe lëkura e saj nga poret nxirrte vazhdimisht një lëndë të çuditshme që të bënte të kërkoje më… si kikirikët e kripur në një banak bari, pas të cilëve porosit gotën tjetër…
Hera e parë është shpesh e mangët, si udhëtimi sèfte për diku. Informacioni mbi rrugën nuk ndihmon; hartat janë të sakta, por nuk japin kurrë hollësitë e duhura për grahësin e makinës, ku rruga ka gropa, ku duhen ndërruar marrshet? Nuk dihet gjer as edhe mënyra se si tjetra ofshan. Ashtu si gjurmat e gishtave, edhe ofshamën dy femra nuk e kanë njësoj. Qindra Magelanë që flenë në ty zgjohen. Arkimedi thërret herë-herë “eureka”, por pa ikur me vrap nga banja. Ka kohë për ikje.
Në fund, pyetjes së tij “a erdhe?” ajo i ishte përgjegjur “nuk e di”. Hmm... Përgjegjia më e keqe në botë. Po ti, a dole jashtë, e kishte pyetur ajo pas ca, kur ai nuk e priste. Iu deshën ca sekonda të kuptonte atë mënyrë pyetje, të padëgjuar më parë. Sigurisht, sigurisht, sigurisht, edhe pyet? u shtrydha fare, ti do shtrydhje substancë edhe nga guri… Befasimi kishte qenë i përgjithshëm. Sepse kur ai mendoi që performanca e tij kishte qenë e admirueshme, kur i rrahu shpatullat vetes duke i thënë “të lumtë”, kur mendoi se tani do vinte natyrshëm një orë prehje, një cigare, përhumbje shikimi në tavan, heshtja më komunikuese, mendimet larguar me mijëra milje ndërsa dora ledhaton ngadalë dhe si me refleks kodrinat ende të lagëta të trupit, pra shi kur u bë gati të lëshohej përhumbshëm me fytyrën diku afër klavikulës së saj, ajo kishte nisur lojën më e etur se më parë. Çfaaaarë?... kishte jehuar befasimi i tonditës brenda mureve të shpirtit të tij… si sekonda çuditmerruese para një aksidenti automobilistik, kur makina jote po përplaset diku dhe ti nuk je në gjendje ta drejtosh atë. Oh joooo…..

Kjo nuk është lidhje, tha prapë me vete ai. Ne jemi zhytur në xhelatinën e rrethinës që na kavërdis së bashku; si copat e mishit brenda një supe të trashë vlojmë në të njëtjën kusi, por nuk jemi të lidhur. Është thjesht xheli i supës primordiale që na mban bashkë. Rutina. Me erëzën e sfidës për seksin e paplotësuar. “A erdhe? Jo…” Po e priste pranë një kryqëzimi ku nuk gjeje kurrë parkim të lirë dhe taksistët e shikonin gjithë urrejtje ngaqë u ngushtonte rrugën.
Iu kujtua një shok fëminie, atlet, më saktë maratonist, që i ishte ankuar dikur se e dashura e tij e atëhershme “nuk prishej kurrë”. Kishte qëne një vrasje këpuce e vazhdueshme ajo gjendje, nuk di çfarë të them, i thoshte ai shoku i maratonës, çfarë nuk kam provuar, kam ndenjur 15 ditë i tërhequr, në regjim të përkryer, jemi bashkuar prapë, dhe përsëri e njëjta gjë… nuk prishet… s’e marr vesh, nuk më ka bërë vaki. Nuk është seks, është torturë tashmë. Ja mendoje vetë, ndërsa ti depërton, sytë e saj studiojnë ndonjë pikë interesante në mur, ose ndjekin ndonjë mizë që vërtitet në dhomë. Dhe kur mendoj që lashë Roksin për këtë… se Roksi vërtet ishte thatanike dhe buzët i kishte të holla, por Roksi ndizej sa ta prekje dy herë, i perëndoheshin sytë, sa të dukej vetja si perëndi. Ndërsa kjo që është aq e përkyer në gjithçka… s’e marr vesh. Pse kaq rrallë ndodh që femrat e bukura të jenë edhe të ndezura? Është ligji i kompensimit, ia kish kthyer atëhere ai. Pastaj, e kur i bën të gjitha gjërat bashkë Perëndia, më thuaj. Perëndia nuk të jep më tepër se ç’mund të përballosh. Është si puna e Makbethit a nuk di ç’pjese të Shekspirit që përmend Noli diku, që në u bëfshin bashkë dy aktorë klasi, mos e lerë pa parë atë pjesë, por ik me vrap, qoftë edhe në Honolulu, se përbashkim i atillë nuk ndodh shpesh në jetë. Dhe e bukur, dhe e ndezur, thua?… mos more, s’dike hiç ti… he he he… Atë shokun e maratonës kishte vite pa e takuar, por seç ndjeu një nevojë për ato muhabetet e rinisë së hershme, me shpinat mbështetur pas ndonjë avllie, ku përvojat e pakta ndaheshin tamam ashtu siç ishin, si ujët e pakët… A bënin të njëjtën gjë edhe femrat? Me siguri. Nejse, por kish nevojë për dikë që ta kuptonte, jo si Xhejms mavriun, i cili do i thoshte që ky investim ishte krejt me humbje, ishte falimentim. Kish nevojë për dikë si ai shoku i vjetër pra, që t’ia thosh pa dorashka, a e di, unë e kam më keq punën se ty atëhere, se gamiljes sime i shterron uji shumë më parë se të arrijë te oazi, dhe ai oazi duket ashiqare atje larg, kupton, nuk është shkretëtirë si ajo që tregoje ti…

*****

Ajo erdhi si gjithnjë e përpiktë, gjermanike, gjeometrike, hapshtrirë, duke rrezatuar një ndjenjë rregulli rreth e rrotull.
- Ç’kemi? – tha kur zuri vend në sediljen e makinës.
- Ç’kemi?
Këtë rradhë shkuan në apartamentin e tij.
Ai bëri kafe. Espresso.
Ajo filloi të shikonte librat e tij në raftin e vetëm anash kolltukut. Kryesisht libra matematike. Këmbët e saj ishin si nga tjetër botë. Ideja e atyre këmbëve do ta ndiqte gjithë jetën. Ai ndjeu dëshirën ti hipte si zhiva në një termometër që nxehet. Edhe pak dhe do arrinte kokën. Telefonuan nga puna. Ndjeu tendosjen të zbutej ca nga ca. Kërkonin ca shpjegime teknike. Po ua jepte me mendjen jo krejt të përqendruar tek ata. Në mënyrë mekanike po shpjegonte se elasticiteti i çmimit për kërkesën e një malli është në terma përqindje, pra jo drejtvizor i drejtpërdrejtë, porse i tillë në derivatin e tij të parë në lidhje me vetë çmimin, dhe se koeficienti i logaritmit të çmimit në regresionin e logaritmit të kërkesës e plotëson këtë kusht…
Duke folur kështu ndjeu afër frymëmarrjen e saj të drithëruar si kurrë më parë. Ajo filloi ta tërhiqte me atë shprehjen e fytyrës “duhet të të kem tani, pikërisht tani”. I habitur ai e la veten të tërhiqej nga dora e saj e dobët, bëri një mbyllje të shpejtë, të pajustifikuar fare të telefonatës që me siguri i la tejet të hutuar ata të tjerët në telefon, më duhet ta ndërpres tani, ju e kuptuat se ç’doja t’u thoja, do flasim përsëri së shpejti për këtë… bye-bye now…
Nuk ishte nevoja ta pyeste “a erdhe”. Ishte krejt e qartë. Donte të dinte që pse këtë rradhë qe aq ndryshe. E pyeti. Ti je aq “hot”, i tha ajo, kur bisedon për matematikë. Ou? Po nuk ishte matematikë ajo, ishte ekonometri. Çfarëdoqoftë, whatever… Sa më i pakuptueshëm, aq më seksi. Fol për ekonometri, i dashur. Talk econometrics to me, baby… Po ty mirë që nuk të ndizkan spikerat e CNN apo të Bloombergut … Kush tha që nuk më ndezin, por ata nuk mund ti kem, kurse ty, hmmm… me ty është ndryshe puna…a të kam thënë ndonjëherë sa t’i pëlqej buzët? Jo?... Kam frikë se do të le shenjë…

*****

- Xhejms, elasticiteti i çmimit për kërkesën ka cilësi afrodisiake.
- Çfarë?
- Mund të ndezi një femër, them. Dhe matematika në përgjithësi…
- Natyrisht. E ke menduar sa të ngjashme janë stoqet me vjazat?
- Jo.
- Kurrë nuk i parashikon dot. Të ngrejnë në qiell brenda ditës. Të shkatërrojnë brenda minutës.
- Kuptoj.
- Prandaj të ka hipur mania të shpjegosh çdo gjë me matematikë ty këto kohët e fundit?
- ….
- Nuk më the, cila pjesë e matematikës është më erogjene?
- Ekuacionet diferenciale. Dhe integralet e rastësishme…
- Hmmm… Pse kam kujtuar gjithnjë që thjesht teorema e Pitagorës është e parezistueshme? Me ato horizontalet e pingulet…
- Jo, Xhejms! Nuk është ajo. Është Teorema Ferma. Si femra. Kurrë zgjidhur. Vetëm pjesërisht. E rrëshqitshme, mjegullore, prodhimtare….

Në ajrin metropolitan mbinë pikëza uji. Në mëdyshje për shi të lehtë. Një kombinim hidrogjeni me oksigjen ende. Një shi që nuk ishte bërë përvojë njerëzore. I shpjegueshëm vetëm me kimi. Indeks meteorologjik.
Dy burrat u përshëndetën dhe ikën. Secili tek femra e tij.