Monday, July 28, 2008
Peshkatari i perlave

- metaforë ashiqare për letërsinë kriptogramike -
Ishte guackë e jashtëzakonshme. Fat që një gjuetari perlash nuk i qëllon përditë. Fryma i mbeti kur e pa. E futi në gji – jo nga dashuria, por për ta fshehur. Instinkti i (vet)mbrojtjes e mund atë të dashurisë. Në shumicën e rasteve. Guackën e madhe mos e trego! Proverb konservues shumë i vjetër i fisit të peshkatarëve të perlave. Ai grua s’kishte që të mos i besonte. Madje as vetë nuk guxoi ta shihte gjatë. E implantoi gjetjen në gji e u sigurua që nuk e ndiqte njeri ndërsa ikte si në ethe për tek kasollja e vet dhe ndërsa ndjente se si guacka-zhardhok lëshonte rrënjë e rizoma që i depërtonin në lëkurë, midis brinjëve e mushkrive duke kërkuar zemrën. Mbërriti në kasolle, e shkuli nga gjoksi, e nxori jashtë nga jaka e gusha, e cila mori diçka prej mitre, dhe e vuri mbi tryezë. Ishte gjithë pritshmëri. Si të mos ishte! Fiset jo peshkatare, gjuetare jo hidrike të steres, kishin thënien “nga ferra e vogël del lepuri i madh”. Që përligjte pritshmëri nga çdo ferrë. Fisi i tij nuk bënte “muhabete lepurash”. Merrej me gjëra serioze. Nuk kishte ndonjë thënie koralesh e guackash, nga guacka e vogël nuk dilte perlë e madhe. Pritshmëria e tij bazohej mbi rregullin e treshit për madhësinë.
E kundroi. Kapakët kuarcorë imponoheshin kokëfortë në atë lakim të mysët që nuk gërricte askund. Ajo qenie skeletin e kish jashtë trupit. Në të kundërt nga krijesat e zakonshme që muskujt i kanë jashtë dhe skeletin brenda, guackat muskujt i mbulojnë (=fshehin) me skelet-korraca. Po tu thyesh mbu(r,l)ojën gëlqerore, ato mbeten pa bosht, pa shtyllë, thjesht midhje kartilagjinoze. Është perla që ato mund të fshehin, që e rritën shtresë pas shtrese nga një kokrrizë fillestare rëre, ajo ç’ka bën seleksionimin jo darvinian nga midhja në perlë. Nga kokrriza e rërës (a ka gjë më të pavlerë, më të pashquar se kjo!) në gur të çmuar. Përkufizimin libresk mbi punën si bazë e çdo vlere e gjeni te perla. Shtresë pas shtrese.
Nga madhësia kjo guackë duhet të mbante margaritarin më të madh të kapur vitet e fundit. E përfytyroi të futur mes shtresave të mishit, i cili gjithashtu kish vlerën e vet, por që në dallim nga perla, ishte i zëvendësueshëm me të tjera specie detare. Materialet dhe gurët e çmuar kanë vetinë e përbashkët që nuk zëvendësohen dot nga tjetër materie e barazvlefshme. Ndërsa mishi ka vlerë kalimtare, si bukuri ylberi, kënaqësi qiellze, dehje të përkohshme yjore në një gjithësi ku qielli bëhet femëror dhe përkëdhelet: qiellzë. Fjalën “hedonizëm” peshkatari nuk e dinte, se do ta kishte menduar. Por ai dinte gjëra të tjera, si psh kënaqësinë e grave. Ky kundrim i guackës mbi tryezë ishte si të parët e gruas para zhveshjes. Nxemje e trurit. Prelud paraloje. Guacka duhet ta kish kuptuar tashmë që ai e dëshironte. Ndaj dukej sikur ajo po i mbyllte instinktivisht më fort kapakët, me atë refleksin e femrës që mbyll anët e trikos për të mbuluar gjoksin e madh ose shtrin fundin e fundit a fustanit për të fshehur… perlën. Dukej guackë e ndershme. Sidoqoftë, mendoi ai, sidoqoftë…
Zhveshja vinte me thyerje. Përdhunë mekanike. Kënaqësi mazokiste. Mori një çekiç, e goditi. (Mora një gur të godita, o moj guacka pika pika). Ndjeu kundërgoditjen që erdhi pa asnjë epshmëri, po aq e fortë sa goditja. Po aq e dhunshme, sikur kish goditur një truall hekuri. Guacka nuk ishte dëmtuar fare. E goditi përsëri. E njëjta gjë. E ktheu ndryshe, pasi kish dëgjuar që në një pozicion të caktuar edhe vezët nuk thyhen, por mund të mbajnë peshën e një kali. Mjafton ti rrotullosh pak dhe krisen me majën e një thoi. Goditi prapë. Asgjë. (Unë s’të rashë për të vrarë, vetëm perlën për të marrë). Ndërroi çekiçin, mori çekan. Asgjë. Tashmë ish nxehur keq. Trup’ e nerva. Djersa e mbuloi, mori varenë më të rëndë, e ngriti me zor dhe me një rënkim që i doli nga luktho-gjonguli u dha poshtë me tërsëllëmë. Goditje e saktë. Aty ku buzët e guackës bashkoheshin me kokëderrësi. Kjo duhej ta hapte. Asgjë. Makar një gërvishtje. Kjo guackë ishte e magjepsur. Pasi dështoi me vare disa herë, gjithë duke dihatur, mori gjithfarë pykash e qysqishë, u mundua t’i ngulte midis buzëve të mbyllura që kishin vendosur të mos flisnin, të mos nxirnin asnjë tingull, vibrim ajri, pa le më të përftonin gjëra të tjera magjiplote, për të cilat buzët janë krijuar. Ato buzë kishin vendosur të mos kumtonin asgjë, as edhe një përqeshje. Nada. Duart iu bënë flluska, pëllëmbët gjak. Asgjë. E futi guackën në uthull të fortë. Zbërthyese. Në sodë - bazike te Zoti. Përdori zjarr dhe tym. Donte të përdorte edhe kripë gërryese, por u kujtua që guacka ishte bijë e kripës. Abrazive. U dorëzua. Helm’ e vrer ra posht’; e zu gjumi. Dëshpërimi është gjumësjellës i mirë.
U zgjua dhe i erdh në mend ndjenja e humbjes. Nuk donte ta shihte atë. Sigurisht, e pa. Krimineli kthehet tek vend’ i krimit; humbësi tek i turpërimit. Guaska ishte ende e mbyllur, por buzët nuk kishin atë shtrëngimin hermetik të djeshëm. Kuptohej. Nuk shihej – kuptohej; siç kuptohen dy buzë që janë gati për një puthje. Edhe pa u hapur përgjysëm. E hapi guackën kollaj fare. Kurrë s’e kuptoi se si muskujt shtrëngues të atyre morsetave kalcike ishin liruar gjatë natës. Disa gjëra kërkojnë (edhe) kohë. E nxori brendinë me kujdes. Nuk ishte perlë. Ishin grimca rëre që nuk u perlëzuan. Ishte gur i thërmuar. Ose lehtësisht i shkërmoqshëm. Që të ngelte në dorë si një nxënës i dobët. Në asnjë mënyrë nuk ishte perlë, me gjithë dëshirën. Ishte i madh, por jo i çmuar. Si zhgënjimi përkatës. Zhgënjimi ishte i madh për arsyen e thjeshtë se sa më shumë ishte munduar ta zbërthente atë guackë, aq më e madhe bëhej pritshmëria. Si justifikim i mundimit. Me kohë, me shtimin e përpjekjeve dhe dështimeve, edhe Sizifi në fund do ketë besuar që guri i tij duhet të ishte diamant i paparë njëcopësh! Ndoshta edhe kjo guackë ndaj nuk ishte hapur; në mungesë të perlës, kishte induktuar pritshmërinë e saj. Guackë rrufjane – jetën tonë e drejtojnë pritshmëritë që janë formë e lartësuar e perceptimit. Peshkatari nuk e dinte këtë, se do e kish menduar. Ai vetëm qeshi hidhur. Guacka as mishin s’e kish më për të qenë, pas gjithë tramundanës së djeshme. Ishte peltëzuar keq. Pa formë. “Si tru idioti”. Si me nder… Një fjalë e urtë, në fakt një madem i vërtetë në llojin e vet, bërë nga rërë fjalësh, po formohej në brendinë e tij, diku midis shpretkës dhe tëmthit, precipitat vuajtje e dështimi, jo mençurie, i gatshëm të vriste një vesh(kë): jo çdo guackë e mbyllur (fjalët “kriptike dhe hermetike” nuk i dinte, por i mendoi), pra jo çdo guackë kripto-hermetike ka brenda një perlë. Thesaret e fshehur në fakt nuk janë thesare, ata bëhen të tillë kur zbulohen. Shumica e Dantesëve gjejnë bakërr (me theks te ë-ja pellazge). Ai që gjeti vërtet brilliantë, që bashkoi detin, qumështin, farën dhe tigrin shtëpiak në një urtësi jo kriptike, ai vajti dhe i fryu në vesh Dumasë.
Të nesërmen peshkatari doli prapë të gjuante perla. Duart i dhimbnin keq nga uji i kripur i zhgënjimit. Por pritshmërinë do e manaxhonte më mirë.
No comments yet