Wednesday, June 11, 2008
Tabu!a rasa
Një nga tabutë e pakta të sòdit, pabarazia natyrore mes racave, u prek, u përfol, u hodh në diskutim. Nuk është puna nëse vërtetë zezakët nga natyra (kupto genoma) e tyre janë më pak inteligjentë se racat e tjera, sikurse pëshpëritet. Halli është, si me çdo tabu, thjesht te diskutimi, përfolja, shtruarja e pyetjes. Madje edhe më thellë, halli është te mbirja e mendimit si një bimë helmuese diku në një brazdë tekanjoze të trurit.
Është urtësi e vjetër kjo. Sigurim teknik në pellazgjishte neolitike. Sigurim shëndetsor me llogari fleksibël. Tregojnë, për shembull, se Ali Pasha urdhëroi ti prisnin kokën berberit të tij vetëm se ky gjatë punës, me brisk në dorë, kish qeshur me vete. Pse qesh, e kishte pyetur pashai. Atë që s’e bën dot sulltani me taborë, qenkësh shpjeguar berber-ziu, mund ta bëj unë kurrkushi me një lëvizje të dorës, pashai im. Si mbaruan, Aliu urdhëroi ekzekutimin. Por ai s’ka bërë gjë, Lartësia Juaj. E di, por pati mendimin, tha Aliu. Nuk i thoshin kot Napoleoni i Ballkanit tjetrit. Për një plesht digjte jorganë. Edhe në mos pastë patur berber fare ai (me atë mjekrën më të gjatë se çibuku teleskopik) do e gjejmë ne një… në mos paçi berber gjeni, ja rrëmbeni atij qeni... sa për fabul, sa për moral …. që të na thotë se si mendimi krijon gjasën. E cila, sado e vogël, nuk është zero. A nuk mjafton një virus i vetëm, një cofëtirë e padallueshme atje përjashta, që të shpërthejë një pandemi? Se këto pothuaj zerot, të neglizhueshmet, që humbasin në zmusimet e mendimit, në rrumbullakimet e ideve, janë më të rrezikshmet. Ka një univers të tërë mes tyre dhe zerove prej tamami, të asgjëshme, absolute, monarkeve të vërteta të ngjarjes së pamundur, sterilitetit total. Floriri i bankës amerikane ka pastërti 99.999%. Po të kërkohet safi floriri, SHBA do ish komb i falimentuar. E keni menduar çfarë është ai 0.001 përqindshi? Tharmi që prish çdo puritanizëm. Për të na kujtuar se edhe në vlerat më të mëdha ndodhet një zhvlerë. Në të vërtetat absolute një dyshim relativ.
Ashtu si një tank mund të goditet tamam vetëm nga një kundërtank, edhe një tabu mund të tronditet vetëm nga një ikonë, një zot i llojit të vet, një kundërtabu. Tabuja në fjalë, e plagosur nga shigjeta me helm dyshimi, është ajo që “gjithë njerëzit lindin njëlloj. Pavarësisht nga raca. Tabù la razza. Tabula rasa”. E thjeshtë, aksiomatike, e sdomendshme, kafe mëngjesi, dy dhe dy bëjnë katër, gur që ka zënë vend në tokë (për këtë arsye i rëndë, e jo anasjelltas) si dhe në trutë tanë (për këtë arsye i vërtetë, e jo anasjelltas). Provo ta lëvizësh! Kaq e drejtë tingullon kjo, kaq politikisht korrekte, shkencërisht e arsyeshme, kaq në klimën dhe temperaturën e vet, saqë e ka flakur me kohë xhyben izoluese të supozimit dhe ka hedhur krahëve xhakaventon e çelët, simpatike, alendelonse, me jakën e ngritur lart të së vërtetës së pakushtëzuar. Të njohurisë së përgjithshme. Pranuar në mes tënë pa kontroll dokumenti, pa vizë, qytetare shengeni e favorizuar. Inteligjenca është racore!... Dhe mund të shpjegohet gjenetikisht. Dhe zezakët (këtu zëri ulet pak) e kanë më të ulët këtë se racat e tjera. Çfarë? Si?... Po, po. Edhe s’është çudi që ata të kenë një gen dominant basketbolli. Edhe pigmentin të lidhur me libidon… A e di që vite para shpikjes së viagrës famëmadhe, aleates së vetme të burrave modernë, telendisur në biznese dhe shkërmoqur nëpër strese, pa tendosje në mëngjese, dikush injektoi substancën që krijohet kur nxihemi në plazh, dhe pati, sidozot, krye-ngritje dhjetë orëshe, po pra, po, dhjetë! ë-hë, mirë e dëgjove, eh mirë-o-mirë, shumë e bukur për të qenë e vërtetë, por ja që ndodh… dhe u tmerrua se mos nuk ulej më … krye-ngritja… por pastaj doli viagra, dhe… Po prit, prit një herë. Na ler të marrim frymë. Më vonë atë viagrën, që mos u gjendtë dhe ajo mavìe! Si qe ajo puna e inteligjencës? Ajo puna e inteligjencës, si qe?
Dorashka pra u hodh, mendimi qe sfidant dhe disa sekondantë të padukshëm u bënë gati të mbikqyrnin duelin në kokat tona. Sepse dorashka (u përfol se) u hodh nga, as më pak e as më shumë, por Uotsoni (James Watson) vetë dora. Ky e përgënjeshtroi më pas, mori dorashkën si të ish O. J. Simpson, shikojeni tha, nuk më bën, nuk është dorashka ime. “Nuk mund të thoni që e kam thënë unë, prandaj ata gishta të errët gjithë melaninë, mos mi tundni ashtu”! Por sa para bën? Ç’rëndësi ka si e tha e si e mendoi Uotsoni. Fara e dyshimit, si krisje e përgjumur në arë, lëshoi krahët vegjetativë në fushat e brazduara të mendimeve tona.
Emri i Uotsonit, në duon e vet me Krikun, është stampuar në trutë tanë si vulë fetishe, numizmatike, popkulturore, Lennon-McCartney, Simon-Garfunkel, Jagger-Richards, Watson & Crick…
Helikset e famshme të ADN-ësë që ata zbuluan, na zbresin si shkallë spirale përposhtë drejt thelbit tonë, më shtangës e të fandaksur se llagëmi kadarean i lagët i themelive të shtetit apo rrotullameve zbritëse danteske. Në ka gjë fundamentale, globale, me diapazon të shtrirë nga bushmeni më i humbur tek Stivën Houkings, nishani ynë i vërtetë në univers, shpjegimi më i qartë i “kush jemi ne” për një alien të ardhur këtu që pyet me shumë kuptime “si jeni, tokësorë?” ajo është pikërisht ai heliks dysh, i zhdërdhitur si gërshet vajze para gjumit të natës dhe pas ëndrrave të ditës.
Uotson. Nën ombrellën e këtij emri, jam gati të pres çdo shi të marrësh. Sëmundje njerëzore kjo: e duam një emër si mburojë e bàfër, e duam një referencë të madhi si patericë. Sidomos kur ndihemi të pasigurtë! Si unë në këtë çast. E mora, pra, mëdyshtazi botën me grup-njerëzish që s’lindin njësoj, më të aftë se grupet e tjerë në fusha të ndryshme, duke ditur që po krahasoja prototipe që nuk ekzistojnë, mesatare statistikore, centroide virtuale, në erë, si qendra e rëndesës së një unaze që, sado e çmuar, është në fund të fundit një pikë në boshllëk. Sepse kur kahasohen grupe, qofshin këto edhe raca, në fakt krahasohen shpërndarje individësh, dhe jo individët vetë. Ndryshe, ndodhin plot anomalira, bota rezulton e çmendur sepse, sipas Kris Rokut, a nuk është lojtari më i mirë i golfit një i zi? më i gjati i njerzve një kinez? muzikanti më i mirë i rapit një i bardhë? Çdokujt i bëhet një padrejtësi kur përfaqësohet nga një mesatare: i zgjatet një vesh, i shkurtohet një hundë, i shtohen a i hiqen ca flokë. Pritshmëritë statistikore janë të mallkuara të mos ndodhin asnjëherë; e kush bëri 2.4 fëmijë? apo, pse një çajnik që e pret anës stufës me “pritshmëri në sy”, proverbialisht nuk vlon kurrë?
Kur krahasojmë prototipet, ne natyrisht që jemi gabim, sepse braktisim njerëz realë dhe krijojmë qenie fiktive. Që na gënjejnë pa ua bërë tërr syri, për arsyen e thjeshtë ngaqë ato nuk ekzistojnë. E keni parasysh Hitlerin që u mrrol aq hidhnueshëm kur një zezak fitoi atë garën e vrapimit në olimpiadën e 36-ës? E kshte gabim austriaku! Statuja ariane, mesatarja vikingo-saksone, koeficienti steril i variacionit teutonik, e lanë në baltë. Prandaj do mërzitej në atë çast dhe do zhezhitej fare ca më vonë.
Edhe nëse racat do përbënin një element kushtor të qenësishëm, të vërtetë e domethënës, edhe nëse ai geni i famshëm i basketbollit apo i libidos do zbulohej një ditë më i shpeshtë ndër zezakë, përsëri bota ime ishte në rregull. Sepse njerëzit janë aq të ndryshëm, aq të pabarabartë, saqë gjithkush, në nivel personal, meriton plotësisht “përfitimin e dyshimit”, pavarësisht nga çdo gjë e kësaj bote, përfshi racën, paragjykimin, stereotipin. Sepse çdo sintezë që ne bëjmë vjen nga dështimi (i natyrshëm) i analitikës. Aty ku grupi fillon, individi vdes. Aty ku ndryshueshmëria ndërnjerëzore tkurret, ku thyhet një dimension e drejtëza bëhet pikë njëjëse, dështojnë të vërtetat e vogla, qelizat e së vërtetës së madhe, absolute, organike. Vrarë pas shpine nga pejzat e tekstilta sintetike që ne tjerrim pambarim. Si bezdi najloni. Litar akriliku. Mjerim poliesteri.
Pra Uotson, ato copat e tabusë që farfurijnë mbi dyshemetë e thashethemit mediatik si qelq i thyer, nuk do gjakosin askënd. Jo se jemi fakirë orientalë. As prej shollës së trashë. Por se në themel të barazisë qëndrojnë shanset e njëjta dhënë gjithsecilit. Shanset e njëjta lindin prej pritshmërisë. Dhe kjo e fundit rrjedh nga pabarazia ndërnjerëzore. Dialektika na e hëngri shpirtin për të na shpëtuar të njëmiliontën herë. Jemi të barabartë për shkak të ndryshimeve vigane mes nesh. Rroftë ndryshimi! Që na bën vëllezër, të barabartë dhe të lirë.
Tani, bashkë me teshtimën, nuk do kontrolloj dot dhe kërshërinë përsiatëse alà Uotson: pse dëgjoj gjithnjë për “dashnor latin” dhe asnjëherë për “dashnor anglez”? në fakt, dëgjoj për “pacient anglez”, sa për atë punë. Dhe pse nuk gjen trashaluqër ambiciozë? Pse buzëhollat janë puthëse të tërbuara… e kështu me rradhë, e kështu më tej…
No comments yet