Sunday, June 1, 2008

Mite, mos u sosçi…


Kot shkoni pas në mijëvjeçarë dhe sillni ndërmend automatikisht Olimpin, Homerin; shoqëria e sotme e industrializuar është ndërtuar mbi një sistem mitesh që i vijnë përshtat asaj, ashtu si betonarmeja mbi një strukturë-rrjet çeliku. Kështu tha Çomski. Dhe Çomski është një burrë i ndershëm. Dhe kjo e fundit është përsëri një mit urban. Dhe kështu me rradhë. Por edhe Olimpin po të kujtoni, prapë jeni në element bashkëkohor, sepse gjithë mitet olimpike, ashtu si tragjeditë, “i keni nën këmbët tuaja; si nuk i shikoni vallë?”
Jo rastësisht jetoj në një qytet me emër titani që mbante qiejt në shpatullat e veta. Po ashtu, grah familjarin Oddysey, pasi makina amerikane Saturn ma hëngri shpirtin me defekte të përjavshme, a thua se isha bir dhe jo zot i saj, blej libra në Amazon.com, përtyp ndonjë Mars, mbath atlete Nike, marr avionin për Phoenix të Arizonës, ndërsa për Trojanët më mirë s’po flas.

Në jetofshi në New York City, po u kujtoj teatrin Apollo. Në qofshi diku gjetkë, a nuk jetoni nën një qiell që mitet e kanë pushtuar më keq se tokën?

Mitet, si femrat, nuk shpjegohen. Ato jepen! Janë e dhënë sublime, që nuk u ikën koha, përveçse kur vjen çasti të zëvendësohen me mitin tjetër. Ashtu si dashuria del me dashuri, ashtu edhe miti ikën me mit. Nuk le boshllëk, vakum. Aty ku gëlon ajo lloj bimësie, nuk ka tokë djerrë. Farat e miteve dimërojne me shekuj, si ca bimë kokëforta që ndenjën me mumjet egjitpitiane për mijëra vjet, para se të mb(rr)inin në laboratorët tanë. Me kokëngjeshje sporeje. Dhe shpërthejnë një ditë të bukur sapo u vjen shiu i përshtatshëm që e njohin vetëm ato. Toka e tyre është e pandërgjegjshmja kolektive, kundërfakti, ajo që nuk shihet, por që është aty, tamam si materia e errët, e cila është më e madhe se kjo e dukshmja, dhe që shpjegon shumë gjëra në pamje të parë të pakuptueshme. Shiu është dikush që vjen i florinjtë, si i dërguar prej Zeusit, në mos vetë Zeusi. Krijuesi fillestar i mitit. Që mbytet në detin e anonimëve të veckël pothuaj zero, por që janë aq mizëri, saqë shuma e tyre bëhet e pafundme. Mishi tretet, kocka mbetet. Mbetet miti, ndërsa ai që e krijoi është i parëndësishëm, si mjegulla e mëngjesit, si retë e parvjetshme. Si njëshi i Majakovskit.

Mbretëria e kundërfaktit, ashtu si Zoti vetë, i ka rrugët e paparashikueshme. Logjikën yjore. Shumën e këndeve të trekëndëshit më të madhe se 180 gradë. Vijat paralele të epshme dhe të takueshme. Medoemos të takueshme. Gravitetin të përbindshëm. Sepse është bota e gjërave të rëndësishme, të rënda. Pse rreh zemra, pse ndjejmë gëzim, frikë, trishtim, dashuri ndërsa flemë (çuditërisht urrejtja nuk bën pjesë në këtë ansambël! e keni menduar pse?) në dimërimin e vogël ditor, mbushur me aspirata, me pikëvështrime, me sikure të mëdhenj si Xhomolungma, me pengje të patretshëm si xhung(m)a! Aty zbresin supermanët shpëtimtarë që shpëtojnë foshnjën në sekondën e fundit para se tavani që po digjet të shembet. Aty vjen Master Joda dhe xhedajt, me vringëllima shpatash lazer, që presin e grijnë anën e errët të forcës. Aty ata jo vetëm që janë të vërtetë, por edhe të domosdoshëm. Ata janë thirrur të vinë aty. Janë jo të mundshëm, por të pashmangshëm. Kanë vërtet një mision, një qëllim. Në përputhje me përpjekjen dhe prirjen dhe epjen tonë të paprerë për përsosmëri. Ata vijnë epiko-lirikë, nën shoqërinë e dashurisë romantike, që kurrë s’mungoi, kurrë nuk dështoi, megjithë përpjekjet e paprera të voyeurizmit për ta vrarë pas shpine, apo edhe të llogarive të shpifura të jetës meskine të përditshme, atyre që këndet e trekëndëshit i bëjnë detyrimisht 180 gradë dhe që vijat paralele nuk i lenë të takohen kurrë, në asnjë mënyrë, nën asnjë kusht! Atyre që dërgojnë alpinistë në majë të Olimpit dhe Dodonës.

Psiqika jonë do cungohej llahtarshëm pa mitet. Edhe pse në ngashnjimin e të qenit e arsyeshme, me përvojë, moderne, ajo i merr mitet si gabime që duhen kundërshtuar si të tillë. Ndërkaq, ashtu turbull, ne ndjejmë që miti katalizon përvojat, diçka që nuk ka nevojë të jetë “e vërtetë”, që na frymëzon të shkojmë në drejtime në të cilat përndryshe nuk do shkonim kurrë. Ky dyzim mbi mitet është i natyrshëm për epokën kur shafraja e përfytyrimit njerëzor është vrarë nga “kundërmagjia” e teknologjisë dhe mediat me shashka, ujëra këto jo të tejdukshëm ku jemi zhytur pa shpëtim. Kështu tha pak a shumë Xhoni i Lashëve njëdizaj. Dhe Xhoni është një burrë i ndershëm. Dhe kjo e fundit, ndershmëria pra, është një mit urban që pëshpëritet këtejpari. Edhe kështu me rradhë.
A nuk ju duket që politika luan mitin ashtu si miti ka një nënshtrat thellësisht shoqëror dhe politik? Shihni mitet e mëdha të species sonë H. sapiens, Kapitalizmin dhe Komunizmin. Apo Lirinë dhe Barazinë. Dhe a nuk është termi ideologji një term “jangllësh”, një emër “qorrsokaks”, “misnomer” uzurpues që duhet zëvendësuar urgjentisht nga termi mitologji? Mitologjia marksiste, për shembull. Sa bukur tingëllon! Nukë?

Ashtu si teoritë e relativitetit mund të përdoren hëm për të shkatërruar botën në një sekondë, hëm për të kuptuar gjithësinë, edhe mitet kanë dy presa. Kujtoni mitin “arianë dhe semitë”. Që është i njëjti edhe kur djeg një dynja nën siglën “vdektë e ndryshmja”, edhe kur lulëzon një dynja nën siglën “rroftë e ndryshmja”. Por ndërsa askush me mendje normale nuk denoncon relativitetin, nuk e zhbën atë prej mënyrës se si ai është keqpërdorur, me mitet ndryshon puna. Mitet dekonstruktohen. Sidomos mitet shqiptare. Punë mode. Dhe kollajllëku. Çndërtohen nga duar rrufjanësh ndonjëherë. Inxhinierë çndërtimi. Psenë e dinë vetë ata. Është e modës dhe fitimprurëse sot të shash vlerat shqiptare, tha Kadareja. Nuk ka rëndësi nëse ky është një burrë i ndershëm. Për gjenitë kjo nuk shtrohet si pyetje, është e tejkaluar, është askiomatike ndershmëria, “s’ka lidhje” do thoshte një kosovar. Është ngjarje e pavarur, do thoja unë.
Opinionistët tanë vendosin një mal me argumenta dhe sidomos bibliografishë e referencash (i kanë merak veçanërisht këto të uruara citime, pa kuptuar që më së shumti ato tregojnë më tepër pasiguri, ose dëshirë për dukje, se sa rigorozitet shkencor) si skela çndërtimi tek shkatërrojnë mitet shqiptare - është shumë kollaj me thënë që s’jemi ata që kujtojmë që jemi, madje ka diçka prej të mençuri, të njeriut me këmbë në tokë të thuash psh, se Skënderbeu nuk luftoi për shqiptarì, por për fe, se miti i tij u mboll si fidan nga duar kopshtarësh – pa thënë se ku, në ç’tokë! apo se miti i tolerancës fetare në të vërtetën e zhveshur është mospërfillje ndaj fesë së tjetrit dhe tëndes, se delli etnik i shqiptarisë kërceu një ditë të bukur, pa pritur e pa kujtuar, në të tre grupet fetare njëherësh, (ngjarje probabilitare pothuaj e pamundur kjo), sepse disa njerëz me gramë vendosën kështu (një Zot e di pse këta njerëz u dëgjuan dhe u ndoqën si apostuj, kur përreth gëlonin edhe ideologji të tjera, aq më tepër zyrtare; për analogji, mendja më shkon te përhapësit e krishterimit mbas ringjalljes së Jezusit). Të gjitha këto zhbirilime dështojnë në një pikë: se nuk shikojnë që ato mite nuk pasqyrojnë të vërteta të rëndomta, fakte, kronikë të shkruar dhe nuk i nënshtrohen logjikës formale, gjeometrisë euklidiane, gravitetit të zakonshëm të së përditshmes. Ato manifestojnë aspirata, dëshira, të cilat edhe ata që i kanë (aspiratat dhe dëshirat, pra) nuk e dinë se i kanë në mënyrë eksplicite. Sepse ato burojnë dhe vinë nga nënndërgjegjia kolektive. Pyesni Jungun po s’besuat. Se kështu thotë ai. Dhe unë i besoj. Ndodh si me mekanizmin e një reklame. Qëllimi i reklamës është që të bëjë ty të duash me patjetër diçka për të cilën as të binte ndërmend para gjysëm ore. Dëgjon reklamën dhe thua si kam bërë unë pa këtë gjë deri më sot? Psh shikon një blackberry që lidhet me internetin. Dhe vrapon ta blesh. Atë që nuk e kishe pasur në mend fare para gjysëm ore. Apo e kishe? E kishe dhe s’e dije? Ka shumë të ngjarë të jetë kjo e dyta. Nëqoftëse ajo nevojë nuk do ishte precipituar në nënndërgjegjen tënde, asnjë reklamë nuk do të funksiononte. Në djall blackberry! Asnjë rilindas nuk do kish sukses në misionin e vet shqiptarofil, nëse në njerëzit e thjeshtë atje poshtë, që “by default” s’para janë të aftë të artikulojnë veten me qartësinë pedante që kërkojnë demontuesit, nuk do ishte ajo nevoja e pashprehur për atë identitet, që ngrihej mbi fetë. Nga kjo bazë ngrihet monumenti i shqiptarizmës si i tillë. Ndryshe Pashko Vasa mund të bënte poezi sa të donte, nuk do pinte ujë. Apo miti i Skënderbeut, po të doni: më tepër se shpikje rilindasish, ai ishte një aspiratë në shtresat e thella të nënndërgjegjes kolektive, aspiratë për bashkim, për kavaljerllëk, për fisnikëri, për dallim mes grupeve të tjerë etnikë, për dalje nga grija e rajasë së perandorisë, për çenikllëk, një “ah” i vjetër marazi për humbjen e dikurshme dhe të gjithëditëshme. Ja kaq i thjeshtë është ai fidani i Skënderbeut, që u mboll. Asnjë fidan nuk bëhet pishë madhështore po nuk pati substratin e duhur të tokës ku vihet. Skënderbeu, si person, e humb rëndësinë; po ashtu fakti që populli e kish harruar si strateg luftarak, si fitimtar betejash etj. Në mitin e tij këto luajnë rol të dorës së tretë. Një Skenderbe kërkohej dhe ai erdhi. Është kërkesa që ka rol parësor; jo oferta! Nuk është problem të prodhohet një mall; por ai duhet të kërkohet!

A nuk ju duket se në fakt janë të rriturit që duan të besojnë te Santa Klausi, arsyeja që pse ata nuk u tregojnë fëmijëve të tyre që ky nuk është i vërtetë? Dhe supermani, a nuk është një personifikim i dëshirës për ruajtjen e kulturës dhe vlerave amerikane, dhe sidomos e aq më tepër, i epërsisë së këtyre vlerave? Po fjalët e mira që thuhen për një të vdekur, a nuk janë shprehje e dëshirës që ai/ajo që shkoi të ishte vërtet më i/e mirë? Kur Fato labja u hodh në kësoll, e cingërisur nga vajtojcat që po thoshin për të vdekurin “o i pari i të parëve”, dhe tha kundërvargjet çmitizuese “i pari’ të parëve, o mut i gomarëve”, ajo me gjasë tha të vërtetën. Por pse e panë shtrembër të gjithë? Ç’ishte ajo mendësi që nuk i pranonte të “vërteta” të tilla?
Dhe nuk ju pyeta, a do donit të ishit ju ai ose ajo që do i sqaronte “të vërtetën” mbi Santa Klausin një fëmije?





No comments yet