Wednesday, May 14, 2008
Intelligence grise IV
Llafi i keq del shpejt. Keni parë kur zihen njerëz më ndonjë shesh? Qysh mblidhet tërë ai milet, si mizë e lisit! U zunë nja dy një herë te pallati i kulturës. Me grushte, krisëm. Mbërritën me qindra në çast, për sehir. Mitìng! Sherri nuk i kish bërë dy minuta dhe aty pat njerëz ardhur që nga uzinë e traktorëve. Një sahat larg! Po si vijnë? Si mundin? Jo vërtet, s’ka burrë që e merr vesh. E ja kështu, si vetëtima, u hap në fshat edhe ajo punë e Resmijes. Thuhej që kishte vajtur me brigadierin. Andej nga blloku i pjeshkëve, thanë, në vendin e quajtur Çerenisht. Kush i pa, e qysh e tek, nuk do merret vesh. Shoku s’kish mbaruar “punë” akoma e llafi kish mbërritur gjer në Bargullàs. Djalë dërrdëng brigadieri. Por e pikasën. Se si tha ai boti, “A di të vjedhç? Di! Po të fshehç? Jo! Epo mos vith, atëhere”! Se llafi fluturon, shkon vesh me vesh e mëndje më mëndje, ja vajti te Selim këngëtori, që hazër ishte:
Ra tërmeti, u dridh bota,
Çerenisht u hap zollota…
Si gjithnjë ai që s’dinte gjë ishte i shoqi i Resmijes. Por burrat e tjerë u murrëtyen ama. Se kanë gra. Gratë kanë brigadiera qafderra. Nuk kanë Merushe top sheqere. Dyshimet shtohen kur ka ndonjë vonesë të gruas, kur kjo vete shpesh për kafe te gjitonia, kur përdor karafil për qetësim të ndonjë dhëmbi... ç’është ky karafil, pse dashke ti të mbash erë të mirë… nga i re për të ardhur në shtëpi? nga “Arë e Gjatë”? po Myrtua aty ka qenë gjithë ditën, s’të kish parë ty kur kalove… se bëhet problem Myrtua, enigmatiku, sekretaxhiu, vëzhgimtari syzgalem, që mbase e kishte mendjen për thana kur po kalonte ora e zana, dhe s’e pa, atë që duhet ta shihte me patjetër, të dëshmonte praninë e saj tek Arë e Gjatë, në filan orë, me shoqet bashkë, grusht bashkuar… rreth brigadës, në unitet të çeliktë… e na fal, se u rrëmbyem një çikë, por e merr vesh ç’dua të them.
Kalua gjeti rast të tregonte meseletë e tija. Të gjitha kundër grave. Prapanicës së fëmijës dhe asaj të gruas, s’u zihet besë, kishte thënë dje nga blloku i qershive. Po pse, o Kalo? Se ta menderosin muhabetin kur s’ta pret mendja hiç. Burrat tundnin kokën me mirëkuptim. Ato krijesa enigmatike me lëkurë të lëmuara, ishin atje, si numuri i parë i Zërit të popullit, “me një mision, me një qëllim”, që tua hidhnin burrave, të tregonin epërsinë e gjinisë, prandaj, nëse puna e tyre është të fshehin gjurmët, puna jonë është të gjurmojmë. Duel i heshtur hesapi! E muarrt’ vesh ç’i ndodhi Zurdos? Jo? Kish vënë re ai që po i pihej si shumë raki në shtëpi. E bëri shishen me shenjë. Iku. Kur u kthye gjen dy dopjo më pak. Merret vesh ku i vajti mendja. Ika, i tha gruas prapë. Dhe bëri sikur u nis vërtet e vajti u ngjit në tavan. Kish bërë një vrimë për vëzhgim. Pa gruan që po këndonte me vete. Përgatiti ca mezera. Vuri gotën mbi tavolinë. Tensioni Zurdos 24! Kush do ishte vallë ai bumbashiri? E shoqja e mbushi gotën rrafsh dhe e ktheu eks. I dha kokës prapa tek kthente gotën dhe sytë i mbenë tek vrima nga përgjonte Zurdua. Bëri sikur s’mori vesh gjë hiç, shtrembëroi turinjtë si me neveri, dhe tha: “bwahh, si e pinë të zestë burra”! Hi hi hi… Mor, hallall rakinë! E, mirë, mo u dhjasni, se po të kërkonç, del nafta…
- Eh mor djem, - tha Kalua. - Mos të zëntë, oree!
Kjo ishte ditë tjetër, te blloku i qershive. Ngaqë haberet e ndodhirat në fshat ishin të rralla, e ndonjë grup armiqsor nuk kish dalë së fundi, Resmije story shtrydhej me pikatore si limon i pakët, si ilaç, nga pak përditë, në pushimet e drekës me bukë e dhallë. Ishte salcë e safron, që i bënte pikante ditët me kor gjinkallash, që dukej sikur këndonin hitin lab “o nëpër vapë, aman, aman”, dhe me foragjere të pafundme që kositeshin me krahë.
- Eh, punë fati ajo, o Kalo!
- Jo dhe aq, - tha ky.
- Po si?
- E dini ju atë meselenë e tri porosive?
- Jo! Ç’porosi janë ato?
Kalua mori një hije sokratike. I numuroi porositë me gishta.
- Porosi e parë, “gjënë e mirë mos e trego”!
- Ëhë?
- E dyta, “gruas mos i beso”!
- Ëhë, ëhë…
- Ja Haxhi Bektash!
- E treta, “të ligun mos e ndihmo”!
- Nc nc nc… Nassredin je, o tu mbylltë! Nga i di gjithë këto?
- Është meselè e vjetër kjo.
- Pa hë?
Në një mbretëri të largët shumë po vdiste kryeveziri. Para se të vdes, i tha të birit, po të jap tri porosi. Dhe i tha ato tri porositë që thamë, e mbylli sytë e vdiq. Të birit sikur nuk po i vinte mbarë ti besonte. Me gruan shkonin mirë, në gjendje ishin, influenca e potenca po vardha. Kishin një çiflig që s’kish shok në gjithë mbretërinë. Një ditë vjen një delegacion nga mbretëria fqinje për vizitë. U bë tertipi. Axhendat, si i thonë sot! Hidhet i biri i kryevezirit, që i zuri vendin të jatit e u bë kryeveziri i ri, dhe thotë, le tu tregojmë edhe çifligun tim delegacionit. U tha, u bë. Delegacioni mbaroi vizitën. Në ikje e sipër, duke lënë përshtypjet te mbreti, thotë që të mirë e kishit çdo gjë, por ilaqim, ai çifligu i kryevezirit s’kishte shok, ishte “i paparë”. Edhe ikën ata. Hmmm, mirë, OK, dakort, po mbretit sikur s’po i vinte për hosh kjo. Si e paska ky atë çiflig dhe jo unë. Mbasi kaluan pak ditë, u sajua një sebep, sikur ai çiflig i duhej mbretërisë, e morën, e dëmshpërblyen kryevezirin, dhe aq qe ajo punë, të nesërmen ky u gdhi pa çiflig, vetëm me një thes me pare, që s’i hante as dreqi.
I doli porosia e parë.
Në shtëpi bërë si kësoll e zi!
- Do hakmerremi, - i tha gruas.
- Patjetër, - ia kthen kjo. - Ç’mendon ti bëjmë qënit (dmth mbretit)?
- T’i marrim djalin e vogël! T’ia zhdukim!
- Mirë e ke menduar.
Djali po lozte me peta anës shtëpisë së kryevezirit, se ashtu si punë e bllokut të udhëheqjes i kishin shtëpitë afër e afër parìa edhe atje.
(Ja-lla, o Kalo, hi hi hi…)
Kryeveziri e merr djalin vërtet dhe e shpie në një vend larg e të veçuar, me lodra për t’u ksehasur e engledisur birkua, nën kujdesin e njerzve te tij. Merr një qengj, e fut në thes, gjoja ishte djali, dhe i thotë gruas, ja ku është, ta zhdukim, dhe ashtu e bënë.
(Pa pa pa, ç’shpirt katile! Grua ore, ç’pyet! Nc nc nc!)
Gjurulldi e madhe në gjithë mbretërinë, shpallur gjendja e jashtëzakonshme, vënë paratë e dynjasë, drrënk! për atë që do gjente djalin. Si ajo punë. Kalon nja një javë dhe se për se grinden burrë-e-grua kryeveziri me të shoqen. Jo ti, po unë!
(- Po ata sikur shkonin mirë…
- Aman, o Ziko, sa huq të lik e ke, lërna or, ta dëgjojmë një mesele rehat, në paç besuar Perëndinë.)
Në fund i bërtet kjo, lesh-qenia, dhe i thotë po ti i tilli dhe i atilli je, se po të mos ishe ashtu, nuk e vrisje djalin e mbretit. Dëgjohet kjo, hafijet gëlonin cep me cep. Një ta mbërthyer e një ta plasur brenda. Dënim i menjëhershëm.
(Nc nc nc)
I doli dhe porosi e dytë mikut, që gruas mos i beso.
(Ëhë, ëhë)
Vjen ditë e ekzekutimit. Varje në litar!
Kreshpëruar gjindja. Armik tjetri. I mbretërisë, babam! Mbas tablosë sinoptike, njerëzit ishin të përndezur.
Litarin në grykë.
Kur nga turma del një fytyrë e njohur për ish-kryevezirin. Një djalë nga një soj pacak e lamash, që e kish ndihmuar një herë vaktit si jetim që ish e pa përkrahje, e kishte marrë në punë dhe bërë njeri. I kishin thënë ca, që ç’e ndihmon pocaqinë, por s’i kish dëgjuar. Ky birbua, si më i zellshmi nga të gjithë, doli e tha, i ndërkryer, që më lini ta godas unë stolin nga këmbët e armikut kur të varet. Rroftë lartmadhëria! Ymër nga i yni!
Ish-kryevezirit i doli dhe porosia e tretëëë…. Të ligun mos e ndihmo. Nuk të zihet as sevap, as nder.
(Moo-rè, moo-rè! Ja çuk’ e Tomorit!)
E kshu u xgjith ajo punë pasandaj.
(Nc nc nc)
- E, ngrihemi tashti, se na zu akshami?
Burrat u ngitën me torbat bosh në duar. Mes tyre dhe më i riu, një djalë 18 vjeçar. Dukej shumë i menduar. Koalicionit të armiqve të përbotshëm sapo i ishte shtuar edhe një. Gruaja. Por një porosi e katërt, dëgjuar s’dinte ku, i këmbëngulte në mend: Duaje armikun tënd!
No comments yet