Sunday, April 6, 2008

Intelligence grise 2


Ky nepsi ynë historik-pellazgjik për armiq na ka bërë popull obez. Kur mos kem njeri! Armiqtë aty ishin, në mest tënë dhe përjashta mesit, por ne nuk ngopeshim me aq. Gjithnjë në agoni për karbohidrate armiqsore. Çështje genesh, thua? Se ja, psh, atij vesit të duhanit ia gjetën genin tani së fundi. Kushedi dhe ne do e gjejmë atë tonin, që na bën aq hazër për sherr. Po ku është mor’ ky armiku, t’ja ashushim nonën e të bim rahat! më tha një herë një shok, i cingërisur në kulm mbas një mbledhje kolektivi, që pronocoi armikun e rradhës si recetën e fundit nga Martha Stewart apo Emeril. Nejse, ai shoku e kishte një kleçkë biografie, që s’ja thoshte askujt, pasi e bënte kandidat të sigurtë për ingredient kulinar mes një popullate të uritur. Mëlçi në qafën e ujkut! Mulçi në fëltere të jevgut! Prite Zot!
Çaplinit të uritur në kulm, në mes të dëborës e kallkanit, shoku afër i dukej si ndonjë suxhuk me avull apo pulastren në rotiseri; edhe neve ai boti i panjohur atje jashtë na dukej armik si fillim; deri sa pa u vërtetuar e kondërta, merr vesh... Se syri sheh atë që do të shohnjë. Dhe sytë tanë na qanin për pak ashtuzë, për pak ashuthi; stomaqet tona gumëzhinin për një çikë hasëm me kontorno deliriumi. Ushqimi i vërtetë për ne. Se ai emërori, ai me proteina e kalorira reale, ai nuk quhej, vinte në plan të dytë, në tallon të tretë. Politika (dmth gjetja e armiqve) në plan të parë, babam! Deri dhe pulat e shushatura nuk pillnin vezë, por kapitalizëm. Nuk çanin prapapnicën për një vezë më të madhe socialiste. E ruanin shumë b… e tyre individualiste!!! Qenë armike klase, jo fakire glase! Përpa u futur në pularinë kolektive, të kam rixhà. Shelegët rrinin mendushëm, meditues, kokëmënjanë, me pikëllim privat qymezi, jo me frikë e tmerr kukurreci! Qingji i vogël sa më pa mue, uli kryt-e, uli kryt-e oj, tuj mendue… Sa për tallonin, OK, ë-hëm! (kruarje zëri nga mukusi i vështirë i këputjakotit) … se shiko, kuptoni drejt, ai nuk është racion, mos e merrni ashtu. Po çfarë është? Është një shpërndarje më e drejtë, më largpamëse, më poliedrike, më sizmike, më combo-gumbo-lumbistike… e ku di unë, me një fjalë, aq e thellë, aq e thellë, aq metaforike, aq metonimike, aq filoqylike dhe komiteto-qendroristike, sa që të mbyllet goja, të merret fryma, të ngrin diafragma kudo si të ndodhet, nga thellësia e madhe, simomos mos-o-zot po të qëllonç tip që ke frikë nga lartësitë, pu pu pu, e s’ke ç’thua gjë hiç, veçse të habitesh, e më pas të shkërrnditesh, nc nc nc, ç’ka kjo dynja, babam! Ja Abas Ali! Pardon! Ja hazreti Josif! Ja shën Isuf!
Se që thua ti, për filozofi, për të marrë mëndjen me llafe, gjer tek ne e kthehu pas. Se i madhi ynë na pat thënë qëmoti: unë jam filozof i madh, ju të tjerët të jeni filozofë të vegjël, bëhuni mini-mi për mua, si punë e Dr. Evil. Edhe aq u desh: më keq se në agoranë gjitone, në një bulevard q’e patnë ndërtuar pepìnot, mu si mizat e mushtit, pardon, të lisit, gumëzhinin dhe bënin atë të qojturën “xhiro” (ose “gjiro” për gjithë shqiptarët që s’e shqiptojnë dhe s’duan as ta shkruajnë “ç”- ënë apo “xh”- ënë e mallkuar, kudo si të ndodhen), pra bënin xhiron dhe filozofinë e gjithë botës mini-minjtë. Po ku qëlluan të gjithë aq të mënçur, mor aman! Mbledhur në një qoshk të dheut! Gjasë e vogël shumë, por jo zero, hë tu bëfsha, hë derman! Hë! Aty ma lidh gajdhurin! Dhe kjo punë e filozofllëkut, tip mulli me erë pa bereqet që bluan bosh qënkësh punë e madhe! u ngjitkësh si virus, si sidë e si grip toksiko-etnik. Nga ai bulevardi i qëmotit në cybermiletin e sòdit. Me bulevard virtual. Me mini-mi në dorë. Dhe e di ç’është e bukura? Ashtu si qëmoti, “filozofët möchtegern&wannabe” ja këpusin qorres, thonë dokrra pa fund, dhe kurrë s’mungojnë tipat e ngashnjyer, si dje, që futen në sallonin vanitoz möchtergèrnas, me shpresën se do duken të mençur shumë edhe ata. Ngaqë “kuptojnë”! O kohë, o zakone! Dhe ajo historia e asaj “tablosë” që medemek-piktorët sajuan në oborrin e mbretit, përsëritet në mënyrë të trishtë. Tabloja s’qenkësh fare tablo, veç një kuadrat bosh, por llafi ishte që kush s’është fisnik, nuk do mundet të shohë gjë në të. Edhe të gjithë lëvdonin atë që s’shihnin. E shikon sa i bukur ky detaji këtu, thoshin për boshllëkun? Nc nc nc… po po, tundte miratimin (se kokë s’kish) tjetri, si ka mundësi që e ka bërë… pale kjo këtu, dhe tjetër boshllëk lëvdohej, natyrisht, jo aq për hir të asaj që shihej, dmth që s’shihej, por për hir të vehtes… eh ego-xxxx (ku x = whatever), i paparë thuaj… Se më kujtove ato gratë e pshatit të pashok Q. Jo pshati i Fato labes, jo. Qe më në perëndim ky. Venin graria për dru, larg me orë, e bënin një barrë të madhe, e ngarkonin, mbushnin edhe nja dy bucela të rënda ashtu si vjedhurazi në një burim të pshatit fqinjë, se Q ishte vend i thatë, ngarkuar edhe bucelat, dhe duke ecur, punonin me shtiza e bënin çorape a fanella leshi për burrat lëkurëzdrënkth… e mo u habit, aman, do kërrejmë dhe nà fjalë të reja tanithi, pse jo?… e kur i thërriste mëma natyrë, s’u arrij puna të çkarkoneshin, por e bënin ashtu si ishin, me dru e bucela “on”… dhe kur lëvdoheshin për zotësi dhe përvojë (të përparuar), krenoheshin “eh, ne kemi dhjerë ngarkuar”… Si the? S’ka shumë lidhje? Po ja, sikur po flisnim për krenaritë kote, apo jo? Për krenarinë e pëgërjes. Pastaj kur i lejohet Shvejkut, pse neve jo? Apo pse qe çek ai dhe vardha! Ç’fluturon, hahet! Ne nuk tutemi para asnjë lloj sfide nacionale. Nuk kemi më komplekse ballkani! Pikë. Period. Aussss! Mos e kruaj me ne! Don't you mess with us! Se jemi edhe NATO nashti! Me ne, cing! Sakën, me ne!


No comments yet