Saturday, February 23, 2008

Ylli i evgjitëve


Shansi ynë i kahershëm për korrektesë politike, provë e gjallë e tharmit tonë diplomatik, e modernizmit tonë, europianizmit, erudicionit tonë gjithpërfshirës: fat që u kemi në mes tënë, evgjitër! Ç’do bënim pa ju, si do ish fëminia, si do mësonim paudhësitë e hershme, hilet e vogla pa ju, rugaçët virtuozë të mëhallës! Kush do na kujtonte për aheng në kohërat e errëta, me qasjen e pavdekshme “shyqyr që na boni Zoti jevgj, me bo i çik qejf!” Ortakë në lojra, brazilianë të topit pesëdhjetësh, të futbollit zbath me porta hungareze, Pelè gjunjëvrarë e Raxh Kapurë me gërnetë - shpirti i dasmave, të vetmit shoubiznes në socializëm!

Balsam për egot e hutuara nën diktaturë: e si të mos ndiheshe trim kur dëgjoje “mçifu mas gaxhoit”? Si të mos ndiheshe i urtë, i përmbajtur, madje i mençur, kur i thoshe tjetrit “mos merr kot si pushkë e jevgut”? Sa lezet ka superioriteti! Fisnikëria relative. Gjaku blu venoz, citë me dioksid karboni. Dhe gazra të tjerë.

Shpirti i komunales, i rrugëve të natës që i eksfolionit me mshesa shqope, duke kositur ritmikisht pluhurin gaxhi, kësh… kësh, me ritëm ëndërues. Liberalët e vërtetë që s’kish Plenum IV apo Kongres XIV tu bënte gjë.

Ju kujtohet diktatori? Që ju donte, siç thoshte. Mburrej se një evgjitkë e kish mëkuar si foshnjë. Prekëse kjo! Shumë. Tamam si filmi “Burri me pantallona të shkurtra” apo “Hoselito”. Apo dhe më prekëse. Ju kujtohet kur treguat etnikisht pjekuri, kapje të situatës, kur thatë rroftë Partia, rroftë Enveri, se Mehmeti desh na theri. Me një mprehtësi politike e largpamësi të paparë, viiiite dritë para tablosë sinoptike të poliagjentit. Dhe kush! Ju që s’u morët kurrë me politikë! Si shpjegohet? Enigëm e pazgjidhur.

Të izoluar. Ne dhe ju. Delir gaxhi. Ju, i vetmi komplement etnik nga gjithë ç’ofronte bota e madhe, raca tjetër, e ndryshme, bluz, Çikago dhe Misisipi delta përkthyer keq, masë amorfe pa Martin Luter King, por me gjithfarë profetësh të vegjël, eremitë, karrocierë plehrash me kuaj trok-zvarrë amà estetikë, Bedrana dhe Manjola. Kërcënimi i prindërve tanë konservativë, rrezik real anglo-amerikano-evgjit, pjekie e parakohshme hormonale, herezi për dàire dhe orkestër.

Nuk të mbaj mëri jevgu me emrin Enver, shkurt Veri. Ma hodhe paq kur lozëm me zara dhe arra. Fitova. Mora arrat e tua, shkova në shtëpi, i çava. Ti u kishe marrë thelbin më parë. Kishe futur baltë brenda dhe ngjitur lëvozhgën me mastiç. Si Balouni. Leksion i vërtetë jete. Ne ishim të barabartë si pulishtë. Më vonë do bëheshim gomerë të ndryshëm. Ca buzëbardhë, ca buzëzinj. Siç dhe u bëmë. Vive la difference!

Jevg, magjyp, xax. Foljet që përdoren shumë bëhen të parregullta. Subjektet e përdorur shumë kanë mori sinonimesh. Pac, kuluf, gabel. Parregullsia jonë e shpërdoruar. Prap patëm nevojë për ju. Tamam për atë avazin e vjetër. Korrektesën politike. Na u desh ylli juaj, jevgj jo të dashur, por të dobishëm! Natyrisht, jo tua vendosnim në Walk of Fame; s’e kemi atë takat. Por diku gjetkë ua qëndisëm. Ju natyrisht as që e vrisni hiç për punë simbolike e më the e të thashë. Se punë gaxhinjsh ato. Me korrektesë politike evgjitore!

Shyqyr që boni Zoti jevgj!


No comments yet