Saturday, June 23, 2007

Gulf Shores


Arratisur, syrgjynosur
Një javë arratisje nga blogosfera, nga shoqëria virtuale, tamam kur kjo duket që është kthyer në addiction sui generis, nikotinë e shkuar nikotinës, heroinë e shkuar heroinës, nga ato që të thonë se ta ka kthyer tastierën në gjinj femrash dhe monitorin në vaginë, pra një javë arrati nga kjo cyber-duhmë më kujtoi një situatë të ngjashme, më pak teknologjike, por po aq brerëse, dhe pikërisht kohët kur përpiqesha të lija duhanin. Atë javën e parë aq të vështirë, kur vërtet je gati të falësh mbretërinë veç ta thithësh një herë. Një herë të vetme! Kur e di shumë mirë që nuk ka “një herë të vetme”. Ka ose zero, ose pambarim.

Bota virtuale është difuzuar rëndshëm me realen tonë. Neuronet e saj fqinjërojnë me ata të nikotinës. Si difuzioni i metaleve – pllakat e floririt kur ngjiten me të plumbit mund ta prarojnë këtë të fundit në mënyrë të pakthyeshme - pra si metalet që japin e marrin me njeri tjetrin në difuzionin e ngurtë, duket se dy universet janë pleksur keqas në botën e njeriut të sotëm, si kemi qejf të përkufizohemi.
Unë dua të besoj se floriri i virtuales praron plumbin e reales sonë.

Erdh kohë abstinence; dietës sime South Beach iu shtua agjërimi virtual. Në nxitim e sipër, duke u nisur heels over head në pushimin e planifikuar si gjithmonë mes rrëmujës së mbledhjeve e projekteve të korporatës, harrova ushqyesit e laptopit dhe blackberryt, por kjo ishte më tepër pretekst se sa shkak për stakimin nga rrjeti virtual. Marketet ku ushqyesit ofroheshin në shumëllojshmërinë e zakonshme ala Wal-Mart apo Target ishin veç dy minuta larg. Ndoshta ëndërra ime për atë finalen primitivo-organike të jetës, fortifikuar pas muresh të trasha të 401k dhe të Social Security, diku pa internet dhe e-mail, me shumë pak FOX, CNN dhe HBO, por me shkurre mesdhetare dhe dhi si manare rreth e rrotull, pra ëndërra ime e largët e Bregut të Detit, nxori kryet nga kushedi ç’cep i ndërgjegjes duke thënë “ç’thua, sikur ta bënim një provë”? Nuk i thashë jo. E lashë veten të përpihem nga joshja oqeanike. Nga Gulf Shores. Një kurë anti-cyber-addiction, për të cilën jam shpotitur më tepër se për kolesterolin, nuk ka dëmtuar askënd.

Doing the garden, digging the weeds, who could ask for more? Will you still need me, will you still feed me, when I’m 64…. OK, OK, puna s’ka vajtur gjer atje….




Phoenix
Gulf Shores më është i njohur tashmë. Pas gjashtë bujtjesh këtu të lind e drejta të ndihesh pak i brendshëm. Natyrisht jo si i shtëpisë, si fjala vjen mikesha ime Stephanie që punon për SAS Institute (North Carolina), e cila njeh deri diferencat në gatim midis restoranteve të shumtë që ofrojnë menu me ushqime deti (karkaleca, lobster dhe gaforre, kryesisht), por sidoqoftë e kam kaluar fazën kur ti ke nevojë për hartë apo për mapsonus.com që të gjesh hotelin. Për dikë që jeton në Atlanta dhe do të shkojë për pushime me makinën e vet ka dy zgjedhje: Atlantiku në veri ose Gjiri i Meksikos në jug. Largësia është e përafërt, rreth 6-7 orë udhëtim. Në veri të pret Karolina e Jugut, destinacione si Hilton Head apo Charleston (Myrtle Beach mund të quhet larg, sidomos kur kerrit i grreh një vetje); ndërsa në jug ka një seri destinacionesh në të famshmin Panhandle që ndahet mes Floridas dhe Alabamas.

Ka kohë qe kam zgjedhur në favor të Panhandle. Është më ngrohtë dhe rëra më pëlqen më shumë se në plazhet e Atlantikut. Një rërë e bardhë aq sa të vret sytë. Edhe uji është më i kulluar – grimcat e ngurta që shkaktojnë turbullimin e ujit pranë bregut, janë më të mëdha dhe precipitojnë shpejt, pa pluskuar turbullirë si në Atlantik.
Shtoju ketyre dozën ”Forrest Gump” që duam ti marrim Jugut, e cila na ysht andej; sepse Atlanta metropolitane nuk është Jug, por implantim i Veriut dhe Perëndimit amerikan në Juglindje.

Më ka ngjitur me të njëjtin kompleks hotelesh, Phoenix të shoqerisë Brett&Robinson. Kam zënë karar me ta. Vërtetoj thënien e dikujt, Balzakut më duket, që jeta është një zakon i ushtruar në një mjedis të preferuar. Në mos Balzakun, vërtetoj faktin që pleqëria dërgon emisarët e vet në mënyrat nga më të padukshmet dhe të kamufluara. Një ndër to është krijimi i tabiateve, zakonve, huqeve. Tmerrohem, ndihem si kalë i kuq kur dua të jem çil, ndihem i sulmuar nga viruse tinzare, por prap nga Phoenix-Gulf Shores s’heq dorë.

Shpresoj ti thyej të dërguarit e pleqëri viranes, të pathyeshmes pa thembër Akili, me mjete e bëma të tjera. Dua të jetoj fitoret ndërsa dështimin një ditë e kam të sigurtë.... kjo më bën trim të çartur. A s’është siguria e humbjes baza e çdo trimërie?

Doing the garden, digging the weeds, who would ask for more? Do you still need me, do you still feed me, when I’m 44….


Interface
Ne shqiptarët kemi të drejtë të jemi buzëhollë me plazhet. Detin e kemi në gak; jemi njohës të vjetër të oqeanit dhe detit, dimë se ç’duam. Kemi pas peshkuar para se të merrnim malet e të bëheshim çobenë. Detin nuk e kemi qejf nga bikinit. Deti meriton dashuri tjetër. Jo dashuri jaranesh gjysëmorëshe. Deti s’është evgjiti me tepri testosteroni. Atë s’mund ta duash “më këmbë”, sikur po bën një quickie për shfryrje. Ashtu si dashuria e vërtetë në fakt shijohet pas orgazmës, kur trupat janë ftohur, pasi magma u derdh “mbi Pompeun dhe periferitë”, ashtu dhe deti nuk shijohet kur noton në të, kur surf mbi dallgë, kur kokodashesh me dallgët…. OK, ti i gllabëron të gjitha këto kënaqësira, me oreks, me ofshamë, bile me ulurimë, i ke në qenien tënde, por s’i ke tretur akoma. Pret muzgun e qetë ti ripërtypësh, tu zbërthesh gjithë celulozën e fibrat në grazhdin e mbyllur të unit tënd. Të gjitha këto më vijnë në mend në shetitjet solo gjatë bregut, parapëlqimi im numër një. Më ka magjepsur gjithnjë ajo vijë e paqëndrueshme mes oqeanit dhe tokës, vend takimi i dy universeve. Të dy fillojnë dhe mbarojnë njëkohësisht aty, varet nga pikëpamja. Kjo thyerje terminale e njëtrajtshmërisë, kjo megapërplasje (dallgësh, të cilat oqeani s’i prodhon dot pa tokën) klasifikohet si “interface”. (Shqipërimi “ndërfaqe” më duket shumë i kërkuar, nga ata që të shkaktojnë ngërç në nofulla. Provoni “dyrrotak” apo “doracak” e mbase më jepni të drejtë). Me shqipërim ose jo, interface-t janë intriguese se bash atje ndodhin reaksionet, inskenohen dramat, krimet apo mrekullitë.

Kufijtë mes epokave janë po ashtu interface, ku koha dendësohet në mënyrë të paparë. Kur kjo nuk ndodh, është sikur bregu mes oqeanit dhe tokës të stërzgjatet, të humbasë bukurinë, të bëhet moçalishte, ku në vend të zgalemëve fluturojnë mushkonja. Ti mund ta quash llucën e baltosur me emrin “tranzicion”, por ajo nuk do duket më seksi. Më kujton kërshërinë e djemve të një klase gjimnazi kur dëgjuan se do u vinte një gocë e re në klasë me emrin drithërues Dezi, e cila kur shfaq, solli plot emra të tjerë ndër mend, si Ishe apo Shaje, por asgjë nga Dezi. Dhe njëri tha, “derr p*dhi ishte nga emri”!

E vërteta e interface-ve si mbartëse e vatrave të nxehta të ndryshimit, është universale. Shkoni në strukturat më të imta të planetit, të tokës, në grimcat mikropskopike me bazë silikoni, hekuri apo alumini; pikërisht aty ku grimcat mbarojnë, thyhen , në fund të atyre rrjetave të rregullta kristaline apo monotonive amorfe, aty ku rregulli prishet e vazhdimësia ndërpritet, aty shfaqen ngarkesat e tepërta, të pabalancuara, të paneutralizuara elektrike. Që për fatin tonë e bëjnë Tokën të aftë të mbajë lëngun që furnizon gjallesat e gjelbra mbi të. Nuk ka rëndësi sa i madh je; puna është sa sipërfaqe kontakti ke, sa interface? Shikoni sa shumë interface ka me detin Europa e vogël dhe sa pak Afrika e madhe.

Këmbët e mia nuk lenë dot gjurmë mbi bregun e pjerrët. Uji s’ma var, rëra më gënjen. Janë të zënë me njeri-tjterin, nuk duan një të tretë, a third wheel, un’ terzo incomodo. Ata janë paradigma e mardhënieve të dy individualiteteve të ndryshme që synojnë ekuilibër, por s’gjejnë kurrë qetësi. Ky është bekim. Ekuilibri kërkohet për të mos u arritur kurrë. Lavdi Zotit për pikat e nxehta, qendrat sensitive, rajonet shpërthyese. Thuaji JO vdekjes termike! Pellgjeve të ekuilibruar, në qetësi me veten, të aftë të mbajnë veç bretkosa që jargavisin puthje, por nuk bëhen princër. Ashtu si nuk mund të mbajnë as sirena, për të cilat thua, vdekje, ku je!

Pllaq-plluq….shetitjet buzë detit natën të bien pranë diçkaje kozmike, ku ti beson më lehtë në X-files apo Genesis. Nuk është vështirë të imagjinosh një ur-qenie që vendosi të hedhë hapin e parë nga uji në stere, me currilat e solucionit oqeanik që i pikonin çurg nga kushedi ç’luspa e gjymtyrë. Stërgjyshja jonë e përbashket, e tipave të nesërm të steres, e “stereotipave” po të doni. Bujare nata, shih sa poetike ti bën mendimet, sa afër ti sjell yjet vizllues. Natyrisht kur dita vjen dhe qepenat e vitrinave të surreales mbyllen me kërkëllimë ëndërrprishëse dhe ato të reales hapen me kuisje pa vajisje, ti mendon që jeta mbi stere ka shumë gjasa të ketë filluar mbi baltovina e cektësira kënetore, pa pikë thellësishë e bukurishë oqeanike. Plumbi i realitetit gri kurrë s’qe aq bujar sa të të stërpikte me pak prarim floriri. E dimë, e dimë. Dushi i ftohtë i arsyes na e rrëqethi një mijë herë kurrizin. Pra mirëseerdhe tek realja, tek luga plot pilaf realiteti, leri filozofirat dhe pa mi shiko një çikë këto bikini kaq bujare, që s’lenë shumë vend për fantazi, por e orientojnë trurin të shkojë në gjëra të prekshme, të ngrohta e plot lëng konkret. Si the, s’të pëlqen kaq shumë lakuriqësi, i do femrat përgjysëm të zbuluara, me ato funde të shkurtra, palat e të cilave i merr era e detit për të zbuluar pak sekonda kofshët e bronxëta e për ti mbuluar sërisht? Përpëlitja e atyre palave të shkakton përpëlitje truri? Hm, se si paska thënë Hygoi, që femra gjysëm lakuriq na qenka e armatosur me armën më të tmerrshme? Fantazinë tënde të shfrenuar, medemek? Your dirty fantasy? E shoh që e paske kapur keq me francezët sot. Po ti leri francezët, se atë punë kanë ata. Edhe puthjen e kanë allosoj…. Hë, pse s’thote njeri puthje gjermane apo zvicerane… Si i thonë asaj këngës së vjetër: La Mansh e tatëpjetë, siç ka qenë do të jetë… Mos u shfokuso, pra. Se këtu i thonë Shqipëri. Selanik e tatëpjetë, siç ka qenë do të jetë. Ne s’i duam gjërat e midista, ato na duken të pista, jo po pala minifundi, jo po vithja kur ia shkundi, jo po veshje gjysëm transparente… ne jemi dashnorët e ekstremeve, s’ka ketu gili-vili, o dac si të ka bërë nëna, o nën zhaqeta e kasketa e palltosura gup e guna me flokë, sharqe pra… hë, derman! Mos u bjerr me abstrakten. Doje një çikë hënë argjend, ja mbi kokë e ke. Hapi sytë. Hënën nuk e bren xhelozia për yjet që ha veten ashtu, por thjesht fakti që dielli e rreh në kënde të ndryshëm. Pse s’e kuptuat këtë një herë, xhanëm? Edhe baticat dhe zbaticat nuk janë lëshimet e ndërsjellta që toka dhe oqeani i bëjnë njeri-tjetrit në dashurinë e tyre të koklavitur. Nuk ka nga këto gjëra në imperiumin e reales, ku orët e malit pijnë tequila në vend të vesës dhe zanat janë bërë prej kohësh, qysh prej Migjenit, “girls next door” dhe kanë kapur, s’di në ç’qytete të infektuara, viruse jaranesh. Batica dhe zbatica shkaktohen nga tërheqja e hënës jo poetike. Ja kështu. Basta. Dashke stërhollime ti. Stërhollimet nuk të shkojnë këtu. Me Gulf Shores a pa Gulf Shores. Dashurirat dhe ndërzimet bëhen me penis dhe vaginë, jo me tru. OK? Qysh në kopësht duhet ta kishin mësuar këtë. Ç’edukatore ke patur? Ç’oqean duhet të kaptosh që ta marrësh vesh këtë, në ç’kontinent duhet të arrish, në ç’gadishull, ç’metropol të lashtë?

Po prap ti s’merr vesh. Ore, ditën dhe natën ta bën parlamenti, të thonë. Kjo është poezi, Shekspir dhe Zyko Kamber bashkë. S’ka Apollon që tërheq karro te zjarrta; Apollonin e çuam me shërbim ne. Megjithqë karrocieret i vemë në krye të vendit shpesh herë. Të kujtohet një Pali, Pali…, jo Dukagjini, mor jo, atij i merr të keqen, as Vata, as Mëlyshi e as këlyshi… eh, lere fare, e kemi nga amnezia…. harrojmë shumë si popull… Edhe qejfin që kemi kur vijmë buzë detit, e kemi se na shohin me zili, kupton ti, Spanjë, Turqi, Greqi, dashnore, biftek, sekretare, ça do mo… ne vdesim për zilinë e të tjerëve, ç’më përrallis për misterin e mëkatit të parë, të hapit të parë që ur-qenia hodhi në tokën e ndaluar, të kompleksit të rikthimit në vendin e krimit… sa qejf i keni këto komplekset një herë…. Pa një, pa dy, s’bie dakord me tjetrin, je me komplekse i thua, ka lezet, futi dhe ndonjë emër kumbues, skandinav po qe e mundur, dhe e këpute tjetrin, kompleks-ziun…. Ky milet njeh vetëm kompleksin e gomarit; kënaqu me gjemba dhe rrit rroçkën. Nje kshtu-na! Gamor-complex. Tingëllon shumë shkencore dhe skandinave gjithashtu, me pak kripë Turqie sipër, për lezet. Se edhe kënaqsine sublime të french kissing po me atë logjikë e shpjegon ti, dëshirën për rikthim në vendin e mëkatit origjinal, që të pru në jetë. Ti qofsh! Ti ke mbet’ te ura, or qyq. Ne jemi post-modernë, dmth jemi shkërdhata. Një dorë në celular dhe tjetrën në gjenerator. Jemi bijtë e atyre që një dorë e mbanin te pushka dhe tjetrën te kazma. Dardha nën dardhë. Dhe si atëhere, kur s’kemi as kazmë, as pushkë, as celular, as gjenerator, duart i mbajmë në një vend tjetër. Krruhemi dhe ngrohemi. Një rrugë e dy punë. Jemi efiçientë, or tunjatjeta…. o sa kto male, o sa kto… se s’po du me këndu tani….

Urat e thyera të shpresës
Sidoqoftë, edhe unë poetiku ka momente që vij në vete. Nuk kërkoj me patjetër metafora dhe domethënie në çdo gjë që shfaqet në breg. Nuk jam aq i pashpresë. Ja, i sheh ato ura që zgjaten nga strereja në oqean? Mos u sëkëlldis, nuk do i quaj krahë të betontë të tokës hedhur mbi supin e kaltër të detit…. etj … etj…. Janë ura dhe pikë. Kudo i ke nëpër Panhandle. Me të reja, të bukura, të fuqishme, krenari e aftësisë ndërtuese të njeriut, e me të vjetra, të lëna në mëshirë të fatit, të papërdorshme, të gërryera nga koha dhe dallgët, me brinjë metalike që duken së largu, me plagë të hapura nga ku brendësia konglomerate shquan e dhimbshme; me thyerje të aty-këtushme, që i bën si skelete e fosile të humbura të kushedi ç’lloji prehistorik.
Një e tillë zgjatohet rreth dy milje larg nga hoteli ku po bujt. Është tamam në sinor të shetitjes time përsiatëse buzë detit. Sikur do të më kujtojë për diçka. Unë çdo ditë bëj të njëjtin ritual: përsiatje, ripërtypje mendimesh, hapat pllaq-plluq në sinkron me dhëmballët e trurit, përplasje me urën e thyer e kthim mbrapsht.
Këtyre urave të thyera unë u kaloja përbri shpejt, i mëshoja gazit që ta hiqja qafe pamjen e tyre të mjerë, që të prishte humorin, stonaturë me gjithçka funksionuese që ndrinte përreth. Si nuk i prishin këto gërmadha! Apo i lenë aty të prishin syrin e keq? Jo, më thanë, ato prishin vërtet punë, për belà janë. Dhe më treguan historinë e kubanëve pafat; nga ata kubanë që kalojnë detin me lloj lloj varkash e trapesh, kaptojnë dallgë e peshkaqenë e roja e rrezik të përpirjes nga honi i oqeanit, për të kaluar “matanë” – sa e magjishme dhe parajsore është kjo “matanë”! I gjithë piksynimi per ta është të cakisin një pjesë të Amerikës kontinentale. Pataj s’ka zot që i kthen. Daj Sami, që e ka zemrën e madhe dhe do të ndihmojë fakir fukaranë, ashtu e ka bërë ligjin. Hajde këtu, më cik pjesën kontinetale sikur po lozim “e ka kush e ka”, dhe mbaroi puna. Rojet i nxjerr Daja, për të mos i lejuar varkaxhinjtë në arrati të futen brenda; por po qetë të zotët tua hidhni rojave të mia, bravo ju qoftë, thotë. Duket e pakuptueshme, apo e vështirë për tu kuptuar, se helbete, punë të thella fort këto, por meqë i bën Daj Sami, atëhere del e detyrueshme për tu pranuar. Nejse, bënë si bënë kubanët majë trapit, duke iu dalë shpirti ja arritën të kapnin fundin e urës. Halleluja! Paska Zot! Ia hodhën. Shpëtuan. I thanë fukarallëkut tutje. E mirë, mos më kundërshto, gati je të më korrigjosh, një çikë po ta teproj, po them ç’kishin kubanët në mend. Është keq kur hesapet i bën pa Daj Samin. Se pjesë kontinentale quhet çdo vazhdim pandërprerë i kontinentit. Ajo ura ku u kapën ata kish qëlluar nga këto të shpifurat, të vjetrat, të shëmtuarat, të shembura aty-këtu, dhe ishin pikërisht ato shembje që prishnin vazhdimësinë. Shkurt muhabeti, kubanët nuk kishin kapur Amerikën kontinentale. Ligji është ligj. S’bën fajde të thuash që veç ca rrema varke me tutje do vinte Amerika e vërtetë, ajo e mira, që s’të kthen mbrapsht…. Eh, të varfrit kolonjarë, vanë per p… dhe gjetën k…. dmth, të varfërit kubanë, vanë për Eden, gjenë belanë…. apo, për xhenet u nisën, sosën në xhehnem… jo, jo, kjo sikur s’shkon këtu, është për tjetër popull, që nuk vuajti nën Fidel Kastron, por nën…. eh, s’numurohet nën sa…. Këta të Fidelit morën leksionin e rradhës që shteti i mirë është shteti i verbër, me pllacka ligjesh mbi të dy sytë (jo mbi njerin, se ashtu do ish pirat dhe jo shtet, si gjetiu, mos më bëj të filloj tani), që nuk e lenë të ngrihet as mbi nivelin e një ure shkatarraqe. Dhe që ashtu, në atë pafajësi e shurdhëri etatore-uluritëse e kthen një urë të thyer në urë të shpresës së thyer.
Pllaq-plluq… hapt mbi ujë apo ripërtypja në tru? Sa afër jam me ata kubanë! Atë s’e dinë, s’e kanë idenë. Gloria Estefanit s’i kam dëgjuar një këngë gjer në fund, kurse me ata varkaxhnjtë më duket se kam ngrënë një thes me kripë. Jemi shokë ideali. Këto punët e kaptimit të detrave a liqeneve i kam si shtresë në nënndërgjegje. Sindrom i arratisjes. Çdo shqiptar normal që e pa botën tamam para 91-shit duhet ta ketë atë sindrom. Unë s’vete dot në ndonjë vend të bukur me liqene marramendëse, me dete të mrekullueshëm, pa mu fanepsur mendimi që a mund të kaptohet kjo masë ujore për në bregun tjetër me komardare Skode, me dyshek të fryrë, me dërrasa, me bukë peshku, me not, me polombar…. Sa janë gjasat që do shpëtosh, që s’do të kapin, s’do të tërheqin zvarrë nëpër qytet. Sëmundje e vjetër shumë. E neuroneve që s’kishin vdekur, s’kishin rënë ende në komatozë. Që ende s’na le të shohim përsosmërinë e natyrës sonë që s’ka shok. Sindromi i arratisë. Pllaq-plluq….nga Panhadle nuk sheh asnjë ishull grek përballë. Shyqyr! Vërtet që ka Zot!

Peshqirët – Where does your heart beat now!
Shetis nëpër qytezë. Një qytezë tjetër do të thotë një mençuri tjetër, një humor tjetër, një shpirt tjetër. Minigolf. Waterville. Souvenir Shop. Pashmangshmërisht. Guacka të pikturuara. Koka aligatorësh. Rrobe banje. Peshqirë. Bëhem gati të iki. Me mërzi turistike peshqirësh. Ata janë rajaja e hirarkisë tekstile. Keni dëgjuar ndonjëherë për peshqirë Pierre Cardin? Nga ta presim besnikëri pa kushte prej skllavi. Ata na i dinë të gjitha. Thithën pa bërë zë gjithë sekrecionet tona. Sekretet tona. Pasi bëjnë këtë, i mbledhim shuk, i flakim, i shkelim me këmbë kur dalim nga vaskat e mermerta a porcelanta, për të nderuar aristokracinë tekstile, fustanet e kostumet firmato, kravatat e shtrenjta, bikinit e modës së fundit. Peshqirët i trajtojmë si lumpenë. Kurrë nuk presim inteligjencë e humor prej tyre. Ajo ç’ka u vlerësohet është memecëria. Ndaj u befasova në atë souvenir shop kur hasa në peshqirin e parë që kishte logo birre! “Beer. Helping ugly people have sex since 1862”. Pasuar nga tjetri peshqir: “Marijuana: at least it is not crack”. Për të finalizuar me tjetrin: “The simple truth”, qe paraqiste një figurë gruaje dhe një burri. Tek gruaja shfaqej një zemër në mes të kraharorit, ndërsa burri e kish zemrën tek organi seksual. Kundër çdo dëshire në mendjen time kumboi sublimja dhe maksimalisht e respektueshmja Celine Dion me kristaloren: “Where does your heart beat now”!
Damn! O boy…. Por megjithatë…..
Vërtet, ku rreh zemra juaj tani? Truri i stërvitur i statisticienit, përsëri kundër dëshirës, u vu prapë në lëvizje. Ishin katër mundësi.
Të dyja zemrat rrahin në gjoks, aty ku duhet: skenar i lumuturuar.
Asaj i rreh në kraharuar, atij te penisi. Skenar i konsumuar. Dhe i keqkuptuar.
Atij i rreh në kraharuar, asaj te vagina: “në pyet’të ç’nuse muar, dy-tri rrahje në kraharuar…”. Skenar i përvëluar….
Të dy zemrat rrahin te organet seksuale: skenar i lumnuar. Majakovski do thoshte, “sa mirë e bukur”! Ekstremet bashkohen! Leksion fakultativ nga Gulf Shores për këdo që s’përbuz peshqirët. Fshihuni mirë me ta. Where does your heart beat now? Ndërkaq, mirupafshim Gulf Shores! Deri herës tjetër. Me peshqirë të rinj, ishalla!





No comments yet