Friday, July 17, 2009

Zbor VI


(bashkëpunim me Bostonian)

- Tresh!
- Me katër po të pres.
- Ja dopjo u bëftë!
- Ku i ke sytë? Ç’ja lirove katrën? Ai atë po priste dy sahat!...
- Boll bëtë me shenja, se ju mori vesh edhe bufi.
- E kam në tjetër vend. Më del dot atje?
- .....
- A del?
- Me krahmarrje, e?
- Me rikonjicion terreni. Hë si thua, t’a lëshoj atë “të ustait” unë?
- Sa ke ti?
- Një gur e gjysëm.
- Pak si shumë...
- Ajo e madhja, bomba atomike, nuk ka dalë akoma...
- Kush e ka?
- Dihet se kush? Pse pyet?
- Hmmm… atomiken e kanë shumë.
- Po qeni qepën të hajë.
- Hë pra, një herë vdes burri.
- Për revolucionin.
- Futu në vendstrehim pra...
Në vend të “domino!” një bubullimë e zgjatur bishtajore gjëmoi papritur. Si gjithnjë Temja. Teme proletari, që në domino ishte ortak me Dushan Shqipërinë. Dushan Shqipëria po e shihte si i çmeritur ndërsa Temja rrezatonte krenari rreth e rrotull. Shikuesit e dominosë zboriste po shpërndaheshin vërtetë ushtarakisht duke zënë hundët me duar. Helm i ke këto të shkreta, a i vrarë. Sikur ha nardèn. Turi që ishte NATO dhe Nesti Traktati i Varshavës u larguan gjithashtu. Mos u hëngërt fasule zbori në dynja! Fjalët “pordhë katunari” nuk donin të binin përtokë. Ajri mori një verdhësi militare. Nga aty mund të dilnin gjithfarë samurajsh e ninxhash në koalicione të padëgjuara. Dushan Shqipëria vazhdonte të rrinte tek sheshi i dominosë vulosur me zhgënjim. Iu duk se atë dorë do fitonte. Krenaria e lumtur e Temes ishte vrastare. Një lumturi që kutërbonte.

~o~o~o~o~o~o~

Kurrë nuk u mor vesh nëse pesë studentët që morën 30 pikët e mundshme në qitje kishin bërë hile apo jo. Faktet flisnin kundër tyre: ishin nga një krahinë, kjo e bënte komplotin tribal, pra thuajse të mirëqenë. Për më tepër, tre nga ata kishin qenë raportues gjatë qitjes. Raportuesit futeshin në një hendek ndanë tabelave dhe pas sinjalit të përfundimit të treshes së rradhës, dy rënie të zgjatura borie, dilnin nga vendstrehimi, kontrollonin tabelat, raportonin rezultatin me flamur (i bardhi, kapitulluesi, tregonte që tabela nuk ishte goditur) dhe po të kish goditje, e rrethonin vrimën e plumbit me laps të kuq, për të mos u ngatërruar me goditjet e mëpasme. Ndërsa dy të tjerët kishin marrë në dorëzim tabelat nga Xhafë magazinieri. Çdo gjë përputhej me skemat përbetuese, veç të ishe i verbër të mos e shikoje. Nga këtu fantazitë shpërhapeshin dhe rridhnin në lloj lloj drejtimesh si gurgullima në deltën e thashethemit. Nuk ishte vështirë t’i përfytyroje dy marrësit në dorëzim me gozhdë e çekiç në duar tek hapnin vrima në qendër të rrathëve të tabelave, aty ku ishte dhjeta, ose syri i buallit me anglishten e Turit. Pesë komplotues, nga tre dhjeta secili, bënin pesëmbëdhjetë vrima. Nga pesë në çdo tabelë. Skenar i qartë e i qëruar: pjesëmarrësit në përbetim qëllonin për laraska, dhe tre raportuesit e rezultatit do ngrinin flamujt me sinjalin e dhjetës dhe do bënin sikur rrethonin vrimat e plumbave me lapsin e kuq, gjë që e kishin bërë ndërkaq më parë.
Ata që e kundërshtonin hamendjen e përbetimit pyesnin se si ka mundësi që komplotuesit të dinin ekzaktësisht tabelat përkatëse ku i kishin shpuar me parë dhjetat. Po sikur të gjithë ata të rastisnin në të njëjtën tabelë? Por pala tjetër ngulmonte se ata që ishin në gjendje të falsifikonin goditjet, nuk e kishin problem aq gjë, pra shpërndarjen e qitësve në tabelat e duhura. Kjo tingellonte shumë bindëse, më tepër nga toni me të cilën thuhej, një vetësiguri skajore gjithëditëse, ndërsa folësi hiqte këpucët e rënda, dhe i flakte tutje me një mllef që dukej sikur shkaktohej nga kambalet. Dikush bënte si i zgjuar shumë, i jepte debatit sofistikim kriminalistik. Thoshte se vrimat e plumbit dhe të gozhdës në kompensatë janë të ndryshme, për shkak të shpejtësive të depërtimit, kështu që ishte fare e lehtë të vërtetohej falsifikimi. Këtë e dërrmonin keqaz. Po shyqyr që të kemi ekspert ty, Sher-o (për Sherlok), kështu për punë vrimash e depërtimesh një herë... të than piten ti. Por është e vërtetë, përpëlitej i sofistikuari, që mpakej nga shpotitja, është fakt, me fizikë, me mekanikë, por sa më me logjikë argumentat, aq më i pafuqishëm dukej ai, lere ç’na sqarove, ajnshtajn or ajnshtajn të kemi, si do bënim pa ty.
S’ka pasur gozhdë, as çekiçë, pse flisni marrëzira? Thjesht kanë përdorur dhjeta të të tjerëve. Kjo hamendje e re ra e rëndë në terrin dyshimeve, si një gur pusi. Edhe zëri që e tha ishte i rëndë, që s’pranonte kundërshtim. Zor i madh është që dhjetën e tjetërkujt t’a raportosh si goditje jashtë tabele? A? E kur i vjen rradha shokut, ia quan atij dhjetën? A? Hiqja Lenës, veja Prenës. Këtu shikohej dëgjuesi me triumfin dhe epërsinë që t’a jep mprehtësia e madhe, e lindur, natyrale. Kjo hipotezë i zëvendësoi gjithë të tjerat. Të gjithëve u dukej vetja si të mashtruar, viktima zbori, çdokush kishte një bindje të brendshme që e kish goditur ai dhjetën. Tri herë. Rrafshimi thep shqekëz kishte qenë perfekt, shënjestra ishte graduar 150 metra për të llogaritur harkun rënës të flurudhës, fryma ishte mbajtur gjatë të shtimes, pra 30 pikëshi ishte jo vetëm i mundur, por i pashmangshëm! Me dhjetat e tyre do shkonin në Bolonja të tjerë. Na rroftë përqendrimi, stërvitja, orët pafund pas stanokave. U dalshin për hundësh dhjetat tona!



- Dushan, është e vërtetë ajo që thuhet?
- Çfarë?
- Hilet në qitje.
- Jo, a i vrarë!
- Po si shpjegohet?
- Çfarë?
- Që ju të pestë…
- E pse jo?
- Po që të pestë???
- E pse jo?
- E mirë, po të duash trego. S’të vuri njeri pushkën.
- Ne na piku dielli atje në transhe gjithë ditën, ti llafos.
- Pse, nuk kishte hije?
- E ç’hije a derëzi!
- ...
- Unë kontrolloja Brezhnjevin.
- A?
- Tabelën me fytyrën e Brezhnjevit.
- Aha!
- Fahrudini kishte Reaganin.
- Ëhë.
- Na ra dielli në kokë. U dogjëm për ujë. Ato tabelat dukeshin sikur talleshin me ne.
- Shiko shiko.
- Po. Shkonim t'i shihnim në i kishin qëlluar dhe sytë e Brezhnjevit dukej sikur talleshin.
- Po kur e qëllonin?
- Shumë rrallë e zinte plumbi. Më së shumti plumbat shkonin bosh; ne e ndjenim kur predhat nuk godisnin. Aty ca nga dielli, ca nga lodhja të bëhej sikur Brezhnjevi thoshte “ma rruajtët edhe këtë rradhë”.
- Shih! Po Reagani thoshte gjë?
- Ai si më me sqimë, por nuk e di, Fahrudini kontrollonte Reaganin.
Trojka e të fuqishmëve të planetit ngulur në ledhet e shkarë të poligonit jepte një ndjesi moskuptimi total, vaj që shpërndahej nëpër fletët lakra të plankonspekteve, ku fitorja mbi armikun kishte diçka tenistike. Një lloj martirizimi i shefave të planetit, të cilët ngatërroheshin, një Zot e di pse, herë me Këshilltarët e Hekalit dhe herë me Bilbilenjtë, në ato ckërka gjysëm të thata, ku i priste një skuadër pushkatimi studentësh që ëndërronin të shkonin në Bolonja. Reagani përftonte dialekt lab dhe thoshte filmik, qëllo more në je burrë, një herë vdes njeriu, ndërsa Brezhnjevi kërkonte vazhdimisht një krehër.
- Si the ti, shumë rrallë i zinin plumbat?
- E.
- Domethënë ato dhjetat nuk kanë qenë të vërteta fare, po i keni sajuar? Të fortë jeni.
- Jo a të qivja udhët.
- E mirë, o mirë.
- Mua më kanë vjedhur veglat e pastrimit të pushkës. Aty a më ndihmon dot.
- Të paska dalë haku i qitjes.
- Haku i këtij timit. A më ndihmon dot?
- Mbështetu në forcat e veta. Parim bazë. Kur të humb një gjë në zbor, kurrë mos trego, por shiko si t'a zëvendësosh. Zgërlepe. Ktheje humbjen në forcë. Sulmo natën dhe në kohë të keqe.



Saturday, July 4, 2009

Verë e vonë në dhè të vjetër


U ktheva me frikën e qenve të harresës,
Me frikën e qenies fatlum,
Me trishtimin që t’a japin veç përvojat
Dhe koha e humbur ndër plasa largësie.
Gjeta luginat e trupit tënd ku rrugët ngatërroja,
Ja shpellë e vjetër, ca pjergulla kokrrat tejpekur,
Saharozë kujtimesh që ngjisnin në gishta
Karamelin e murrmë të humbjes.

Pik’ pik’ qumësht’ i zbulesës,
Erë e harruar kafeje. Një mëngjes i vonë
U nder mbi brinjët e tua.
Çizme të panjohurish kishin lënë gjurmë
Që dukshëm qenë fshirë mbi një borë të shkuar.
Tani ish verë e vonë mbi ty
Dhe unë shtërg i hutuar.

Tek vija hasa ca zogj braktisës,
Të cilët gabimisht i quajnë shtegtarë,
Me sytë e arratisë prej vendit të krimit,
Flokët e mi - çafkë kundër erës;
Po kthehesha në vendin e krimit
Q’e braktisa me të njëjtët sy arratie
Një panvere të hershme,
Një stacioni autobuzi,
Që e zbrazën nga pritjet sytë e tu të përlotur.

Është verë e vonë, mundësi mushti.
Astar pranvere i kthyer mbrapsht,
Është livadh i mbetur në tentativë;
Mençuria m’jep vapë si zhgun i bezdisur,
Përvoja m’bezdis me grricje shajaku,
Zhveshur shtrirë ndanë teje
Dua të gjej një strofull të vjetër,
Dua të lag këmbët në dënesa të vjetra, edhe pse
Nuk mund të rifutesh në të njëjtin lumë,
Një grek me nofull mermeri këmbëngul nga oxhaku.






Saturday, June 20, 2009

Nga letrat e panisura të një piktori - 4


Ti kërkon me ngulm të dish mbi femrat në jetën time, me një kureshtje entomologu. Qëmton mbi krahët e mi për pluhurin e dashurive, aferave, lidhjeve të shkuara, pa kuptuar që në çastin që gishti yt do t’i preki ato, edhe magjia e tyre do fshihet, edhe pahu i tyre do të mbesë gjatë mbi mollëza. Se ai është pluhur, e ngurta që dështoi të bëhet lëng, lëngu që dështoi të bëhet gur, ndërfaqe gjendjesh që bën fytyrat e ftohta të planeteve të largët. Ai është pluhur, domethënë tokë e vdekur, gur i vrarë, kokrra të vjetra që u bluan imët nga mokra vetmohimi me qëllimin e vetëm të na depërtojnë poret e holla osmotike. Është pluhur, dmethënë ngjyra e gjithçkaje, pelerina e vërtetë e botës, perceptimi. Konservuar në thatësi privatësie, gati të ngrijë në një çimento të rëndomtë muratorësh sapo të preket nga lagështia e dijes së të tjerëve.

Nën monoklin e pyetjes tënde të dhashë gjithë një buzëqeshje diskrete si përgjegje, me tepër për të fshehur frikën time tek dilja jashtë shpellës së kureshtjes.

Filozofimet mbi natyrën e lidhjeve njerëzore i kam lënë qysh në shkollë të mesme, me një tmerr alergjik, pasi një shoqe klase atëbotë e bënte këtë sa herë i jepej rasti, duke rregulluar flokët, duke ngrënë “bukën me vete” në pushim të madh, para provimit, gjatë tij kur ndalohej edhe të pëshpërisje, apo ndërsa dilte në rradhë të qumështit që me natë, me fjali dëftore të përgjithshme që fillonin impersonale si “njeriu në jetë”, apo “se një djalë mund”, apo “por një vajzë nuk”. Ishte nga ato femra që duan të jenë njëkohësisht gjithçka, sekretare rinie dhe të përjashtuara nga shkolla, të lexuara dhe natyrale, skiatore notare novatore konservatore, shefe dhe të panjohura interesante, të virgjëra dhe ndërkaq me shumë histori, çapkënoseriozehokatare, opinionbërëse dhe të painteresuara, të virtutshme dhe kuçka (këtë të fundit e kërkojnë me patjetër si supervlerë, si diamant të zi; zënë shoqëri të sforcuara me ato që kanë reputacion solid si “putana” vetëm për këtë gjë), të dlira inteligjente, spontane me plan, një gjithëgjë e asgjëshme me një fjalë. Ajo u bë vrasësja e çdo filozofi brenda meje.

Pyetjes tënde se cila ka qenë dashuria ime më e madhe nuk guxoj t’i përgjigjem. Në fakt nuk e di as vetë. Pasi ka gjëra që nuk janë bërë për t’u krahasuar. Madje me duket se shumica e gjërave janë bërë për të mos u krahasuar. Sa ligsht e ndjej veten për shembull, kur shoh ato konkurset idiote të bukurisë. A mund të krahasohen bukuritë? Me ç’njësi matëse, kush e shpiku?
Jam i sigurtë që ti megjithatë do ngulmosh. Pra po guxoj pak analizë; ceteris paribus, dashuri e gruas së tjetrit më duket ajo më e vërteta, më e plota. Imoralitet, e shëmtuar, poshtërsi, blasfemi,... OK, OK, OK, i thamë të gjitha këto, në kor njëzëshëm me atë shoqen e klasës së gjimnazit, i hodhëm pra herbicidin e moralit, një round up shfarosës, dhe ajo prapë mbin në të çarat e asfaltit urban duke na vënë me shpatulla pas murit me dialektikën e vjetër hegeliane: unë jam e vërtetë, pra e arsyeshme. Nuk e kisha menduar kurrë këtë më parë, derisa një shok, poet, në një mbrëmje me hapje zemrash dhe shishe konjaku, më foli për dashurinë e tij të fundit, e cila nuk i kërkonte të ishte një makinë seksi, përkushtime, përbetime, marrëveshje, noterë, nuk mbante inventar lëndimesh, ishte diçka e pakushtëzuar si ajri, një trekëndësh filozofik tezë-antitezë-sintezë... prit, prit, i thashë shokut me mollëza të përndezura ndoshta prej konjakut, përmendu, ç’po thua? Ti nuk e di, tha, është një grua e martuar. Aha, ia prita, prandaj ai trekëndëshi! Nuk m’a vuri veshin. Vazhdoi: ajo nuk sheh te unë babain e fëmijëve të saj, nuk e shtyn drejt meje kushtrimi i të parëve, forca me vektor të pashpjeguar e vazhdimësisë së llojit, as seksi... Këtu u kollita pak, mosbesim në gurmaz, e pyeta a je i sigurtë? Më tha që i shoqi shpatullgjerë ishte dy herë sa ai, poeti pra, dhe i vizitonte gym-et rregullisht, kujdesej për lëkurën, njihte kombinimet e ngjyrave, mashkull i kultivuar nga ata që të bëjnë me komplekse.

Në fakt ky shoku është pak i çmendur; i tillë, devijant, ka qenë gjithnjë. Qysh herët. Mbaj mend që ra në dashuri me zyshën e kimisë, dhe ngaqë kish dëgjuar sikur femrat i duan tipat skajorë dhe brutalë, fytyrat e shëmtuara dhe me shenja plagësh, scarface-t me emra italinë, i kushtoi asaj një vjershë të ndyrë, të cilën e nënshkroi dhe ia futi si pusullë në çantë, gjithë shpresë se të nesërmen ajo do çmendej pas tij. Siç e morëm vesh më vonë, i thoshte troç pak a shumë “u shkërdhefshim sa më shumë së bashku, o zysh Adlina/ t’a lëpifsha sa të zbutesh posi muhalebi/ o t’u derdhsha brenda, t’u zjefsha si supë burgu/ dhe atë p* e bukur t’a kafshofsha, jarebi”. E nesërmja nuk erdh’ aspak romantike për të, natyrisht. I tillë ka qenë ai, pra. Sidoqoftë, me gjithë devijimet, nuk m’u duk që ishte fare pa gjë arsyetimi i tij konjakor. E quajnë tradhëti bashkshortore, më tha i indinjuar, atë që është dashuri e pastër, puro, genuine, e papërbaltur nga banaliteti darvinist. Këtu e shtrembëroi fytyrën prej përbuzjes më shumë se nga djegia prej alkoolit. Nuk dija ç’ti thosha, sepse mua logjika më thyen më shumë se morali. Është e para femër, tha, që më do në mënyrë poliedrike, si të afërt, si komshi rriturbashkë, si dashnor, njëkohësisht, një përzjerje ndjenjash që nuk di ç’emër t’i ve. Pothuaj prek inçestin pa qenë i tille. Tradhëti? Ajo tradhton më pak se çdokush tjetër, kur në ekuacionin e tradhëtisë fut dhe ndjenjat vetjake. Kërkova njëmijë e një vjega pse e bënte atë gjë. Ku flinte lepuri? Ç’e shtynte? Se unë nuk jam Xhorxh Klluni. Aspak. Mora vesh që gjithçka kish nisur nga një poezi e hershme, lexuar nga ajo fare rastësisht, që sipas saj, i kish folur e i kish hyrë në një zonë shpirti ku askush tjetër nuk kish hyrë më parë. Ja aq e thjeshtë, tha. Si çdo gjë e madhe. Dhe pastaj, pasi më pa në sy gjatë dhe ndjeu ngërçin tim, përfundoi: pse nuk merr dy modelet standart të dashurisë në letërsinë botërore, ato që ruhen në Savrë afër Parisit, Helenën e Trojës dhe Ana Kareninën? Çfarë kanë ato të përbashkët, a s’më thua? Sa e vogël bëhet para tyre çdo histori me Hirushe dhe Isoldë! Doja ta kundërshtoja me Zhuljetën, por nuk e bëra. Ti e di që Shekspirin e dua veçan, dhe do më vinte shumë keq po të dëgjoja ndonjë përgjegje që do zbehte sado pak tragjedinë. Sepse mua më thyen logjika.




Saturday, June 6, 2009

Nga letrat e panisura të një piktori - 3


Tabloja “Pellgu” që t’a pata treguar si skicë, u prit me vlerësime të përzjera. Nuk pati një linjë të vetme ndër kritikët. Ndoshta se e tillë ishte edhe vetë tabloja. Një rrugë e lagët që mund të ishte udhë fshati, por edhe metropoli, rrugë qendre, por edhe periferie, me një pellg me formë të çrregullt, një orvatje elipsi thyer në shumë vende, dhe disa hapa që i shkonin anash, të cilët ashtu si rruga mund të ishin hapa bujqish, por dhe zyrtarësh. Nën baltë ca gjëra duken aq të ngjashme!

Irritimi vinte përgjithësisht ngaqë gjithë fokusin në tablo e merr pellgu dhe hapat janë vetëm sfond. Në një kohë që shikuesit prisnin të kundërtën. Thanë që nga kanavacja e tablosë vinte shumë igrasi e ftohtë, që të bënte të kërkoje tharëse flokësh e t’a ndizje në maksimum për tu tharë. A thua se kjo ishte një e metë e tablosë. Unë pikërisht atë doja të jepja, një stërpikje balte, një lagështi që përcjell ftohmën nga muri i galerisë nëpërmjet kapilarësh të padukshëm ajror. Më përfolën për snobizëm dhe për tallje me publikun duke më vënë përballë tablonë “Oqeani i dashurisë”, të cilën e quajtën sublime, një simfoni kaltërsie dhe dielli. Nuk iu përgjegja. Nuk iu thashë që s’ishte fare punë snobizmi, por më tepër ishte një eksorcizëm në llojin e vet. Unë jam rritur mes pellgjesh. Jam një pellgman. Ky që nxora ishte pellgu im i afërt, intimi, ai që më thoshte mirmëngjes çdo ditë edhe pse unë i shmangesha, siç bënin dhe të tjerë, duke i rënë përqark.

I kam kaluar anash qindra herë tek dilja nga porta. Nuk mbaj mend si e kur lindi, mu përballë portës, mbi rrugë, aty ku luanim futboll. Sikur e mbiu fëminia ime. Rrugët tona janë infektuar me rizoma pellgjesh si arat nga krisja. Brenda nëntokës, ndonjë xhep i vogël ajri si një bombë kohore, ka bërë tik tak në heshtje derisa i erdh koha të implodonte. Apo ndoshta toka nuk u ngjesh mirë kur ndërtuan rrugën. Rrulat e dikurshëm... rrulat e sotëm… Gropëza e parë, kaviteti fillestar, nuk para bie në sy. Vetëm ne që luanim, filluam t’a kishim parasysh kur pasonim topin. Ne ishim si gjuha mbi zmalt. Ne parandjenim gërryerjen. Mpirjet e vona me alkool. Edhe gocat nuk loznin më me litar aty, por u shmangën disa metra më tutje. Ca makina të mëdha me goma përbindshe që çonin beton diku, e thelluan pellgun edhe më. E hapën gropën e tij ndërsa nxitonin të mbushnin gropa të tjera. Pas çdo kalimi sikur e hanin ndonjë gisht. Me dhëmbët e butë, por kapës dhe shqyes të kopertonave. Erozioni i gomës është më barbar se i shiut dhe erës. Ngaqë nuk është natyror. Pellgu mori formë më në fund, amebë me krahë të lagët dhe citoplazmë shirash. Në ditët pa shi, pasi thahej, i shikonim rropullitë, ca gurë me cepa që zunë të lëmoheshin nagdalë. Gomerosion. Skelet bizoni në shkretëtirë.

Ai pellg u bë pjesë e fëminisë sime. Ishte pjesë e rrugës sonë, llogaritje hapi, vend i shenjuar si gur kilometrik, shtatë hapa pas tij vinte pragu im, shtatë hapa para tij ishte dera e një komshijes sime nja tre vjet më të madhe se unë, të cilën e dëshiroja pa ia pohuar mirë as vetes, qysh se e pashë rastësisht pas dritares tek ndërrohej për të dalë. Meqë ra fjala te komshijet e bukura, pellgu ishte aleati ynë edhe në lidhje me to. I shikonim tek dilnin nga shtëpitë me fustane skene dhe mundoheshin t’i shmangeshin baltës dhe atij vetë, me ato këpucët fine tërë alergji nga lluca. Pellgu reflektonte për ca sekonda të lume pjesën nën fustan, ate të fshehtën që ishte e hapët veç kushedi për kë, por jo për ne. Sytë tane përpinin syprinën pasqyruese të ujit me më shumë etje se çdo sy shtrige pasqyrën mbi mur. Diskutonim se ç’ngjyrë i kishte brekët atë ditë ajo me fustan; njerit i ishin dukur të verdha, tjetrit vishnje, dhe të dy ishin shumë të bindur. Faji i padsikutueshëm i femrës varej drejtperdrejt me ngjyrën e të mbathurave. Si dhe materialin. Asgjë në fakt nuk mund të dalloje në atë errësirë nënfustanore, përveç ndoshta konturit të këmbëve në ecje, por truve tanë të perndezur nga dallgët e para të hormoneve, iu dukej aq e qartë gjithçka. Mua për shembull, më pëlqenin veçanërisht një palë mbathje të verdha me ca si trëndafilë të kuq si motive, të cilat nuk di si i shikoja, por që edhe sot jam gati të betohem që i kam parë aq qartë sa s’ka. Ia detyroja atë nder e favor pellgut tim rrëfyes, asaj melankolie uji, me ato njollëzat rrushkulluese si ylber, që ne mendonim se vinin nga pikimet vajore të makinave përbindshe pellgngrënëse, por që në fakt siç mësova vite më vonë, ishin vetëm element hekuri i reduktuar... kimi me një fjalë, se edhe hekurit që është hekur i zihej fryma aty nën pellg, mbytej, mezi ç’priste të dilte në sipërfaqe të oksidohej, të merrte frymë, të shihte shalë grashë të lagjes në parakalim... Ata pellgje ishin sytë e rrugës sime, ai pellg ishte syri im kryesor, dhe unë Polifemi prisja me ankth ditën kur dikush do më verbonte me një hu të skuqur.
E ke vënë re që rrugët janë të ndryshme, por pellgjet mbeten njësoj? Me atë pikëllim të mbyllët nga ngushtia e atë miniaturë që fsheh diçka.

Erdh’ një ditë që pellgjet i pushtuan udhët, kur dikush vërejti që nuk kemi rrugë me pellgje, por pellg me rrugë, u shumuan ata, nga ameba u bënë organizëm shumëqelizor, bashkuan brigjet me internacionalizëm ujrash të ndenjura dhe me atë hënën e poezisë së famshme, e cila nga medalion mbi gjoks u zhyt në rropullitë llucore, aty ku nuk pasqyrohet më asgjë hënore nëpër netë. Kush mund t’i bënte ballë fatalitetit të pellgut pas kësaj? Ne jemi të dënuar me pellg stërpikës e baltosës që nga fëminia. Pastërtia u bë një pamundësi matematikore, igrasi e këpucëve një element i ri mendelejevian që mbushi një kuti bosh në mozaikun e aksiomave atëbotë që quhej jetë. Dhe atij fataliteti të lagët nuk ka tharëse që t’i bëjë derman. E ke vënë re se si i shmangem ndonjëherë diçkaje që ti s’e sheh në udhët e mirëmbajtura të sotme. Është ai që me del papritur, membranë ujore, vazhdimësi hipotetike rruge që më pret t’i shkoj përmbi e të mos lagem... të bëj mrekullinë e shkruar, pra. Të ngadhnjej më në fund, të bëhem Zot! Por është e pamundur. Dhe këto udhët e shtruara, teknologjike, asfalt drejtvizor, sinjalistik më duken aq të vdekura pa ate të vjetrin, baltosësin, ku vozisnin rosakë dhe gjithfarë embrionesh që ripërsërisnin evolucionin, faza të ndërmjetme amfibopeshkore, që gjallonin si spermatozoide kamikaze, apo ca insekte që vërtet ecnin mbi syprinën e ujit dhe nuk fundoseshin. Insekte që kujtonin me siguri që po bënin mrekulli dhe ishin Zot.

Fakti që ndjej mall për pellgjet dhe nuk i gëzohem dot dystinës asfaltore mjafton të mbysë me pikëllim gjithë kapilarët e mi. Si nga një pellg i vjetër mbushur me trishtim.




Saturday, May 23, 2009

Duke sjellë një nuse


Sijinxhinjtë po ktheheshin me nusen mbi pelën e bardhë. Sapo lanë fshatin e saj me ajrin e fitores, me zjarminë e rrëmbimit. Mbi mëndafshin e kuq të nuses së re era përndizte vazhdimisht një prush si fërgëllimë. Ngjyra e kuqe trembte xhindet. Se xhindet dhe nusja janë bashkudhëtarë. Pa nusen xhindet rrinë diku larg, ndërsa me praninë e saj, çdo gur e shkëmb ndanë udhës shndërrohet në një mundësi shejtani. Dekor drame. Gjithçka bëhej më e rrezikshme nga ajo femër e drojtur mes truprojës së burrave nga fisi i dhëndrrit.
Krushku i parë i ngjante një gjenerali. Një gjeneral me tuje daje. Edhe dy krushkolonelët anash dalloheshin qartë. Me nishan’ e xhufka xhaxhallarësh. Shpura solemne nxirrte shkëndija nën patkonj.
Kishin rrugë të gjatë për të bërë dhe bishtat e kuajve shpërndanin nervozizëm. Ktheheshin nga “stambolli”, që e kishin pushtuar; ngarkuar me plaçkë paje dhe me një “stambollije” në mes, e vetmja gjë e huaj satinore në atë masë të shajaktë me ashpërsi leshi, djerse dhe patkonjsh.
Beteja e parë, ajo në shtëpinë e nuses, quhej si e fituar. Mejdan zgjuarsie krushkore, ku tehet e mprehtësive të fjalëve vetëtinin rrezikshëm. Strategji bejtesh, krahmarrje romuzesh, dredhi mendimesh të shpejta, kundërsulme rimash. Çupa jonë sa e mirë, djali juaj kec i shtirë. Sulmi nga pala tjetër kish filluar ballor. Dhe blegtoral. Kundërpërgjegja e shpejtë, pa mëdyshje, me gjylet e rimave që stërpiknin mollëzat rakimbajtëse dhe mustaqet mishrabluajtëse: u erdh fati e s’e dini, djalën tonë hak s’e kini. Si çdo luftë, edhe dëshmori nuk kish munguar, Pertefi lumëmadhi që e dehën me raki, iu vunë me dollira, me detyrim pije me fund, të kam gjetur, për këtë e për atë, me fund, me fund, kjo është e dajos së tretë, e baxhanakut të katërt, është burrë i nderuar, skalione pa fund gotash të vogla si ushtarë të panjohur, derisa rakija ishte bërë citoplazmike dhe krushku me karshillëk mburrapirës ishte vënë përfund, gati pa ndjenja, me baluke dëshmori rënë mbi postiqe.
Rruga për në fshat të dhëndrrit ishte e gjatë. Kjo nuse ishte marrë larg. Krushqitë e largëta ishin të mbarsura me rreziqe dhe bukuri. Që në kohë të Kostandinit. Diç të shtyn të marrësh nuse larg, në anë të dynjasë. Vlerat e nuses janë të nënkuptuara. Dëshira e dhëndrrit gjithashtu. Por edhe rreziku shtohet me çdo kilometër. Bukuria nuk duhet vetëm të vuajë, siç thënkëshin gjermanët, por edhe të jetë e rrezikuar. Ndryshe ç’u kuptua që është bukuri.
Dhe kështu, vende e rripa që në të ardhur kishin qenë vetëm rastësi terreni, tani në të kthyer, me nusen në mes tyre, me trëndafilin fletë fletë përmbyllur nga çitjanet si burbuqja nga nënpetlat, bëheshin befas me rrezik, të mbarsura me dyshim. Gëmushat diçka fshihnin, shkëmbinjtë ishin kreshpërime pritash, fjala dyfek rrinte varur në çdo degë shqope dhe mareje. Askush s’do e shpjegonte saktë pse. Por çdokush e dinte shkakun. Ishte ajo me mëndafsh të kuq e jelek flori, prush përfund e shkëndija përlart, magnet për gjithë plumbat e maliherët e sherret e gjithë kohrave që në krye të herës.

Një kalorës mbiu befas nga asgjëja dhe ndali pranë dajës. Diçka folën, dukej që ishte e rëndësishme. Pastaj kalorësi u zhduk si erdhi, e përpiu mosgjëja. Fytyra e dajës dëftente alarm të fshehur. Kalorësi e kish njoftuar që diku përpara u kishin zënë pritë. Pothuajse dihej. Një hasmëri e vjetër me fshatin Havaleas. Pati një këshillim të shkurtër. Pastaj daja mori vendim. Do i biem nga Qenasi!

~o~o~o~o~o~o~o~


Ata që kishin zënë pritë në të hyrë të Havaleasit nuk u mor vesh se cilët qenë. Daja i ishte i heshtur si pus.
Sytë e gjithë shpurës panë Gjolikun me qortim, atë me hasmër nga Havaleasi. Gjoliku s’dinte ç’të thosh. U tërhoq në fund të shpurës, aty ku kalëronte Pertefi ende i helmuar nga rakia e djeshme. Ajo hasmëri kishte hije të keqe, pasi qe për shkak të një femre që Gjoliku kish ngacmuar te burimi i Havaleasit. Vajza kish shtënë çik e para, sipas tij, me ca isharete që s’thuhen, por kuptohen. Pastaj atje te burimi ku ai i kish folur, kish kaluar një i afërt i vajzës, e cila kishte bërë të paditurën. Sikur Gjoliku po i binte më qafë. Krisi sherri sakaq, të cilin e fitoi Gjoliku që e vuri poshtë atë tjetrin. Por që nga ajo kohë ai i ruhej Havaleasit. Ai ishte “me hasëm”, dhe kjo ishte njëlloj si të kishte një sëmundje. Duhet të ruhej. Në çdo gjë që bënte Gjoliku, do futej se s’bën Havaleasi. Do shkonte në një davet a gosti? Do shihte një herë a kish aty ndonjë nga “ata”. Do vente në pazar të shtunën? Po ashtu. Do shkonte të enjteve në dasma sidozot edhe tani, do mblidhej në shesh të fshatit të xhumanë e muslimanëve a të dielën e kaurëve? Prapë do shikonte për havalenë një herë, që mos u gjendshin në dynja as femër, as burim!
Në fakt e vërteta qe ndryshe. Pusinë e kishte zënë një djalë nga fshati i nuses me tarafin e vet, të gjithë djemuri sapo dirsur mustaqja. I pat rënë në kokë atij për nusen-vajzë, ja atë ja rash’ e vdiqa. Nuk e dinte njeri si e qysh e sa qenë pleksur, por llafi ishte që edhe ajo donte. Jo se kishte patur gjë të madhe mes të dyve, jo, shumë shumë dy llafe ndërruar, ashtu nxitimthi, tek burimet e bekuar, ku çdo kush mund të ndalonte pa rënë shumë në sy. Curril’ i burimit ishte dëshmitari i vetëm i atyre dy llafeve, dhe ai curril ishte gjëja më e pagojë në botë. Rridhte njësoj sikur s’shihte asgjë. Sikur s’dëgjonte ato fjalitë e thjeshta fare, të zhveshura nga gjithë fjalët e tepërta si drurët në dhjetor. Fjalë që flisnin gjithë të pafolurat qysh nga ai shikimi i parë ngulur si grep në sytë e shoshoqit në kushedi ç’rast që i pat sjellë përballë, si dhe gjithë heshtjen dhe pamundësinë që do vijonte më pas, deri ndoshta herën tjetër te burimi, me currilin asgjëditës dhe me shtambat grykëzëna. Dashuri me dy llafe këmbyer, fermentuar në vetminë dhe largësinë baritore, me parvaz, gjergjef dhe avull dritareje që fshihet për të parë përjashta. A s’janë njerëzit si bute me bërsi? Nga dikush del uthull, nga dikush verë e dobët e nga dikush raki sevdaje që djeg marazit. Që pihet ndezur me flakë blu! Dy llafe që duhej të përmbanin edhe pohim dashurie, edhe premtim, marrëveshje shtetërore, noter, gazmime e zhgënjime e njohje të tjetrit më mirë se të vetes tënde, gërshet që varet nga dritarja e katit të dytë, gjithfarë rigonesh e majdanozesh në lëndinën poshtë që shkeleshin nga hapa dashnori e që binin kështu theror për dashuri.
Kur u mor vesh për fejesën në një fshat aq të largët të saj, atij djaloshit i ra mali i fshatit në kokë. U ndie pa shkak i tradhëtuar. Nga të gjithë. Edhe nga ajo. Nga ajo më pak, por prapë, gjithësesi... Natë për natë ngjitej në mal dhe shkëpuste gurë të mëdhenj e i rrokulliste përposhte gjithë tërsëllëmë. Për protestë. Malin që i ra mbi kokë, donte me sa dukej t’ua hidhte në kokë të gjithëve. Zhurma e gurëve që binin dëgjohej e frikshme nëpër natë dhe njerëzit tundnin kokën me shqetësim, Allah-Allah! Ca thoshin që ai endej malit si egërsirë, por kjo s’ishte e vërtetë. Ditën e shihje normal rrugëve të fshatit, jepte xhuvap, dridhte cigare, sikur s’kish ndodhur asgjë. Gurët i hidhte vërtet larg, por kush siguronte që një ditë atij të krisurit nuk do i mbushej mendja ti vërviste drejt e mbi fshat, krisëm! Ose mbi udhë, xhanëm. Vajza dëgjonte natën oshëtimën e gurëve-shkëmbinj që copëtonin terrin si një xham të madh të zi në njëqind copëra të mprehta që nguleshin gjithandej. Ai djali i kishte pëlqyer qysh në fillim, por tani me këta gurët, ishte bërë heroi i netëve vajzërishte, që po mbaronin aq shpejt, se ditë e dasmës po afronte. Hynte e dilte nëpër shtëpi dhe kuisja e dyerve i ngjante gjithnjë e më shpesh me një angullimë. Gjithnjë e më të zgjatur. Shtrydhje ndryshqesh të vjetër që donin të nxirrnin lot balte, por s’mundnin. Oshëtimë e gurëve vazhdonte. S’kish kush e ndalte djalin, mali ishte pronë e fshatit; pastaj ai një natë i hidhte gurët këtu e një natë atje. Mali ishte i madh. Nuk mbaronte, ashtu si pezmi i tij. Kjo sevda e djalërisë, kjo sevda, tund themelet e shtëpisë, kjo sevda. Po tundte malin, ç’ish e vërteta.

~o~o~o~o~o~o~o~


Qenasi u shqua që larg si një fasho e hirtë mbi brinjë të plagosur mali. Deri atë çast daja prijës kishte ecur si mbi gjemba, ngaqë i behej se nga mali do iu rrëzohej ndonjë ortek gurësh mbi krye. Kasollet e para u shfaqën pas pak. Të heshtura, të ulëta, të kërrusura nën peshën e rrasave të gurit mbi çati. Në fshat të panjohur heshtja është pabesi. Ca hapa që s’u dalluan qartë në ishin prej kafshe a njeriu, ishin e vetmja grisje e qetësisë, që e shtoi edhe më shumë shkretinë. Periferi e Qenasit me kasollet e mbyllura; shenjë jo e mirë. Megjithatë kuajt vazhduan rrugën. Ata e ndjejnë rrezikun të parët. Lagjia e kreut u shfaq paritur prapa një kthese të fortë. Një qen zu të lihte befas me kërcënim. Lehja ndërpritej nga një hungërrimë më e frikshme se lehja. Hungërima ishte si gurgull që mbushte rezervuarët e lehjes, të cilët me pas shpërthenin si përrenj vjeshte. Kuajt e sijinxhive u trembën. Qeni arriti gardhin më të afërt dhe përmes çarjeve vetëtinë qartë dhëmbët e bardhë. Ishte një qen i egërsuar. I lënë, sipas çdo gjase, me javë pa ngrënë në një gropë me grykë të mbyllur. Një qen që urrente gjithë botën. Me sytë ngjyrë vreri, një e verdhë e vrarë nga e murrmja, si përzjerje helmi. Shpura ecte syçelët, duke parë përpara; mos e shih qenin në sy që të mos sulmojë. Por mospërfillja nuk bënte fajde, qeni dukej sikur tërbohej më shumë nga kjo. Nuk ishin hormonet e frikës që ai, siç thoshin, nuhaste. Ai merrte erën e shpërfilljes dhe kjo e tërbonte edhe më keq. Të mos e shihje me sy dhe të mos i përgjigjeshe lehjes, me sa duket ai e merrte për frikë dhe droje. Apo mospërfillja dhe frika kanë erë të ngjashme dhe shkaktojnë të njëjtin ngacmim në ndjesi qensh?
U pa qartë se qenin më shumë e ngacmonte pela e bardhë e nuses, me të cilën ecte paralel pas gardhit. Dhe në çdo të çarë gardhi nxirrte dhëmbët hungërritës. Vrimat e gardhit dhe goja e qenit s’mbyllen kurrë, mendoi Gjoliku. Ai gardh ishte një qenie e gjallë shumëgojëshe, me dhëmbë kaninë, tamam një gardh shqyes.
Një drithërimë përshkoi vertebrat e shpurës nusesjellëse; qeni ishte i rrezikshëm pa qenë Njeri – gardhi po epej nën forcën goditëse të tij. Të vrisje një qen, ndërkaq, ishte po aq e rëndë sa të vrisje një njeri. Gjysmat e hasmërirave ishin për vrasje qensh, dhe ata sapo iu shmangën njërës e s’kishin nevojë për një të dytë. Sa e vështirë është të merresh me një qen!
Ai i lihte dukshëm të bardhës së pelës nusembajtëse, të kuqes së çitjaneve dhe floririt rrezëllitës të bustit nusëror. Megjithëse qentë, siç thonë, nuk arrijnë ti shohin dot ngjyrat!
Dikur ai gardh mbaroi dhe shpura sikur u lehtësua. Patkonjtë trokëllitën ndryshe, zhurma e tyre përplasej në muret e disa shtëpive me gur që ishin ndanë udhës. Nja dy fëmijë, dy koka të qethura zero, dy koka e sy të rrumbullt, u shfaqën pas një qoshi dhe u zhdukën sakaq. Fëmijët e Qenasit; në supet e nuses drita sikur u dendësua e rrodhi poshtë si ujëvarë. Vithet e pelës nusembajtëse u bymyen befas dhe një mëz imagjinar filloi të vraponte rreth, edhe ai i bardhë, pothuaj aq fantazmagorik dhe i tyltë sa njëbrirëshi. Kali i Gjolikut hingëlliu. Pertefi pati përmendjen e parë në formë lemze. Jeta sikur u kujtua, e bardhë si një petal’ e njomë që era e hedh mbi baltë. Sheshi i fshatit i shkretë – vetëm dy pleq ulur aty me siguri ç’prej dhjetëra vjetësh, të mumifikuar mbi dy stola druri, të prangosur me tespie, të balsamosur me heshtje pleqërishte. Nuk lëvizën kur shpura u kaloi pranë, por u kuptua që panë me vëmendje. Ku i ka njerëzit ky fshat? i vetëtiu në mend Gjolikut, pasi qendra me dy pleq mbeti pas. Dy kokat e fëmijëve u dukën prapë, të prapa, prapa murit. Thanë nja dy fjalë të ndyra dhe u zhdukën. E qeshura e tyre edhe pse nuk u dëgjua, ishte shumë e qartë. Kjo u përsërit dhe qejfi sharës i fëmijëve kokëqethur shtohej pas çdo here. Lumturi fëminore, por e ligë. Fjalët “qifsha” dhe “mut” mbesnin varur si pastërma të thara prej kohësh në trarë pullazesh edhe pasi fëmijët zhdukeshin. Stërkalat e sharjeve sidoqoftë rridhnin mbi pendët e nuses dhe të pelës së bardhë si mbi një mjellmë.
Ky fshat s’mbaron kurrë, apo më duket mua kështu, tha Gjoliku me vete.
Perifieria dalëse filloi me një gardh tjetër ndanë udhës. Qeni s’vonoi. Kishte lehje tjetër, më të shkurtër, më të prerë, një dialekt qensh që ngjante më vulgar. Por Gjoliku qe gati të vinte bast se ishte i njëjti, si tek gardhi i parë. Veç me lehjen e përshtatur në gardh të ri. Vezullimi i dhëmbëve ishte aq i ngjashëm! Një gojë mund të ndërrojë dialekte, por dhëmbët mbeten po ata. A kanë zot këta qen? A ka njerëz ky vend?
Nuk kaloi shumë dhe një tjetër lehës, diku larg, u përgjegj me një lehje të zgjatur, version i ergërsuar i kuisjes. Edhe pse afër qenit të dytë nuk po kalonte asnjë shpurë me krushq e protokrushk, ai ishte gjithaq i egër, i fyer, i lënduar në shprehjen e zemërimit të vet. Në solidaritetin e vet të marrë, në besnikërinë e zhveshur nga arsyeja. Zëri i dytë i zemëratës, sa i njënjëshëm, aq dhe anonim. Dyzërshit shpejt iu bashkua një i tretë, nga tjetër drejtim, pastaj një i katërt, i pestë... berihaj pandemik me viruse të vërsulur nëpër erë, misionarë pa qëllim, me një inat të përbashkët ndaj qiellit, një lloj alergjie ndaj reve. Në të dalë të Qenasit sijinxhive iu duk se po dilnin nga barku i një lehnaje.

~o~o~o~o~o~o~o~


Pas disa orësh, rruga më në fund bigëzohej dhe njëri krah i saj të çonte drejt krahinës së tyre. Tjetri futej thellë në nahijen Harbutas, disa fshatra të së cilës shquheshin që nga aty, edhe pse dobët, ngaqë përziheshin me ngjyrën e ngjashme të shkëmbinjve. Gjoliku si pak më i bredhur, i përcaktonte duke ia dëftyer me gisht Pertefit, që nuk shikonte gjë gjithësesi: ai në të majtë është Qelbësi, pastaj Çakallasi, Qelepirdhësi, Dushku, Shushunjasi...
Shpura mori rrugën për në krahinën e tyre, të cilën e ndante nga Harbutasi përroi i Tersit. Më e madhja kish kaluar ndërkaq, në pritë s’kishin rënë, nusja po vinte sagllam, si princeshë, e dhëndërri si princ. Mbi supet e dajës prijës po bëheshin gati të mbinin dy tuje të reja. Po mugullonin qysh tani mbi klavikula, nën rripin e maliherit grek. Sa të kalonin dhe urën e Fodullasit mbi përroin e Tersit, dhe zëre se ishin në shtëpi, ku i prisnin, me dyfekët mbushur, gati t’i zbraznin në ajër për haìr, harè e myzhdè!
Ura ishte e ngushtë, por e fortë. Askush s’e dinte kur ish ndërtuar, dukej sikur ishte pjesë e terrenit, bashkonte brigjet e Tersit qysh në krye të herës.
Nga bregu matanë u shqua një shpurë tjetër. Si të ishte reflektim i sijinxhive. Edhe ata një masë shajaku e murrme mbi kuaj të kuqërremtë me bishta të zinj nervozë, tyta maliherësh si degë shqopash thyer mbi shpatulla, dhe në mes një pelë e bardhë, si rè e piksur, që mbartte një mëndafsh fërgëllues ngjyrë prushi e ca shkëndija ari mbi të, mu aty ku duhej të ishte gjoksi, jeleku i ngushtë ndënë sqetull, që iu thafshin kush e ka qepur, e mu aty ku duhej të ishte ballët me sedefe.... Sijinxhinj të tjerë që vinin nga krahina e tyre e ndoshta shkonin në Havaleas. Stinë dasmash, gjithësi paralele krushqish e nusesh që vejevinin si kometa.
Barazlargësia nga ura e të dy shpurave që po i aviteshin njëra tjetrës sa vinte e bëhej më e qartë. Dy gjeneralë, të dy dajllarë, të dy me tuje, katër krushkolonelet, të katër me xhufka xhajash... dy Pertefë të dehur, dëshmorë të rakisë burrërishte... ky ishte një shëmbëllim i frikshëm si mbi një rrafsh pasqyrues, pingultaz Tersit. Aty mbi urë, dy grupet binjake do bëheshin një, bota do theqafej në pikë singulare, dy nuse që sipas zakonit duhej t’i jepnin ëmbëlsira njëra tjetrës për mbarësi, do bëheshin një, dy dajallarët do përplaseshin në një dajë, dy krushkrenaritë do bëheshin një, e nga kjo përplasje, tjetra do binte theror! Theror për çfarë, askush nuk ish në gjendje t’a thosh, por rëndësi kish fakti i qenies theror. Dëshmorë që dëshmonin përkushtim e përkatësi! Të dëshmuarit ishte njëlloj me të rrëfyerit, e në këto anë gjysëm të thata me ullinj e toka gëlqerore që bënin rrush të pakët, por të ëmbël mjaltë, të rrëfyerit ishte zanàt edhe më i vjetër se ai më i vjetri fare, dhe rrëfimtarët ishin me patjetër të verbër! Dëshira për vetflijim rritej me afrimin e urës, që po bëhej tani si përmesore e shejtanit. Asnjë nga shpurat nuk i hapte udhë tjetrës, asnjëra nuk ngadalësonte hapin që tjetra të kalonte e para mbi urë, të dyja dërgatat po sillnin nuse, femër, riprodhim, mejozë, gjysma kromozomesh që përjetësonin fise, bëma, të skalitura nëpër baza purike e pirimidike të femrës nga fisi i huaj, dru lisi ku gdhendeshin krenari numizmatike të vjetra sa bota! Ç’mund të (k)ishte më sublime se kjo? Çdo gjë zhbëhej e asgjësohej para kësaj!
Ballet e shpurave trokuan njëkohësisht në dy skajet e urës. Secila po avitej sikur para kish veç boshllëk e asgjë tjetër. Dy nuset kishin ngrirë si moskuptime të kuq në mes të shajakut të verbër. Ajo që pasoi ishte një përplasje arkeopteriksësh, pa kuptim, pa urrejtje të njëmendtë, domethënë me urrejtje ataviste, me rastësi të domosdoshme, ura u bymye si barku i boas që të nxinte gjithë çenikllëkun e kokëfortësinë, dhe disa nga kalorësit e të dy shpurave ranë me gjithë kuaj në përrua. Tersi ishte i tharë në atë stinë të vitit dhe gjaku i kuajve dhe kalorësve mbeti përmbi gurë për një kohë të gjatë. Derisa sa erdh stina e shirave.
Gjoliku ra mbi buzë bashkë me Pertefin, i cili nuk ndjeu asgjë, megjithëse mbi ballë çurgu i gjakut po vazhdonte të rridhte kërcënueshëm. E njëjta gjë me sosinë e dehur të shpurës tjetër. Sosia e Gjolikut, nxori krahun vendit, si dhe Gjoliku, por u mundua t’a fshihte dhimbjen pas fytyrës së bërë jeshil nga therja, teksa fuste shpatullën e dalë... përkohësisht në vend.
Nuk pati të vrarë nga asnjëra shpurë. Vdekja i trembej dasmës. Kuajt u çapitën nga përroi dhe dolën në brigjet matanë urës. Nuset e përshkuan atë korridor ferri të pacënuara. Gati gati mund të besohej se ato qenë bërë prej mase flu, e aftë të depërtonte përmes muresh shajaku dhe kuajsh. Të dyja shpurat qenë gati të vdisnin në fund të përroit, vetëm që nuset të dilnin pa asnjë dëmtim matanë.

Te dyja shpurat po i prisnin në fshatrat e tyre.
Te dyja vinin me fitore, domethënë me nuse. Sillnin jetë mbi pela të bardha. Si petla të bardha. Që era i flakte mbi baltë.
Çdo gjë tjetër ishte një detaj pa rëndësi.





No comments yet